Vëzhgimi /Rama s’e beson akoma fitoren, bën koncerte që njerëzit t’i thonë se fitove

E çuditshme por e vërtetë. Edi Rama nuk po i beson fitores. Ishte përgatitur për gjithçka por jo fitores. Kjo shihet edhe në nisjen e një turi koncertesh për të festuar fitoren në qytetet e vendit sepse s’di me çfarë ta mbushë kohën deri në shtator kur të marrë me qira çelësat e kryeministrisë. Mbrëmjen e djeshme Edi Rama ishte në qytetin e Shkodrës për të dëgjuar fjalët se ka fituar. Do të duhen dy muaj të përtypë faktin se ka fituar së bashkë me koalicionin e tij, më saktë më të ashtuquajtur partner strategjik dhe do ti duhet të jetë më i përgjegjshëm në qeveri sesa ishte në opozitë. Por deri atëherë do të dehet nga fitorja. Do të pijë dhe do të festojë më aheng në çdo qytet për ta djegur me raki dhe me dajre. Ka kohë deri në shtator. Me qeverinë e re do t’i duhet të përballet me gjithë premtimet në ajër që ka bërë, duke filluar shëndetësi falas për të gjithë, Heqje e taksës së sëmundjes: TVSH-së në shkallën 10% për barnat, heqja e taksave për biznesin e vogël dhe 95% të koncesioneve, legalizime falas për të gjithë, ndërtimin e gjysmës së rrugës së Arbrit, të ulë krimin, të ulë borxhin publik, të ulë tarifën e energjisë dhe ujësjellësve, zgjidhjen e çështjes së tokës, zgjidhjen e çështjes së pronës, zgjidhjen e çështjes, rikrijim tërësor i institucioneve qendrore dhe vendore të kulturës, e shumë premtime të tjera që do ti japin dhimbje të paharrueshme koke Edi Ramës.