E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konstatohen shkeljet e QKUK-së

Qendrës Klinike Universitare të Kosovës do t’i duhet që të pres edhe dhjetë dit për ta zgjedhur kompaninë e cila do t’i mirëmbajë ashensorët e objekteve të këtij institucioni.

Ky është urdhri i prerë që i ka dhënë Organi Shqyrtues i Prokurimit, menjëherë pasi ka zbuluar se QKUK ka shkel Ligjin e Prokurimit duke mos iu përmbajt neneve që thonë qartë aty - se secilit tenderues duhet t’i jepet kohë që t’i bëjë gati dokumentet e aplikimit dhe t’i dorëzojë.

Me një urdhër të prerë OSHP ka detyruar QKUK-në që të shtyjë afatin e pranimit të ofertave për të gjitha kompanitë që janë të interesuara të konkurrojnë, në afat prej 10 ditësh, shkruan Express.

Shkas i kësaj, u bë një letër ankuese e kompanisë “Ashensorët” të cilës i doli në favor OSHP-ja.

“Kompania Ashensorët, nga Prishtina, me datën 30 të muajit prill ka parashtruar parashtresën ku thuhet se më datë 26 të po të njëjtit muaj në ora 15:00 nga zyra e prokurimit QKUK, na njoftojnë se aktiviteti i prokurimit për ‘Servisim dhe mirëmbajtje të ashensorëve në QKUK’ vazhdon, dhe afati i fundit për pranimin e ofertave është data 30 çka do të thotë që vetëm edhe dita e hënë ka mbetur për përgatitjen e dokumentacionit. Diçka e tillë është e pamundur, që dokumentacioni të përgatitet brenda një dite”, thuhet në letrën që kompania e cila ka marrë pjesë në tender, i ka dërguar OSHP’së.

Kësaj të fundit, i mjaftoi ky arsyetim për të marrë një vendim. OSHP vendosi që ta urdhërojë QKUK’në që ta shtyjë afatin tenderues, pasi vlerëson se koha jo e mjaftueshme që ajo ka dhënë përbën shkelje të rëndë të Ligjit për Prokurimin Publik.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit, bazuar ne parashtresën e kompanisë që është ankuar, konstaton se shtyrja e afatit kohor për pranimin e ofertave vetëm për një dite nga QKUK lidhur me aktivitetin e prokurimit "Servisimi dhe mirëmbajtja e ashensorëve aty është në kundërshtim me dispozitat e LPP’së”, thuhet në vendimin e OSHP’së, i cili ka dhënë edhe arsyet se pse ka ardhur deri tek ky konstatim.

“Duke u bazuar në nenin 44 paragrafi 1, QKUK është i obliguar të caktojë afatin kohor për pranimin e tenderëve, i cili duhet tu jap operatoreve ekonomik të interesuar kohë të mjaftueshme për të përgatitur dhe dorëzuar ofertat e tyre”. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›