E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i 2013-ës më i ulëti në dhjetë vitet e fundit

Borxhi publik, inflacioni apo rritja ekonomike janë faktorë që nuk janë marrë parasysh në llogaritjet e buxhetit të vitit 2013. Nëse do ti referohemi draftit të miratuar nga Qeveria mbi buxhetin e vitit që vjen, jo vetëm që nuk është më i larti, por përkundrazi është më i ulëti krahasuar edhe me vitin 2005.
Të ardhurat
Të ardhurat e Qeverisë do të bien vitin e ardhshëm, në 25.1 për qind e Prodhimit Kombëtar, që është niveli më i ulët që nga 2005-a. Ndërsa shpenzimet ulen nga 28.7 për qind këtë vit në 28.58 për qind vitin e ardhshëm edhe ky një tregues drejt niveleve më të ulëta historike.
Borxhi
Rënia e shpenzimeve mund të kishte qenë edhe më e madhe, nëse Qeveria nuk do të rriste borxhin. Në vitin 2013, deficiti buxhetor zgjerohet me 0.4 pikë përqindje, nga 3 për qind që është aktualisht në 3.4 për qind. Kjo do të thotë se një pjesë gjithmonë e më e madhe e shpenzimeve nuk po përballohet nga të ardhurat, por përmes rritjes së borxhit. Kjo ka një tjetër kosto nga mbrapa.
Financat publike
Treguesit fiskal të Shqipërisë po përkeqësohen. Në viti 2008, borxhi publik i vendit ishte 54.7 për qind e prodhimit kombëtar. Vitin e ardhshëm mund të shkojë deri në 62.6 për qind, që do të thotë se në 5 vitet e fundit borxhi i vendit është rritur mesatarisht me 1.6 pikë përqindje per çdo vit. Financat publike të Shqipërisë kanë hyrë në rrugë të paqëndrueshme dhe nëse kjo tendencë nuk përmbyset, barra e borxhit mbi ekonominë do rritet me shpejtësi.
Berisha
Ndërkohë duke folur në mbledhjen e së hënës të grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Sali Berisha ka thënë se buxheti i vitit 2013 do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit dhe do të ketë si përparësi rritjen e rrogave dhe pensioneve. Gjatë fjalës së tij Berisha tha gjithashtu se buxheti i vitit 2013 do të jetë 400 miliard lekë dhe se kjo përbën një arritje madhore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›