Kontrabanda akuzat shtuan masat ne treg
Kur ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, akuzonte direkt disa zyrtarë të lartë të qeverisë si të lidhur me kontrabandën e naftës në vend, u duk se tregu i karburanteve do të përfshihej nga furtuna e kontrolleve, ndërsa presioni do të ishte më i madh. Në fakt, kështu ndodhi. Fill pas deklaratave publike dhe dëshmisë së ish-ministrit në prokurori, Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë morën një sërë masash, duke nisur me bllokimin e shitjes së naftës vendase bruto. Kjo lloj nafte do të ishte ekskluzive vetëm për ARMO-n, pra vetëm ky subjekt duhet ta shiste jashtë vendit dhe askush tjetër, duke mbyllur në një farë mënyrë rrugën e abuzimit. Masa tjetër ishte vendosja e taksave të larta për disa nënprodukte që shërbenin si nxitës për evazionin.