E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi: Ilaz Kodra, vigan i luftës çlirimtare

Me rastin e 14 vjetorit të rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, Kuvendi i Kosovës, ka mbajtur sot një seancë solemne në nderim të tij dhe të gjithë dëshmorëve të pjesëtarëve të Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci”.

Kryeparlamentari Krasniqi vlerësoi lartë veprën heroike të komandantit Ilaz Kodra, duke e quajtur emrin e tij “mishërim i idealit të lirisë, guximit dhe heroizmit vetëmohues”.

“Ilaz kodra njëri ndër bashkëluftëtarët e orëve të para të komandantit Adem Jashari, kishte qartësi për rrugën që duhet ndjekur për arritjen e aspiratës shekullore e legjitime të popullit të vet. Ai e ngriti e bëri të lavdishme brigadën 114, e tërë vepra e organizimit politik dhe ushtarak të Ilaz Kodrës është e mbushur me veprime të mençura dhe të guximshme”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi, kujtoi se dëshmorët e lirisë ranë për një shtet sovran, ligjor dhe demokratik.

“Kujtimi për dëshmorët është dëshmi e shpirtit fisnik por detyrë patriotike dhe morale e çdo qytetari. Atdheut tonë i duhet fuqia mobilizuese e jetës së re demokratike, i duhet mendja e qytetarëve të ndërgjegjshëm për ta radhitur Kosovën në radhët e vendeve të përparuara”, ka shtuar Krasniqi.

Seanca përkujtimore është mbajtur me kërkesë të deputetëve Blerta Deliu-Kodra dhe Bekim Haxhiu, mbështetur edhe nga 5 deputetë tjerë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›