Konsulli i parullës Korça është Vorio Epir, rrezikon burgun për ryshfet
Konsulli grek Theodhoros Ikonomu, nismëtari i parullës Korça është Vorio Epir rrezikon të dënohet nga Gjykata e Athinës me burg pasi akuzohet për ryshfet. Ikonomu dy vjet më parë ndezi reagime të ashpra në Shqipëri, kur deklaroi se Korça është Vorio Epir, ndërsa seanca kundër tij do të mbahet më 16 Shtator. Sipas të dhënave pritet që konsulli Grek të dënohet nga Gjykata e Athinës për korrupsion. Deklarata e Ikonomu, i cili në 2011-ën u bënte thirrje grekëve që jetojnë në Shqipëri, që të mos ngurrojnë të regjistrohen si të tillë, bëri që Ministria jonë e Punëve të Jashtme thirri për sqarime ambasadorin grek në vendin tonë. Tashmë ish-konsulli grek i Korçës, akuzohet për shkelje në dhënien e vizave, kryesisht vizave speciale për homogjenët, në shkëmbim të marrjes së ryshfetit dhe shkelje të ligjit në administrimin e fondeve të Konsullatës. Dosja, që Ministria e Punëve të Jashtme greke i ka paraqitur Prokurorisë greke, përmban rreth 1000 faqe, ku evidentohen me prova shkresore, të gjitha rastet e shkeljeve të ligjit, në dhënien e vizave, si dhe shkeljet e tjera financiare në administrimin e fondeve në Konsullatë.
Gjyqi
Seanca e parë në ngarkim të Theodhoros Ikonomu-Kamarino është zhvilluar në muajin qershor të këtij viti, por gjyqi u shty për më 16 shtator 2013, për shkak të mungesës së dëshmitarit kryesor të palës akuzuese, një diplomati grek, i cili ndodhet me detyrë në Bruksel. Ish konsulli dhe grupimet nacionaliste në Greqi, në disa raste janë përpjekur ta paraqesin Ikonomu si viktimë të qëndrimeve të tij, në mbrojtje të helenizmit në Korçë, por akuzat ndaj ish-konsullit janë për korrupsion. Burime nga Prokuroria thanë se akuzat ndaj ish-konsullit janë konkrete dhe është e vështirë ti shpëtojë dënimit. Gjatë qëndrimit në Korçë, ai është akuzuar ndër të tjera edhe nga shoqata Omonia si përçarës pasi mbështeti fraksionin e drejtuar nga Naum Disho, duke iu kundërvënë drejtuesve kryesorë të Omonia dhe PBDNJ.
Precedenti
Në mbrojtje të ish-konsullit grek të Korçës janë pozicionuar së fundmi me një peticion edhe disa organizata Vorio epirote në Greqi, të cilat vlerësojnë kontributin e Ikonomut për mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të helenizmit voriepirot në Korçë, si dhe kërkohet heqja dorë nga akuzat e pabaza dhe të falsifikuara të segmenteve të caktuara të Ministrisë së Punëve të Jashtme greke ndaj tij. Ikonomu u dërgua për hetim në shkurt të këtij viti, nga ministri i Jashtëm i Greqisë, Dhimitris Avramopulos. Ai e akuzon Ikonomun për ulje të imazhit të Greqisë dhe tejkalim të kompetencave diplomatike, pas deklaratave të tij në Shqipëri, për ekzistencën e Vorioepirit. Ndërsa Konsulli Grek gjendet pas hekurave duke pritur seancën e dytë të Gjyqit më 16 Shtator të gjitha gjasat e provat e Prokurorisë duket se janë kundër tij, pasi dënimi për korrupsion në shtetin helen përkthehet ndryshe deri në 20 vite burg.