Konsultimet për Maturën Shtetërore, gjimnazistët intensifikojnë përgatitjet për provimet

Prej dy muajsh, në të gjitha gjimnazet e vendit ka nisur procesi i konsultimeve me maturantët në kuadër të përgatitjeve për provimet e Maturës Shtetërore 2025.
Në Korçë, gjimnazistët janë angazhuar rregullisht në orë shtesë me mësuesit e lëndëve, duke punuar për të përforcuar njohuritë e fituara gjatë viteve të shkollës së mesme dhe për të eliminuar çdo paqartësi para provimeve.
“Konsultimet i bëjmë në mëngjes. Vijmë në shkollë në orën 7:15 dhe zgjidhim tezat me profesorët e lëndëve përkatëse rreth 45 minuta. Gjatë orës së konsultimeve përsëritim të gjitha ushtrimet që kemi bërë gjatë tri viteve shkollore dhe gjëra të tjera.“
“Shkolla jonë ka rreth dy muaj që ka filluar më përgatitjen e konsultimeve dhe ato i zhvillojmë në çdo lëndë që do të japim provim, përfshirë edhe lëndët me zgjedhje. Janë të rëndësishme, sepse na parapërgatisin jo vetëm për të rikujtuar njohuritë që kemi pasur, por edhe për t’u njohur me strukturën e provimit.“
“Vijmë të martave dhe të enjteve në mëngjes për lëndën e matematikës, duke punuar teza. Kurse në lëndën e gjuhë-letërsisë, përveçse përsërisim autorë të ndryshëm që kemi marrë, punojmë edhe me tezat.“
Maturantët theksojnë se kanë punuar me testet model të Maturës, të cilat i kanë ndihmuar të kuptojnë strukturën e pyetjeve, mënyrën e vlerësimit dhe të përmirësojnë strategjinë e menaxhimit të kohës gjatë provimit.
“Tezat-model ishin të thjeshta. Ishin ushtrime që i kemi bërë, por kishte edhe ushtrime të cilave profesori iu rikthye dhe na u kujtuan edhe një herë.“
Nxënësit e klasave të 12-ta shprehen se këto orë janë tepër të rëndësishme, pasi u japin mundësinë të rikthejnë në vëmendje temat më të rëndësishme, të sqarojnë konceptet e vështira dhe të ndihen më të sigurt, për të garantuar rezultate sa më të mira në provimet përfundimtare.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/