Kontrabanduesi ik nga policia, lëndon katër persona

L.H, 23 vjeçar banor i Mitrovicës derisa po qarkullonte në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë me mall të kontranbanduar në ikje nga Policia ka aksidentuar katër persona.
Ngasësi i veturës ‘Golf 5’, më pastaj ka braktisur automjetin e tij duke u arratisur në këmbë.
Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës njoftoi se sot, rreth orës 09:00, zyrtarët policor të trafikut rrugor të rajonit të Mitrovicës, kanë identifikuar një automjet të dyshuar të tipit “Golf 5”, ngjyrë e zezë, me targa të Republikës së Kosovës, i cili po qarkullonte në rrugën magjistrale Prishtinë–Mitrovicë, ndërsa ngasësi i dyshuar i veturës, nuk ishte ndalur në pikën e kontrollit policor.
Automjeti i dyshuar për aktivitete të kontrabandës, është vërejtur nga njësitë e trafikut rrugor, pasi zyrtarët policor paraprakisht posedonin të dhëna të mjaftueshme për qarkullim të automjetit të dyshuar, i cili po lëvizte nga drejtimi i Prishtinës në drejtim të Mitrovicës.
Ngasësi i automjetit, “Golf 5”, fillimisht nuk kishte përfillur urdhrat e dhënë të policisë në sinjalizimin e ndaljes, në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë, dhe i njëjti ka ngritur shpejtësinë e automjetit të tij duke vazhduar në drejtim të rrugës magjistrale Mitrovicë.
Njësitë e trafikut rajonal, kanë tentuar që, në së paku, edhe tri lokacione të tjera të ndalojnë veturën e dyshuar, dhe atë, në Vushtrri, në afërsi të “Kosova Petrollit” dhe në afërsi të hotelit “Palace” në Mitrovicë, ndërsa i dyshuari ka vazhduar ikjen e tij.
Në pamundësi të shmangies së tij nga ndjekja efektive e policisë, ngasësi i veturës së dyshuar, ka ngritur edhe më, shpejtësinë ndërsa ka humbur kontrollin mbi automjetin e tij, me ç’rast ka goditur nga prapa një veturë tjetër, tip “Fiat pick-up” duke e rrokullisur të njëjtën, në anën e djathtë të drejtimit të lëvizjes.
“Besohet se vetura “Fiat pick –up” gjatë rrokullisjes, është përplasur në një biçiklist dhe një këmbësor, përskaj rrugës.
Në automjetin ‘Golf 5’, policia ka identifikuar sasi të cigareve të dyshuara të kontrabanduara”, thuhet në kumtesë.
Gjithsej katër persona, dy në veturën “pick-up”, një biciklist dhe një këmbësor, të goditur nga i dyshuari me veturë, kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar fillimisht qendrën spitalore në Mitrovicë, për tu transferuar më pas në QKUK, Prishtinë.
Policia ka regjistruar rastin si vepër penale të rrezikimit të trafikut publik, të aksidentit me lëndime si dhe vepër e dyshuar për kontrabandë me mallra, ndërsa prokurori i prokurorisë themelore në Mitrovicë, është informuar për të gjitha veprimet e ndërmarra të policisë.
Policia e Kosovës është në kërkim dhe ndjekje të dyshuarit./Indeksonline/