Konstitucionalistët: Presidenti shkel Kushtetutën nëse shkarkon Ina Ramën
Konstitucionalistët kundërshtojnë vendimin e Presidentit Bujar Nishani për të nisur konsultimet me partitë parlamentare për kryeprokurorin e ri. Sipas tyre nëse presidenti Nishani dekreton emrin e prokurorit të përgjithshëm para majit të 2013-ës shkel ligjin dhe kushtetutën. Ky është paralajmërimi që bëjnë konstitucionalistët Njazi Jaho dhe Sokol Hazizaj në ditën që kreu i shtetit nisi konsultimet për pasardhësin e Ina Ramës. Sipas Jahos dhe Hazizajt, vendimi i Presidenti Nishani për takimet me krerët e partive parlamentare ishte i nxituar , pasi ato duhet të parapriheshin nga një tryezë e të kreut të shtetit me konstitucionalistët. Sipas konstitucionalistëve debatet për mandatin e prokurorit të përgjithshëm lidhen me faktin se Ina Rama u emërua në këtë detyrë disa muaj përpara ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, ku me konsnesus, demokratët dhe socialistët, përcaktuan një mandat 5-vjeçar për kreun e organit qendror të akuzës i cili përfundon në ditën e fundit të vitit të pestë të mandatit të marrë. Deri në kohën e emërimit të Ina Ramës, kryeprokurori kishte mandat të pakufizuar dhe mund të largohej ose me dorëheqje, ose me firmën e presidentit, pas një komisioni hetimor parlamentar. Ditën e djeshme Presidenti Nishani ka zhvilluar takime me të gjithë përfaqësuesit e partive politike. Në takimin me përfaqësuesit e partive nuk është diskutuar për emra konkrete të propozuar prej tyre, por mbi kriteret profesionale që duhet të përmbushë kreu i ri i organit të akuzës.