Konteksti i një greve
Kemi parë në këto 18 vjet tranzicion aq shumë greva urie, për aq shumë arsye, shpesh mediokre sa, dashje pa dashje, kjo formë proteste, në mjaft raste, mbart nota folklorike: Nëse do të tregosh se sa seriozisht e merr një çështje të caktuar, bëj një grevë urie! Ndaj, fatkeqësisht, kjo formë proteste shihet me mjaft skepticizëm e shpërfillje nga një pjesë e opinionit publik, qoftë edhe kur bëhet fjalë për sakrifica ekstreme në emër të një kauze tejet të drejtë, si në rastin e minatorëve, kur greva bëhej për bukën e gojës. Por ç’mund të thuhet kur në grevë urie hyjnë deputetët, pikërisht ata të cilët, shihen nga shumë shqiptarë si përfaqësues të njërës prej kategorive më të privilegjuara e të përkëdhelura të shoqërisë shqiptare?
Në këtë pikë është e nevojshme të hapet një parantezë. Duhet sqaruar se, ndonëse deputetët grevistë përfaqësojnë tri forca të ndryshme politike, në aspektin politik kjo grevë nuk do të kishte ngritur peshë nëse në të nuk do të ishte përfshirë LSI-ja. (pra nëse në të do të ishin përfshirë vetëm PDK-ja apo PS91-shi). Prandaj do të ishte më e arsyeshme që një analizë e kësaj greve urie të kufizohej vetëm tek LSI-ja, tek ajo çfarë kjo grevë na tregon për këtë forcë dhe pasojat që ajo do të ketë për partinë e zotit Meta.
Nuk ka ndonjë arsye për të qenë skeptik ndaj përkushtimit e sinqeritetit me të cilin janë futur në grevë deputetët e LSI-së. Por, ama, edhe pa paragjykuar elementin e mësipërm, ka vend për të diskutuar e për të vënë në dyshim kauzën në emër të së cilës e kanë ndërmarrë këta zotërinj këtë hap ekstrem. Sepse, në fund të fundit, kjo grevë nuk ka kuptim nëse nxirret jashtë kontekstit të saj politik, dhe është tejet e vështirë për këdo që i ka ndjekur, qoftë dhe përciptazi, zhvillimet politike në Shqipëri, që të besojë pretendimet se ajo bëhet për ideal, sepse po na rrezikohet demokracia, po vjen fashizmi, etj. Kjo është po aq e besueshme, sa p.sh., pretendimi që bën rëndom, ta zëmë, A. Zheji në emisione televizive: “Unë nuk të ndërpreva!”
Nëse ka një arsye që e ka shtyrë këtë forcë të ndërmarrë këtë hap ekstrem, ajo sigurisht është mjaft më praktike se ç’pretendohet dhe lidhet thjesht e vetëm me interesat e LSI-së dhe dëshirën për të konsoliduar sa më shumë pozitat e saj në arenën politike shqiptare dhe veçanërisht kundrejt PS-së.Natyrisht, deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Por pyetja shtrohet: Sa po e ndihmon kjo grevë LSI-në ta bëjë këtë? Dhe përgjigja kam frikë se është negative.
Arsyeja e parë përse kjo grevë do të kthehet në një bumerang për LSI-në, lidhet me vetë vendimin për të zgjedhur këtë formë ekstreme proteste. Prej disa muajsh, tashmë është bërë e qartë se LSI-ja ka preferuar të përshkallëzojë e radikalizojë qëndrimet e saj. Ndonëse në radhët e kësaj force ka mjaft figura të respektuara, me koherencë qëndrimesh e integritet, si Pëllumb Xhufi, Filloreta Kodra, Edmond Haxhinasto apo të tjerë, me ç’duket kohët e fundit, në LSI po dominon gjithnjë e më tepër një krah radikal e oportunist.
Për të ilustruar këtë mjafton të kujtojmë sjelljen problematike në protestën që u organizua pas vdekjes së Kosta Trebickës, ku LSI-ja bëri çmos të provokonte të gjitha forcat e tjera pjesëmarrëse; apo deklaratat e sulmet me tone dramatike, e gati-gati apokaliptike, të përfaqësuesve të LSI-së, ku spikat ndonjë individ që arrin deri në kërcënime absurde dhe paksa të lajthitura; për të mos folur pastaj për sulmet ndaj ndonjë ambasadori që pati guximin të dënonte këto deklarata.
Sa më sipër, janë shenja se kohët e fundit, LSI-ja vazhdimisht ka zgjedhur konfrontimin përpara dialogut dhe komunikimit dhe, në këtë prizëm, duhet parë edhe greva e urisë. Sepse kjo grevë, më tepër se një lëvizje e zgjuar politike, përbën provën më të qartë se partia e zotit Meta ka humbur qetësinë dhe nuk i mendon më në mënyrë racionale dhe me efekte afatgjata qëndrimet dhe veprimet e saj. Një hap kaq ekstrem sa greva e urisë, po perceptohet me të drejtë nga forcat e tjera politike që nuk e mbështesin atë, si një formë shantazhi politik, që ua bën atyre të pamundur kompromisin. Në fund të fundit, tërheqja e PD-së apo PS-së nga qëndrimet e tyre në lidhje me kodin e ri, do të shënonte një fitore të madhe për LSI-në; një fitore që, për arsye të kuptueshme, asnjëra nuk dëshiron t’ia japë z. Meta. Dhe me të njëjtin problem është përballur edhe zoti Meta, qysh prej momentit kur vendosi të mbyllte të gjitha kanalet e komunikimit në lidhje me Kodin e ri Zgjedhor: ai nuk mund të tërhiqet!
Dhe ndoshta zbutja e toneve dhe disa deklarata të fundit se, në mos për arsye politike, PD-jae PS-ja duhet të marrin parasysh kërkesat e LSI-së për arsye humanizmi, duhen parë si përpjekje të LSI-së për të gjetur një rrugëdalje nga ky qorrsokak ku është futur.
Në fakt (dhe këtë në LSI e dinë) e tërë strategjia që ka ndjekur LSI-ja muajt e fundit – e ku greva s’është veç shfaqja më e fundit dhe ekstreme – për të promovuar interesat e saj, ka çaluar në shumë drejtime, duke u bërë shpesh burim konfuzioni për një pjesë të opinionit. Në mjaft raste është dëshmuar se më tepër se nga logjika e ftohtë dhe maturia, ajo është dominuar nga inati dhe oportunizmi.
Kjo duket fare qartë nëse marrim në shqyrtim mospërputhjen mes pretendimit të LSI-së se ajo është një forcë e ngritur mbi parime e ideale, një forcë që mund të sjellë një frymë të re në arenën politike shqiptare, etj., etj., dhe sjelljeve e qëndrimeve të kësaj force. Dhe, greva, vetëm sa e ka nxjerrë edhe më qartë në pah këtë problem. Duke bashkuar forcat me një parti si ajo e Nard Ndokës, e specializuar si pakkush tjetër në trafik deputetësh, apo PS91-shi, e Petro Koçit, LSI-ja nuk ka bërë gjë tjetër, por veç sa ka vënë shenjën e barazimit mes vetes dhe këtyre dy forcave që një zot e di ç’përfaqësojnë, veç interesave apo hatërmbetjeve të kryetarëve të tyre.
Dhe, këto aleanca groteske, natyrisht e bëjnë edhe më të vështirë për LSI-në gjetjen e një përgjigjeje të kënaqshme për një pyetje që tashmë e mundon prej kohësh një pjesë të madhe të opinionit publik shqiptar: Ç’përfaqëson tanimë LSI-ja, përtej personalitetit politik të zotit Meta?