Jeff Bridges
Me këmishën me vija jashtë xhinseve, mjekër dhe flokët që i shkëlqejnë, Jeff Bridges duket si një mesoburrë dhe të jep përshtypjen e një njeriu me zemër të mirë. 61 vjeç sapo i ka mbushur, dhe ndodhet në majë të karrierës së tij të dyfishtë. Fituesi i çmimit ‘Oskar’ të këtij viti me filmin “Crazy heart”, sapo ka prezantuar një disk si solist dhe në kinema është protagonist i filmit “Tron: Legacy” dhe “True Grint”, që mban “firmën” e vëllezërve Coen, e që do të hapë Festivalin e Berlinit.
Shumë punë për të gjithë ata që e cilësojnë veten si dembelë...
Nuk është se nuk më pëlqen të punoj, por i urrej angazhimet afatgjata që më ndajnë nga gruaja dhe familja. Në Paris nuk e mora me vete, sepse duhet të përgatitej për fetat e fundvitit. Për familjen tonë të madhe, këto festa janë një ngjarje shumë e rëndësishme .
Si ka ndryshuar “Tron” pas 28 vjetësh?
Ishte rasti më i mirë për të bërë një bilanc personal. Teknologjia e sotme të bën që t’i kesh gjërat aq shpejt sa nuk e kupton se çfarë do vërtet. Të rigjeja veten, ishte një mënyrë për të kuptuar se si e kisha “përdorur” jetën time. E kuptova që isha i kënaqur. Më pëlqejnë eksperimentet, teknologjia. Nuk kam frikë nga e ardhmja, edhe nëse kjo do të thotë të krijosh një aktor virtual: disa lugë De Niro, pak Clint Eastwood dhe disa gllënjka Bridges. Kaq duhen për të krijuar aktorin perfekt.
Ju jeni i martuar prej 32 vjetësh dhe akoma i thërrisni gruas suaj Susan, “zemër”?
Në të vërtetë, duhet ta përmend në titrat e filmave që unë interpretoj, se sa më mbështet dhe kujdeset për mua. Në portofol kam akoma foton kur i kërkova të dilja për herë të parë me të dhe ajo m’u përgjigj jo. I kishte sytë e ënjtur dhe hundën të thyer si pasojë e një aksidenti, por prapë ishte shumë e bukur. Foton ma tregoi dhjetë vjet më vonë një miku im. Që atëherë e mbaj gjithmonë me vete.
Në moshën 22-vjeçare ju ishit kandidati më i ri për ‘Oskar’ me filmin “The Last Picture Show”, i Bogdanoovich. Por, çmimi erdhi vetëm në moshën 60-vjeçare. Si ju ka ndryshuar karriera?
Më e bukura është se njerëzit, pasi fitova çmimin “Oskar”, nisën të interesoheshin për karrierën time si muzikant. Më intereson po aq sa ajo e aktorit. Vitin e kaluar gjeta veten në muzikën e “Crazy heart”. Me T-Bonr Burbett kemi bërë gjashtë muaj prova. Ishte një muzikë shumë e bukur, ju betohem. Për më tepër, kolona zanore e Ryan Bingham, “The weary kind” në filmin “Crazy heart”, meritonte të fitonte “Oskar”. Edhe pse në moshën 61- vjeçare, vendosa të shkoj në tur me bandën ime. Sigurisht, do të luajmë muzikë country-rock.
Ju vini nga një familje artistësh...
Babai im, Lloyd ishte kaq i zoti në serialin televiziv “Sea Hunt”, sa njerëzit e identifikuan me personazhin. Për të u shndërrua në diçka të bezdisur. I detyrohem shumë. Dëshira e tij e madhe për të qëndruar gjatë në sheshin e xhirimeve ishte ngjitëse. Jam një simbol i nepotizmit hollivudian. Im atë, sapo mundi më futi mua dhe vëllain tim, Beau në xhirime. Në fillim nuk isha fare i bindur. Preferoja muzikën, pikturën, fotografinë. Edhe sot e kam të vështirë të gjej një përcaktim për veten.
Ju jeni protagonist i një klasiku kinematografik siç janë filmat ‘western’, një zhanër që konsiderohej i vdekur prej kohësh?
“Heaven's Gate”, i Michael Cimino, ishte filmi i fundit i vërtetë ‘western’, që për më tepër rezultoi edhe një katastrofë nga pikëpamja ekonomike. Më kujtohet se sa shumë kritika kemi marrë. Pastaj erdhi Clint Eastwood me filmin “Unforgiven”, që i dha sërish shkëlqimin kësaj kategorie filmash. Megjithatë, “The true Grint” nuk është një ‘western’, është një film tipik i vëllezërve Coen. Të dy vëllezërit si fillim më lanë detyrën që të lexoja librin “Një burrë i vërtetë për Hattiee Ross”, të Charles Portis dhe mbi atë u bazuam.
Nuk ju ka rënë kurrë rasti të debatoni me vëllezërit Coen?
Kurrë. Maksimumi i debatit ka qenë në sheshin e xhirimeve të “Big Lebowski”, për një skenë me Drugon: për Ethanin duhej të qante, për Joel duhej të reagonte me një të qeshur të madhe. Pastaj panë njëri-tjetrin në sy dhe thanë: “OK, le t’i xhirojmë të dyja”. Gjithçka përfundoi aty... është e pabesueshme harmonia e tyre. Unë e dua vëllain tim Beau, e kam drejtuar edhe në një film, por nuk do të mundesha kurrë të xhiroja bashkë me të. Ajo që na pëlqen është që të luajmë së bashku në ndonjë film. Jemi duke pritur...
Vëllezërit Coen kanë folur për rikthimin e “Big Lebowski”?
Jo, por unë shpresoj shumë. Më pëlqen shumë që Joel dhe Ethan punojnë me të njëjtën trup prej një dhjetëvjeçari. Më duket sikur jam në familje. Unë jam dashuruar shumë pas atij personazhi. Mendo që atë kohë nuk isha as i sigurt nëse doja ta bëja, për shkak të drogës dhe alkoolit. Kur filmi doli në Amerikë nuk pati ndonjë sukses të madh. U prit më mirë në Europë. Me më shumë entuziazëm. Gjëja me e bukur ishte të luaja muzikë në një festival fansash të “Big Lebowski”.
Si janë vëllezërit Coen?
Më pëlqejnë filmat e tyre, por nuk besoja se kishin edhe një filozofi jete. Kohët e fundit kam takuar një mësues “zen”, një ndër më të mëdhenjtë e Amerikës. Më tha se Drugo është konsideruar një “mësues” dhe më shpjegoi shumë gjëra që qëndronin në zemër të personazhit. Atëherë e kuptova se vëllezërit Coen kishin një filozofi për jetën, edhe pse nuk më kishin folur kurrë për të.