“Mega”: Jo koalicion me Dulen, garojmë edhe në Himarë
Kryetari i partisë MEGA, Kristaq Kiço, flet në një intervistë për “Mapo”-n, në lidhje me zgjedhjet e 8 Majit, aleancat politike dhe sfidën për Himarën.
Zoti Kiço, cilat janë synimet e partisë MEGA në këto zgjedhje të 8 Majit? Sipas Kodit, duhet mbledhur një numër i konsiderueshëm firmash për regjistrim kandidatësh në KQZ. A do t’i mblidhni këto firma dhe kur do regjistroni kandidatët?
Synimi i partisë MEGA është që të konkurrojë në të gjitha zonat (komuna apo bashki), ku ka minoritet etnik grek. Janë gjithsej tetë komuna, nga të cilat pesë në rrethet Sarandë dhe Delvinë dhe tre në rrethin e Gjirokastrës. Në këto komuna, ne tashmë kemi bërë përzgjedhjen e kandidaturave për kryetarë dhe kemi depozituar dokumentacionin përkatës në komisionet zgjedhore. Gjithashtu, jemi në procesin e përgatitjes së listave për këshilltarë, ku komunave të mësipërme do t’u shtohen edhe bashkitë e Sarandës dhe Delvinës. Për sa i përket mbledhjes së firmave, në shumicën dërrmuese të zonave të kandidimit, ka pasur këshilltarë të cilët u deklaruan se përfaqësojnë partinë MEGA dhe si rezultat nuk ishte i nevojshëm procesi i grumbullimit të firmave. Njëkohësisht, kandidojnë nga ana jonë tre kryetarë aktualë, të cilët përqafuan idenë tonë që në momentet e para dhe iu bashkuan partisë MEGA.
Pse nuk vendosët të krijonit një koalicion me Partinë Demokratike?
Janë shumë arsye që na detyruan të kandidojmë si parti e pavarur në këto zgjedhje. Por arsyeja kryesore është që ne si parti e re kërkojmë të provojmë forcën tonë në elektoratin minoritar, dhe të japim idenë e ndryshimit dhe të rikthimit të shpresës dhe të besimit në politikë. Besojmë se është zgjedhja e duhur. Është, kuptohet, rrugë e vështirë, po jemi të bindur se do kemi rezultat pozitiv.
Si e konsideroni faktin se PBDNJ-ja mbeti jashtë koalicionit të majtë dhe a e mendoni krijimin e një koalicioni MEGA-PBDNJ?
Nga sa jemi të informuar, shkak është bërë problemi i kandidatit të propozuar nga PBDNJ për Bashkinë e Himarës. Por mendojmë se është më i gjerë problemi. Reagimi i bazës socialiste kundër një bashkëpunimi të tillë, mendojmë se ka ndikuar mjaft në mos arritjen e marrëveshjes. Për sa i përket një koalicioni të mundshëm me PBDNJ-në, ne kemi theksuar se nuk do bashkëpunojmë me asnjë parti. Ne zbresim në këto zgjedhje me alternativën tonë dhe kemi besim se do të arrijmë rezultatin e dëshiruar.
A do të keni kandidatin tuaj në Bashkinë e Himarës, apo do të mbështesni zotin Bollano?
Sigurisht që ne do të kemi kandidat edhe për Bashkinë e Himarës. Besojmë që kandidatura jonë do të jetë më e mirë dhe do të sjellë një politikë dhe frymë të re edhe në Himarë. Synimi kryesor do jetë zhvillimi i zonës së Himarës, si dhe mbrojtja e të drejtave të minoritetit që jeton në atë zonë. Jemi të mendimit se zoti Bollano e ka mbyllur ciklin e vet dhe është koha që në Himarë të bëhet ndryshimi.
Bisedoi: Thimi Samarxhiu