E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASHT-i është pranuar në PIZA

Minsitria e Arsimit është pranuar në Vlerësimin Ndërkombëtar PIZA, që bën vlerësimin e të gjithë nxënësve të moshave 15-vjeçare në disa fusha. Ky është një proces që do të zgjasë deri në vitin 2016 dhe në bazë të rezultateve do të dihet se në çfarë niveli është sistemi ynë arsimor.

Vlerësimi ndërkombëtar PIZA, ka pranuar Kosovën që të hyjë në këtë proces, pasi Ministria e Arsimit ka aplikuar për të parë se në çfarë niveli është sistemi arsimor. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu, thotë për Radio Kosovën, se tashmë faza e parë e këtij procesi është në përfundim dhe faza e dytë fillon me përgatitjen për pilotimin e procesit të vlerësimit, që do të bëhet në vitin 2014.

”Unë konsideroj se në bazë të punës dhe rezultateve që kemi deri tani nuk jemi në nivelin më të mirë të mundshëm, por me dëshirë do të thoja që të mos jemi të fundit. Sigurisht se është duke u bërë një punë që konsideroj se nuk do të jemi të fundit. Por deri në vitin 2016 do të bëhen edhe lëvizje të tjera pozitive hap pas hapi. Vërtetë PIZA është një vlerësim shumë rigoroz, që vlerësojnë të huajt, punët teknike dhe profesonale që i kryejmë ne, ndërsa anën administrative dhe profesionale të gjithë procesit e kryen PIZA”.

Kadriu bëri të ditur se në vitin 2015 bëhet puna përfundimtare e vlerësimit dhe në vitin 2016 do të publikohen të dhënat, ku Kosova do të shikojë punën që është bërë nga viti 1999 deri në 2016, nëse ka lëvizje pozitive në sistemin arsimor. Vlerësimi ndërkombëtar PIZA bëhet me të gjithë nxënësit që kanë moshën 15-vjeç, thotë Kadriu.

”Kryesisht vlerëson në lëndën e gjuhës, komunikimit, matematikës dhe shkenca të integruara dhe në bazë të këtij vlerësimi thuhet në vendet e zhvilluara se vërtetë nëse dalim mirë themi se Kosova ka njerëz të përgatitur për zhvillimin e shtetit”.

Organizata ndërkombëtare për vlerësim PIZA është themeluar në vitin 2000, pasi shtetet e zhvilluara e kanë parë të arsyeshme se shumë vende nuk kanë rezultate të njëjta të arsimit. Rezultatet do të bëhen publike për opinionin dhe Qeverinë e Kosovës, dhe në bazë të tyre do të identifikohen përparësitë dhe të metat në sistemin arsimor. Kadriu thotë se ky vlerësim do të shtyjë që institucionet kosovare të punojnë më shumë dhe të kenë prioritet arsimin./rtk/Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›