Ambasadorja e Britanisë: Duhet dialog konstruktiv për reformat e BE-së
Topi gjatë takimit me ambasadoren britanike: “Klasa politike shqiptare duhet t’i lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe dhe debatet shterpë, dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit”
TIRANË Pas takimeve të zhvilluara me Presidentin e Republikës, Bamir Topi dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ambasadorja britanike, Fiona McIlwham ka theksuar nevojën urgjente të dialogut për të përmirësuar ecurinë e Shqipërisë në lidhje me integrimin e saj në BE. "Ekziston një mundësi tani, - ndërkohë që Komisioni po përfundon raportin e progresit të Shqipërisë dhe para se shtetet anëtare ta shohin raportin në dhjetor, - që udhëheqësit politikë shqiptarë të ndryshojnë vlerësimin e BE-së. Mbretëria e Bashkuar, si miqtë e tjerë ndërkombëtarë, ka qenë shumë e qartë se dëshiron ta shohë Shqipërinë më afër BE-së, dhe ne e kuptojmë se kjo është edhe ajo çfarë duan shqiptarët e thjeshtë. Në javët dhe muajt e ardhshëm, ne kemi nevojë urgjente për të parë prova konkrete se edhe politikanët duan të njëjtën gjë. Të fajësosh njëri-tjetrin nuk do të ndryshojë realitetin apo vlerësimin e BE-së për 2011-ën. Një dialog konstruktiv, ndërpartiak për reformat e BE-së dhe një përparim i menjëhershëm në disa nisma apo ligje për reforma kyçe parlamentare, elektorale apo për drejtësinë, do të rrisnin perspektivën e Shqipërisë në BE. Ka disa ide të rëndësishme në tryezë. Unë shpresoj se politikanët e Shqipërisë do të shfrytëzojnë mundësinë dhe do të angazhohen. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë këto përpjekje", - tha dje ambasadorja britanike. Domosdoshmërinë për vendosjen e dialogut e ka theksuar edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit të zhvilluar me Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë. “Klasa politike shqiptare mbart një përgjegjësi të veçantë për imazhin e vendit përballë partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë, për mënyrën e administrimit të pushtetit dhe të vullnetit të qytetarëve shqiptarë”, - vuri në dukje Kryetari i Shtetit, ndërsa nënvizoi se “shqiptarët me shumë sakrifica kanë kontribuar për imazhin e tyre si njerëz me kurajë, mbështetës dhe aspirues të vlerave demokratike dhe evropiane, ndaj është në detyrimin e përfaqësuesve të popullit, institucioneve shqiptare, që t’u përgjigjen këtyre standardeve”. “Klasa politike shqiptare duhet t’i lërë mënjanë mllefet politike, retorikën boshe dhe debatet shterpë, dhe të mendojë e të përkushtohet për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit, si dhe integrimin dinjitoz e sa më të shpejtë të Shqipërisë në familjen evropiane”, - u shpreh Topi gjatë takimit.