Konsorciumi Shah Deniz zyrtarizon vendimin: Trans Adriatik (TAP), projekti fitues për gazsjellësin europian
Gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje nga Konsorciumi Shah Deniz (SDC) në Baku, Azerbajxhan, SDC konfirmoi se Gazsjellësi Trans Adriatik është përzgjedhur për të transportuar gazin e Shah Deniz II në Evropë. Kjetil Tungland, Drejtori i Menaxhues i Projektit në TAP deklaroi se, Korridori Jugor i Gazit do të luajë një rol të madh në sigurinë e energjisë për Evropën. “Jam shumë i lumtur se përzgjedhja për të transportuar gazin e Shah Deniz II në Evropë ka qenë në favor të gazsjellësit TAP. Ky është hapi i parë dhe i rëndësishëm për hapjen e Korridorit Jugor të Gazit dhe, ndërsa ne shohim përpara, Korridori Jugor i Gazit do të luajë një rol të madh në sigurinë e energjisë për Evropën dhe në sigurimin e diversifikimit të furnizimit me gaz për tregjet e Evropës perëndimore dhe juglindore”- u shpreh ai. Drejtori i TAP deklaroi gjithashtu se, do të punohet fort me aksionerët e këtij projekti me qëllim marrjen e një vendimi përfundimtar për financimin e tij. “Unë jam shumë i ngazëllyer me rezultatet që ka arritur TAP dhe jam shumë krenar që kam qenë pjesë e ekipit gjatë tre viteve të fundit. Gjatë muajve të ardhshëm ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me SDC për tu siguruar që ata janë në gjendje të marrin një vendim investimi përfundimtar të suksesshëm në fund të këtij viti. Në përfundim, duke shfrytëzuar këtë mundësi unë dua ta mbyll duke falënderuar të gjithë ata që kanë mbështetur TAP gjatë këtyre viteve të fundit duke bërë të mundur këtë projekt historik dhe gjeo-strategjik dhe duke përgëzuar Konsorciumin e Shah Deniz që ndërmori një proces përzgjedhjeje të drejtë dhe transparent”- deklaroi më tej Tungland.
Përzgjedhja e TAP nga SDC konfirmon se TAP është projekti i gazsjellësit që ofron më shumë avantazhe ekonomike dhe teknike për transportin e gazit të Shah Deniz në Evropë. Mbështetja e mëparshme dhe e vazhdueshme e Komisionit Evropian dhe e qeverive të të vendeve të ndryshme përforcojnë rëndësinë e TAP lidhur me axhendën e energjisë evropiane.