E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsensusi kundër korrupsionit, si masë antikrizë

REXHEP MEIDANI

Situata e rëndë financiare në Greqi e Itali, që çuan në rënien e qeverive politike dhe zëvendësimin e tyre me qeveri teknike, ndryshimi i krahut politik pas zgjedhjeve në Spanjë, masat jo gjithmonë të suksesshme në Portugali e Irlandë, rënia e fundit e shkallës së kreditimit të pesë vendeve europiane (Itali, Spanjë, Belgjikë, Slloveni e Qipro) po kërcënon me një situatë recesioni deri Britaninë e Madhe (ekonomia britanike u reduktua me 0.2% në tremujorin e fundit), rrëshqitja e Belgjikës në një situatë recensioni, alarmi në BE mbi rritjen jodemokratike të kontrollit mbi institucionet e jetën publike në Hungari nga qeveria e Orbanit, dorëheqja e Kryeministrit rumun Bok nën trysninë e protestave masive etj.; dëshmojnë se situata ekonomike në Europë është po aq e zymtë si tre muaj më parë. Madje, ajo po shoqërohet me protesta masive dhe deformime politike. Një situatë e tillë imponon, në Shqipëri, masa shumë më serioze në planin ekonomik e financiar, përfshirë dhe luftën kundër korrupsionit. Në këto kushte, ka nevojë urgjente për një konsensus real politik dhe një ndërveprim të gjithanshëm pozitë-opozitë, një zë shumë më profesional e shumar në analizë e vendimmarrje…
Korrupsioni si antitezë e qeverisjes së mirë
Në kushtet e krizës financiare dhe të borxhit, një nga proceset e rëndësishme në zhvillimin politik-institucional e social-ekonomik të Shqipërisë (të klasifikuar si vend hibrid), është ai i përmirësimit në vazhdimësi të qeverisjes dhe, mbi të gjitha, lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Kjo bëhet akoma më e domosdoshme në prani të një rendimenti të dobët në menaxhim dhe një efektiviteti të ulët në shërbimet publike. Po aq problematike janë: demagogjia, propaganda e tepruar dhe manipulimi politik (p.sh. në procese zgjedhore), mungesa e llogaridhënies, e përgjegjësisë administrative, mangësitë serioze të koordinimit, harxhimi jo transparent i parave publike, shoqëruar me një nivel të lartë korrupsioni. Në kushte të tilla, pavarësisht premtimeve elektorale e manovrimeve publike, qoftë dhe arritjeve, si kërkesë kryesore mbetet përmirësimi i qeverisjes dhe i agjencive të saj, ulja e shpenzimeve të pastudiuara, duke minimizuar në radhë të parë korrupsionin politik, administrativ e kapilar. Po aq e rëndësishme është dhe heqja dorë nga përralla e modelit, duke ristrukturuar e menaxhuar me nikoqirllëk burimet publike, duke vlerësuar e konsideruar propozimet e opozitës dhe grupimeve pakicë. Përndryshe, çdo vonesë e sotme mund të rezultojë nesër po aq goditëse sa ajo greke! Pra, është urgjent kthimi me këmbë në tokë, gjetja e gjuhës së kompromisit dhe konsensusit, mobilizimi i përbashkët politik për zgjidhje sa më optimale, lufta kundër abuzimeve me autoritetin e zyrës, minimizimi i pozicioneve politike partizane e fanatike. E thënë ndryshe, kërkohet me ngulm një ndërveprim pozitë-opozitë për një qeverisje normale, një fokusim parësor mbi hapjen e pjesëmarrjen, transparencën e barazinë, përgjegjshmërinë e gatishmërinë, llogaridhënien e efektivitetin, shkëmbimin apo marrje-dhënien e informacionit, parashikimin e planifikimin, zbatimin e ligjit. Natyrisht, për të arritur këto parametra, detyra kryesore i takon shumicës parlamentare, e cila duhet të heq dorë nga  psikologjia antidemokratike që ajo është shteti; dhe, ndërkohë, në funksion të këtij procesi konsensusi duhet të angazhohet edhe opozita, me të gjithë kapacitetin e saj qeverisës (por jo si ndonjë shtojcë zbukuruese e pozitës së sotme)…
Nuk mohohet se ndërtimi i një qeverisje të mirë është bazë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe parakusht për rritjen ekonomike. Veçse, me qeverisje nuk nënkuptohet vetëm qeveria (dega ekzekutive) dhe dy degët e tjera të pushtetit (dega legjislative dhe juridike), por dhe agjenci e sektorë të tjerë që lidhen me çështje publike, përfshirë biznesin, struktura të shoqërisë civile etj. Qeverisja e mirë varet dhe nga shkalla me të cilën qytetarët e perceptojnë qeverinë e institucionet shtetërore, sa legjitime i shohin ato, sa ato janë të angazhuara në përmirësimin e standardit të jetës, garantimin e ligjit dhe rendit publik, për barazinë e qytetarëve, modernizimin e infrastrukturës, plotësimin e shërbimeve publike. Parë me këtë sy, perceptimi i shumicës së qytetarëve, sidomos pas ngjarjes së Gërdecit dhe vrasjeve të 21 janarit, nuk është pozitiv, pavarësisht që në shumë media pro qeveritare propagandohet modeli shqiptar i qeverisjes, demokracisë e ekonomisë. Kjo edhe pse antitezë e një qeverisje të mirë është korrupsioni!…
A ka korrelacion midis nivelit të demokracisë dhe atij të korrupsionit?
Një akt korrupsioni është dhe krejtësisht antidemokratik; i tillë është, p.sh. shfrytëzimi i zyrës publike për përfitime private. Ai deformon në vetvete detyrën publike, ushtrimin e saj në përputhje me votën e dhënë. Megjithatë, korrelacioni midis nivelit të demokracisë dhe atij të korrupsionit nuk është i thjeshtë. Kjo vihet re dhe në dallimin midis leximeve ligjore-juridike apo shumimit të perceptimeve popullore. Veçse, në mesatare, një regjim demokratik gjeneron, përgjithësisht, më shumë antikorpe kundër korrupsionit se sa çdo sistem tjetër, ku liritë politike janë të cunguara. Një vend që organizon zgjedhje të rregullta, të lira dhe të ndershme, që respekton garën politike dhe ka një mjedis politik me forcat opozitare aktive dhe të mirë organizuara, ku degët legjislative dhe gjyqësore janë realisht të pavarura, ku plotësohen më së miri parametrat e lirisë së shprehjes dhe medias së lirë, një vend i tillë ka kushte më të favorshme për të luftuar korrupsionin se një vend tjetër ku cungohen këto kolona. Kjo duhet kuptuar dhe në rastin e Shqipërisë, prandaj dhe shfaqen pengesa e vonesa në proceset integruese! Prandaj, në vend që të pompohet modeli ynë hibrid nevojitet një balancë e drejtë midis pushtetit të zyrtarëve e kontrollit të publikut, një zhvendosje e qartë në favor të një qeverisje të hapur, ku parësore mbeten informimi e transparenca, d.m.th. dhe llogaridhënia. Po ashtu, një demokratizim në rritje nënkupton dhe një media aktive dhe të pavarur, një shoqëri civile më të devotshme, një qytetari më pjesëmarrëse. Kjo duhet kuptuar mirë në kushtet tona. Sepse, institucionet demokratike janë ato që shërbejnë në një perspektivë afatgjatë si antibiotikë në luftën kundër korrupsionit. Për këtë kërkohet dhe një vullnet e impuls i ri politik, që ato të funksionojnë në mënyrë efektive. Madje, në këtë kuptim, vullneti politik mbetet ingredienti çelës i një strategjie të efektshme në luftën kundër korrupsionit. Kur është kështu, si shpjegohet që thuhet shumë dhe bëhet pak tek ne?!…
Por, ka njerëz që mendojnë ndryshe. Sipas tyre, demokratizimi, duke shtrirë e fuqizuar liritë politike e civile, mund të krijojë mundësi abuzimi të lirisë, të ushqejë mungesë përgjegjësie, deri duke krijuar hapësira përfitimi për elitat ekonomike e politike. Pikërisht ky abuzim jodemokratik me hapësirat e lirisë në sistemet demokratike mund të krijojë incentiva e favore negative ose të ushqejë korrupsionin, të paktën në një kohë të shkurtër. Për këtë arsye, në Shqipëri, nevojiten të analizohen në detaje kostot e larta të fushatave të fundit elektorale (deri zhurmat për korrupsion e mitmarrje elektorale); duhet reaguar ndaj ndikimit, deri kapjes së disa hallkave institucionale apo drejtimit të partive politike prej biznesit të pandershëm, politizimit e nepotizmit të aparatit shtetëror etj. Problemi bëhet akoma më serioz kur disa zyrtarë të zgjedhur, të pasuruar nëpërmjet korrupsionit, shfaqen si biznesmenë, pa u shpuar nga ndonjë gjemb juridik! Këto dukuri janë ndeshur në periudhat kalimtare të ndryshimeve politike e ekonomike nga sisteme autoritare në ato demokratike, pra dhe në Shqipëri, ku në vitet e para kanë ndikuar, p.sh., va

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›