E Diel, 1 Nëntor 2026

Tjetërsimi i mirënjohjes në mosmirënjohje dhe anasjelltas

I shtyrë nga disa lexues, e quajta të udhës të thellohem më tej në trajtesën modeste të temës: ”Ky popull mosmirënjohës!” E di që së largu duket përnjimend absurd e marrok ngulmi i disa elitarëve mediatikë për të quajtur mosmirënjohës popullin shqiptar, për shkak se nuk votoi në favor të filan udhëheqësi. Të dalësh në publik e të mbrosh një të tillë tezë, më e pakta do të thotë të kryesh hara-kiri moral para opinionit publik. Madje edhe para familjes; ca më keq akoma, edhe para kujtesës kolektive që vetja lë pas, si hije. Se, dihet: Një popull ka të drejtë edhe kur gabon. Ky nuk është paradoks. Ky është ekskluziviteti i tij. Verdikti i takon vetëm atij, popullit. Askush nuk ka të drejtë të gjykojë popullin; aq më pak ta ndëshkojë atë me nofkën e mosmirënjohjes, përveç atij vetë dhe historisë. Prandaj këtij hamendësimi disa lexues me të drejtë i janë përgjigjur me këtë pyetje retorike: Kur populli qenka kaq mosmirënjohës, kur nuk i dashka dhe nuk i mbron udhëheqësit e tij të ndritur, përse këta nuk ikin (meqë është liberalizuar lëvizja e lirë e meqë jo pak pararendës të tyre kanë firuar?!) të gjejnë një tjetër popull, më mirënjohës ndaj tyre?
Përveç servilizmit dhe puthadorësisë prej skllavi ndaj kreut përkatës të partisë, këta mediatikë të merakosur në këtë farë feje ka gjasa t’i kenë besuar asaj që thonë: Që ky popull injorant e i pabesë nuk i meriton prijësit që kanë bërë aq shumë për të. Po si kryhet ky manipulim? KOP-i ishte eksperimenti më i suksesshëm i kultivimit të “mirënjohjes së përjetshme” për kryetarin “historik” të partisë. Për kryetarin që të merr, të përzgjedh dhe të nxjerr nga errësira e kurrkushit si me shkop magjik e të bën deputet, ministër, njeri të shquar e të pasur, tash edhe kryetar partie! Kjo lavatriçe e markës “mirënjohje e përjetshme për kryetarin” fuqiplotë u ligjërua dhe u përsos me listat e kandidatëve për deputetë, si dhe me 20%-shin që përfitoi LSI pas bashkëqeverisjes me PD-në. Edhe bashkia e Ramës u bë në fakt një laborator i tillë. Berisha këtë “mjet” përulësie e sundimi pa kushte nuk e përdorte dot në vitet ‘92-97, pasi asokohe nuk qe bërë “historik”, as legjendar. Edhe pse autoritar, bashkëpunëtorët e tij e quanin veten të barabartë me të, ndaj guxuan ta kundërshtojnë me “mocione”. Kurse gjatë sundimit të dytë 2005-2013 të gjithë iu nënshtruan “mirënjohjes së përjetshme”, si rishtarët anonimë ashtu dhe autoritetet e kthyer e të penduar. Të gjithë këta, të bindur e të pabindur e dinë se në parti ka vetëm një zot fuqiplotë, i cili ose t’i heq spaletat, ose të jep gjithçka: të bën “gjeneral” të piramidave, kapterin mund ta emërojë gjeneral të NATO-s, por edhe President të Republikës! Nuk ka qytetar të mos e dijë tashmë se nuk janë institucionet ato që të përzgjedhin e të punësojnë, as forumet e partisë, as meritokracia, as zanati, as kultura, as konkurrenca, as vlerat e kontributet, por vetëm dhe vetëm vullneti i padiskutueshëm i kryetarit!
Kësisoj morali i mbarë shoqërisë u tentua të sundohej nga kjo aksiomë e padiskutueshme: Dëshiron të punësohesh? Do të lartësohesh në karrierë? Do të bëhesh i kamur pa djersë e pa mund? Do të gdhihesh i famshëm e i shquar, pavarësisht nga meritat, studimet, cilësia e diplomës? E vetmja rrugë është të lidhesh jo dhe aq me një institucion, po me një parti që t’i hysh në qejf kryetarit të saj. E më pas të arsyetosh sinqerisht kështu: Ku do të ishe ti tani, o njeri, po të mos donte kryetari të të emëronte, të të përzgjidhte, të të caktonte në filan post?! Prandaj pyetja ”Edhe ti Brut?!” i jep kuptim unitetit më shumë se statutet, idealet dhe qëllimet e përbashkëta.
Ky është kurthi që e përkeq dhe e përthyen personalitetin. Pse jo, edhe dinjitetin. Me këtë lëndë kanunore të “mirënjohjes së përjetshme” për Njëshin janë ngjizur e sendërtuar partitë dhe marrëdhëniet e kryetarit fuqiplotë me anëtarësinë, me forumet, me “zezakët” e tij. Fatkeqësisht po synohet që kështu të ndërtohen marrëdhëniet edhe me popullin, gjë që më 23 qershor rezultoi si një mision i pamundur, por fatkeqësisht ende i papërfunduar!
***
E pra, falë kësaj mundësie që t’u dha e t’u fal nga “zemërgjerësia e kryetarit”, je i detyruar të mbetesh deri në vdekje mirënjohës (kupto: besnik, qëndrestar, shërbëtor, mercenar, n’daç edhe kamikaz në shërbim të “faraonit”!) ndaj atij që ta ndryshoi fatin dhe jetën! Ja përse përmendet kaq shpesh ditët e fundit “mirënjohja”; në fakt është fjala për besnikërinë, deri në varr, ndaj të plotfuqishmit, kryetarit të partisë. E ngatërrojnë ndoshta po, ndoshta pa dashje mirënjohjen vetjake me atë të popullit, për të maskuar e justifikuar mjerimin e vet moral.
Apo mos vallë sejmenët e kanë ves të trashëguar të shtirurit si besnikë të përkorë? Ka mundësi. Në të gjitha sistemet më të suksesshmit e më të paguarit kanë pas qenë përherë mercenarët. Është në cilësinë e zyrtarëve të depersonalizuar të ndjehen të detyruar të thonë atë që nuk e besojnë, që tjetër të bëjnë, tjetër të mendojnë e tjetër të mbrojnë. Ky është “morali” i mbijetesës së tyre. Sidoqoftë, vështruar me një sy më objektiv ndoshta këta rishtarë të politikës e të opinionit publik, këta tipa-vipa-hipa partiakë kanë të drejtë të ndjehen borxhlinj vetëm ndaj kryetarit të partisë, duke mbetur përjetësisht puthadorë, pasi dihet që jo të gjithë skllevërit modernë të kësaj bote e ndjejnë shtypjen dhe poshtërimin që u bëhet, ngaqë u është bërë lëkura shollë, ngaqë u është shuar e mpakur shqisa e kundërshtisë, e rezistencës dhe e revoltës për të mbrojtur së paku dinjitetin vetjak, le më atë shoqëror.
Ndaj jam i mëdyshur: Nuk di të them e të provoj nëse këta mbrojtës të flaktë të “mosmirënjohjes së popullit” e ngatërrojnë qëllimisht, politikisht, klanërisht, mefshtësisht e, pse jo, edhe djallëzisht mirënjohjen vetjake që kanë për kreun e partisë me mirënjohjen e popullit...Apo mos vallë ata i ka tjetërsuar përfundimisht e pandreqësisht trushpëlarja, klientelizmi dhe pragmatizmi, të mirat e të cilave varen e burojnë nga vullneti i të Madhit? Morali i shprishur i shoqërisë ka nisur t’i justifikojë e jo t’i fajësojë këta karrieristë të panginjur e të pacipë, të cilët karrierën, pasurinë, fuqinë, famën nuk ia dinë për nder vetes, po kryetarit të përjetshëm të partisë. Shumëkush, i dorëzuar, i mbetur në mes të katër udhëve, i papunë dhe i pashpresë tundohet e i thotë vetes: Mos vallë këta lapërdharë të aftë ta kenë mirë me këdo që është në pushtet duhen konsideruar më të zotë e më të zgjuar meqë ia lejojnë vetes depersonalizmin, shfytyrimin, tjetërsimin, aq sa t’i thonë të zezës së bardhë e anasjelltas, duke siguruar kësisoj jetën dhe mirëqenien e familjes?
***
Nuk mund të mohohet se kriza më e rëndë sot është kriza morale. Për të kuptuar këtë duhet parë sjellja e ish karrigethyerve, të cilët u shndërruan në karrigedashës në vitin 2005, duke i lëpirë edhe ato që kishin pas pështyrë. Shembulli më i freskët është i Selamit. A mund të mos jetë ky njeri mirënjohës përjetë ndaj Berishës, i cili e bëri sërish deputet, edhe pse u largua për vite të tëra në emigracion për shkak të “mosmirënjohjes” së ndërsjellë Berisha-Selami? Të gjithë Selamët e Imamët e rikthyer e të shpërblyer e kanë humbur të drejtën të kenë integritet dhe pavarësi morale. Ata e kanë lënë nderin dhe emrin e tyre peng te “mirënjohja e përjetshme” ndaj kryetarit, si çdo kumarxhi i dëshpëruar që ka humbur gjithçka në bixhoz. Kjo është arsyeja përse në PD nuk ka më asnjë zë me autoritet që të guxojë të analizojë humbjen e turpshme të 23 qershorit, edhe pse vetë kryetari deklaroi se “e gjithë përgjegjësia është imja, e Sali Berishës”.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk ndodhi kështu kur humbën dhe kur e lanë pushtetin R. Alia e më pas F.Nano. Të dyve, pas dorëheqjes, pas dorëzimit të pushtetit, dyert e partive iu mbyllën me “mosmirënjohje” arrogante për të mos u hapur më kurrë, edhe pse edhe ata kishin pas qenë “udhëheqës historikë”, të ndjekur e të duartrokitur frenetikisht nga mijëra e mijëra “mirënjohës të përjetshëm”.
Po përse atëherë në PD-në e sotme po ndodh kryekrejt ndryshe? Si shpjegohet kjo gojëkyçësi antidemokratike që po sajon dhe po imponon fajtorë pa faj me pamje prej kokorroçi? Sepse Berisha nuk ka dhënë dorëheqje nga ndikimi dhe sundimi absolut mbi anëtarësinë. Të gjithë bashkëpunëtorët e tij, edhe ata që konkurrojnë për kryetar, janë të detyruar ta lëvdojnë e ta mburrin ish kryetarin jo si një Ish, por si një viktimë heroike “që ia punuan me të pabesë”. Këta janë të dënuar të jenë përjetësisht “mirënjohës”. Askush syresh nuk bën dot një vërejtje për të. Jo vetëm nga frika, por sepse janë të mbërthyer nga prangat morale dhe arkivale (kupto: dosje të vjetra e të reja), të cilat, kush do të guxojë t’i këpusë e di që ka për ta pësuar keq, ndoshta më keq se po të mbetet i harruar dhe i humbur në opozitë.
Prandaj Berisha nuk bëri “gabimin” fatal të Nanos që të ikte “në drejtim të paditur”. Ai ka nxjerrë mësime nga shembulli i hidhur i ish rivalit të tij. Po të largohej përgjithmonë e po të kthehej në parti pas ca kohe, mirënjohësit e përjetshëm nuk ka asnjë dyshim që do të ishin shndërruar në mosmirënjohës të përjetshëm; kështu që po të kërkonte imunitet, mbështetje apo përkrahje para organeve të Drejtësisë, do ta gjente derën të mbyllur, sikundër Nano. Ja përse deklaroi se do të mbetet deputet, se do të punojë 16 orë në ditë, që do të thotë se në mungesë të kryetarit të ri të partisë në Kuvend (i cili nuk do të jetë deputet), ai do të jetë edhe kryetari “historik” i partisë, edhe kryetar i grupit parlamentar, zëri vendimtar i opozitës. Kjo do të thotë që jo vetë mëkëmbësin, por të gjithë “mirënjohësit” do t’i vërë në rresht, të bindur e të palëkundur, njëlloj si më parë!
Ja pra si ndodh që “mirënjohja e përjetshme” mund të shërbejë edhe si pengmarrje! Me sa duket bash për këtë qëllim po tjetërsohet nga mediumet partizane mirënjohja vetjake e mercenarëve partiakë në mirënjohje të të gjithë popullit për “udhëheqësin historik”, në mënyrë që humbja dhe dorëheqja të mos jetë ikje e vërtetë dhe të mos ngjajë si një ndëshkim plebishitar mbarëpopullor për Berishën!

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›