Suksesi i vërtetë i vizitës së Bashës në SHBA
Si shumë informacione me mbarsje politike, edhe vizita e kryetarit të Bashkisë së Tiranës në SHBA nuk kaloi pa debate dhe polemika, duke filluar nga më brilantet në shtypin pro pozitës, e deri te neglizhenca totale në shtypin opozitar. U komentua mbi mënyrën, kohën e vizitës, suksesin ose jo të saj, e deri te teori konspirative mbi axhenda sekrete. Po sa realisht ishte e suksesshme vizita e Bashës në SHBA? Le të argumentojmë mbi faktin.
Që në fillim të herës duhet të themi që kjo është vizita e parë zyrtare (me përmasa të tilla) e një kryebashkiaku shqiptar (Bashkisë më të madhe madje) në nivele kaq të larta zyrtare, diplomatike dhe akademike në SHBA. E kjo, pa dyshim që nuk është rastësore, sepse në gjykimin tim, tri janë arsyet kryesore të një pritjeje zyrtare të tillë:
Së pari, për shkak të investimit të kujdesshëm të zyrave të huaja diplomatike në Tiranë, e sidomos të ambasadorit të SHBA-ve, Arvizu. Nuk ka rëndësi nëse ky pozicionim vjen për balancë të nevojës së qarkullimit të elitave si brenda PD-së dhe klasës politike, apo vjen për shkak të vullnetit për të favorizuar liderë të rinj me vizion e qasje pozitiviste ndaj komunitetit dhe të pronës së përbashkët publike. E rëndësishme është që ky është fakt i dukshëm dhe i padiskutueshëm nga askush tashmë.
Së dyti, për shkak të performancës së lartë që ka treguar z. Basha gjatë kohës që ishte ministër i Jashtëm (dhe ministër i Brendshëm) i vendit si në procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike, liberalizimin e vizave si dhe njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Elokuent, i qartë, i vendosur dhe diplomat në reagime, Basha është investuar seriozisht në drejtim të mbrojtjes së interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve duke krijuar një imazh pozitiv në kancelaritë ndërkombëtare, sepse i përket pikërisht stofit që ata pëlqejnë.
Së treti, për shkak të shembullit të një politikani civil e vizionar, në krye të një qyteti me potenciale të mëdha në Europën Juglindore, i cili realizoi një fushatë elektorale model të bazuar krejtësisht mbi projekte dhe ide (pa mohuar punën e bërë nga paraardhësit), e jo mbi sharje e shpifje të rëndomta, siç kish ndodhur gjer sot.
Të tre këta faktorë i hapën dyert bujarisht Bashës në kryeqytetin e botës, Washington D.C. Por, parë me një qasje me realiste, ky fakt, jo domosdoshmërisht do të thotë që vizita e tij ishte e suksesshme. Kjo sepse përtej shtrëngimeve të duarve dhe vizitave fjalëbukura, Tiranës i nevojitet një operacion radikal infrastrukturor e mjedisor, qytetarëve të Tiranës u nevojiten më shumë investime dhe ndërhyrje që të përmirësojnë jetën e tyre të përditshme, duke filluar nga transporti publik, parkingu i automjeteve, ambienti i gjelbër, ajri i pastër, hapësirat publike të nevojshme etj. E, duke ditur që në sytë e investitorëve të huaj nga kontinenti i largët i Amerikës së Veriut, Shqipëria është një pikë ujë në oqean dhe jo një vend shumë atraktiv për tu investuar (largësia dhe qenia një treg konsumator i vogël janë dizavantazhe), pa dyshim që prezenca e një politikani të ri vizionar me referenca të forta është një shtyse nxitëse, por e pamjaftueshme sa duhet.
Thënë ndryshe, që Basha dhe stafi i Bashkisë së Tiranës të munden të përkthejnë në investime reale shumicën e premtimeve të bëra për investime, duhet të garantojnë dhe ofrojnë projekte serioze e të realizueshme; politika fiskale agresive (në nivel lokal) për tërheqjen e investimeve; procedura sa më pak burokratike dhe jo të kushtueshme; si dhe çka është më e rëndësishmja, të garantojnë një konkurrencë të lirë e të ndershme së bashku me procedura transparente nëpër konkurset ndërkombëtare për projekte të një rëndësie të tillë. Vetëm atëherë do të thoshim me plot bindjen që vizita e Bashës në SHBA apo në çdo kryeqytet tjetër të botës së zhvilluar ka qenë e suksesshme. Atëherë, kur të prodhojë fryte të prekshme për qytetaret e Tiranës e më gjerë.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, këto rreshta u adresohen specifikisht sipërmarrësve shqiptarë në diasporë (kryesisht SHBA), të cilëve pak ose aspak ua kemi parë gunën e jo më punën. Shqipëria nuk duhet (mbështetet) duke u veshur me kostume të shtrenjta e marrë pjesë në pritje mondane kur vjen Kryeministri, ministri apo kryebashkiaku i radhës, aq më pak duke belbëzuar deri në shfajësim shprehjen bajate: Do të kthehemi në Shqipëri kur ajo të bëhet. Takime të tilla shfrytëzohen për të krijuar lidhje të qarta dhe direkte me vendin mëmë e për të investuar një pjesë të kapitalit të tyre të suksesshëm, edhe nga kjo anë e globit ku më së paku u ka rënë koka e etërve të tyre e që quhet Shqipëri!!!
