E Diel, 1 Nëntor 2026

Konservatorët në Greqi rifitojnë udhëheqjen në sondazhe

Gazeta Shqip

Antonis SamarasVrojtimet e reja japin shpresë për kthimin e qeverisjes normale te fqinji ynë jugor

Konservatorët e Demokracisë së Re në Greqi kanë arritur të bindin popullsinë të votojnë për partitë pro marrëveshjes së shpëtimit nga falimenti, duke shtuar shpresat se pas zgjedhjeve të ardhshme ky vend do të mund të qeveriset normalisht. Të dhënat e disa sondazheve që u publikuan sëfundmi, tregojnë se në 17 qershorin e ardhshëm partia Demokracia e Re mund të marrë vota të mjaftueshme për të krijuar një aleancë me armikun e vet historik PASOK dhe për të udhëhequr vendin në këtë situatë krize.

Pesë vrojtime që u publikuan këtë fundjavë në media tregojnë se Demokracia e Re do të marrë diku mes 1 dhe 6 për qind më shumë vota se koalicioni i ekstremit të majtë SYRIZA, megjithëse analistët thonë se vrojtimet nuk garantojnë dot parashikim të saktë për shkak të diferencës së vogël.

SYRIZA ka deklaruar se nuk do ta zbatojë marrëveshjen me BE-në dhe FMN-në, e cila i jep Greqisë borxhe për të shpëtuar nga falimenti në këmbim të uljes së pagave e çmimeve, pra varfërimit të përgjithshëm të popullsisë.

Por Gjermania dhe udhëheqës të tjerë kanë deklaruar se nuk kanë ndër mend të tërhiqen nga marrëveshja dhe mund të ndërpresin kreditë në rast se Greqia nuk respekton detyrimet e saj. Një prishje e marrëveshjes do ta çojë Greqinë shpejt në faliment dhe mund ta detyrojë të dalë nga euro.

Sipas vrojtimeve, Demokracia e Re mund të marrë mes 25.5 dhe 27.7 për qind të votave nëse zgjedhjet zhvilloheshin sot, ndërsa SYRIZA mund të marrë mes 20.1 dhe 26 për qind. Kjo diferencë e vogël ka rëndësi të madhe sepse sistemi grek i jep partisë me më shumë vota 50 vende në parlament në formë bonusi, përveç atyre që fitohen përmes votave.

Sipas disa analistëve, me rezultatet e vrojtimeve të fundit ekziston mundësia që Demokracia e Re dhe PASOK të bashkojnë forcat për të qeverisur vendin.

Demokracia e Re ka nisur një valë sulmesh ndaj SYRIZA-s duke e akuzuar atë për mungesë pjekurie dhe duke deklaruar se shkelja e marrëveshjes së shpëtimit do ta lërë Greqinë praktikisht pa mundësi për të blerë karburant e ndoshta, pa ilaçe.

Nëse Greqia refuzon në mënyrë të njëanshme marrëveshjen, ajo do të jetë një vend i izoluar për shumë vite… ajo nuk do të ketë bukë, nuk do të ketë ilaçe dhe as karburant. Do të detyrohemi të jetojmë me ndërprerje të shpeshta dritash, tha Samaras në një manifestim.

Duke iu përgjigjur Samaras, SYRIZA tha se gjithsesi edhe marrëveshja e shpëtimit nuk është shumë e ndryshme për nga rezultatet që prodhon. Marrëveshja e shpëtimit kërkon ulje të reja pagash e pensionesh, shkurtim vendesh pune në administratë publike… të gjitha këto do të ulin konsumin, do të mbyllin më shumë biznese e do të varfërojnë më tej popullatën, tha SYRIZA në një deklaratë.

27 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

Konservatorët në Greqi rifitojnë udhëheqjen në sondazhe burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›