Kontraste historike/Mendësia totalitariste, recidiv i komunizmit vetëm në Shqipëri
Vendi ynë ka pasur fatkeqësinë të ketë përjetuar një shpëlarje të trurit, veçanërisht pas destalinizimit, (1957 e më tej, Kongr. XX, XXI e më tej në B.S.), si në asnjë vend tjetër të botës. Le të përmendet një vend tjetër në të gjithë Europën, pa përjashtuar edhe kontinentet e tjera, kur Sekretari I i K.Q. të P.P. (komuniste) të vendit tonë, E. Hoxha, të ketë sunduar gjer në ditën e vdekjes, në prill të 1985-s, si stalinist! 30 vjet stalinizëm, pas shpalljes së krimeve të Stalinit në gjallje të diktatorit, dhe 5 vjet të tjera (në kohën e R. Alisë) kur në mbarë botën Stalinit i ishin rrafshuar statujat, me përjashtime që nuk arrinin as në gishtërinjtë e njërës dorë...te ne diktatorit sovjetik iu ruajtën ende shtatoret gjer në rrafshimin nga uragani popullor, bashkë me ato të diktatorit Enver Hoxha.
Ky pasqyrim historik ka edhe disa veçori interesante: Përse kulti i individit të Enverit pësoi rritje gjer në zenit, - më metoda të përgjakshme staliniste, natyrisht, - ndërsa Stalinit i mbetën vetëm statujat, por emri i tij u vak gjer në fikje, edhe nga vetë E.H.-a! Sepse Stalini ishte komprometuar ndaj nesh gjer në quajtjen e Shqipërisë si një plaçkë tregu për interesat e tij, kur dolën publikisht dëshmitë e M Gjilasit, E. Kardeljit, Didierit e të personave të tjerë, në kontakt me Stalinin. Veçanërisht Milovan Gjilasi është tepër i besueshëm për pikëpamjet e tij antistaliniste, antititiste dhe pluraliste, duke pësuar edhe burgjet e regjimit të Titos. Libri i tij “Fytyra e totalitarizmit” është përkthyer edhe në shqip, 7 vjet më parë. Ajo shprehja e “gëlltitjes” nga ana e Jugosllavisë, të Shqipërisë, me kusht që Tito të mos i shmangej Kampit Socialist, është dëshmia e turpshme e E.H.-s të shkelmimit të interesave kombëtare, të cilat i duheshin flijuar interesave vetjake të diktatorit tonë, për pushtet absolut. Kjo është arsyeja “Le t’i mbeten ‘vetëm’ statujat” despotit të Kremlinit meqë, sipas vetisë kalimtare matematike, do të dilte edhe diktatori ynë antishqiptar, siç ishte Stalini. Dhe, që të zbresim në terrenin praktik, kuptohet edhe prapështia e Edi Ramës që të fuste në koalicionin e tij katër parti enveriste, kryetarët e të cilave propagandonin haptazi ngritjen sërish të statujës së antishqiptarit E. Hoxha! – me krime të panumërta, ku përfshiheshin édhe njerëz të pafajshëm, të vrarë me gjyq e pa gjyq.
***
Simon Vizentali (1908 – 2005) ishte ndër të mbijetuarit e kampeve të përqendrimit të nazizmit. Si përjetues i tmerreve të Holokaustit, krijoi një fondacion për t’i zhbiruar të gjithë keqbërësit e kampeve hitleriane të përqendrimit. Ai gjente provat e krimeve dhe ia dorëzonte gjykatës. Motoja e tij ishte “drejtësi dhe jo hakmarrje”. Më 31 dhjetor të vitit 2008, 3 vite para vdekjes, do të festohej 100-vjetori i lindjes së tij. Është dekoruar mjaft herë për veprimtarinë e tij të përkushtuar. Kujtimet e tij, që lidhen me këmbënguljen e vet për t’i çuar para gjyqit mëkatarët, janë shumë të vlerësuara. "Kuptimi i punës sime është paralajmërimi për vrasësit e së nesërmes, të cilët kanë lindur ndoshta sot. Ata kurrë nuk do të kenë qetësi. Në qoftë se nuk i paralajmërojmë me kohë, atëherë miliona njerëz kanë lindur kot". Kështu e ka formuluar Vizentali njërin prej qëndrimeve të veta. Ai ishte zëri i të mbijetuarve të Holokaustit dhe i viktimave të tjera të nazizmit. Në vitin 1945 ai u lirua prej forcave amerikane nga kampi i Mathausenit, në Austri. Pas luftës sërish e gjeti gruan e tij Cyla, por të gjithë familjarët e tjerë kishin rënë viktimë e Holokaustit. Që në vitin 1945 Vizentali, me kërkesë të SHBA-ve, filloi të hetojë kundër kriminelëve të luftës, duke përdorur edhe përvojat e kujtimet e veta. Dy vjet më vonë, së bashku me disa të mbijetuar tjerë, ai themeloi në Linz një Qendër për Dokumentacionin e krimeve ndaj viktimave europiane. Në vitin 1961 në Vjenë u themelua "Qendra e dokumentacionit", një zyrë e vogël ku mblidheshin të dhënat dhe dëshmitë për krimet e bëra. Në vitin 1977 u themelua një institucion i ngjashëm edhe në Los Anxheles. Vizentali ka mundësuar kapjen e kriminelëve shumë të njohur, si Adolf Ajkmani, i cili në vitin 1961 u gjykua në Jerusalem, në një kabinë xhami antiplumb, nga druajtja se mos e vrisnin, - kaq e fortë ishte urrejtja për të. Po ashtu është meritë e fondacionit të tij zbulimi i komandantit të kampit të Treblinkërs, Franz Stanglit, si edhe i Hermine Braunshtajnerit (Braunsteinerit), e cila ishte përgjegjëse për vdekjen e qindra fëmijëve në Majdanek. Simon Vizentali e quante veten "hulumtues" dhe luftëtar kundër harresës. “Ai kishte hulumtuar për gjashtë dekada dhe ka mbledhur dokumente kundër kriminelëve. Para pak ditësh dëgjuam në lajmet se ishte zbuluar një kriminel tjetër nazist, sipas indikacioneve të Vizentalit. Një lajm tjetër, po nga Gjermania: Një mësues u pushua nga puna, për shkak të një propagande raciste, me frymëzim nga Hitleri. Gjermania e pasluftës, për meritë të demokratit të madh Konrad Adenauer, jo vetëm që ka shpëtuar njëherë e përgjithmonë nga naziskinët, por edhe nga ai rreziku i terrorizmit të kuq, me emërtimin Brigadat e Kuqe, që e kishin përparësinë në Itali. Para vdekjes së Stalinit (1953), Brigadat e Kuqe italiane krijuan një periudhë të rrezikshme, sidomos me grabitjen dhe vrasjen e Aldo Moros. Por brigadistët u zunë dhe iu paraqitën gjyqit. Lëvizja e terrorit të kuq u fashit përkohësisht në Itali, por patën një zgjim të përkohshëm me atentatin ndaj profesorit universitar të ekonomisë, Marko Biaxhit. Ky ‘zgjim’ nuk e pati të gjatë. Dhe sot demokracia italiane, përveç problemeve që kanë të bëjnë me recesionin ekonomik, që kalon edhe kufijtë e Europës, nuk ka më rreziqe të tjera, qoftë të totalitarizmit nazist, qoftë edhe të atij komunist. Kurse Greqia, për shembull, jo vetëm që është përfshirë në hallet e krizës ekonomike globale, sikundër edhe Spanja, Portugalia etj. gjetiu, por janë ngritur në vendin jugor kufitar me né edhe koalicione që pasqyrojnë të djathtën e skajshme, por edhe të majtën ekstreme. Kjo është kritikuar në të gjithë komunitetin europian, por edhe në atë atlantik. Meqë erdhëm në këtë pikë, në vendin tonë kemi vetëm të majtë ekstreme. Është pikërisht kjo që përftoi revolucionin bolshevik të vonuar (1997), që vuri foton e diktatorit E. Hoxha në internierët e ministrisë së Jashtme (1998) pa e çarë kokën për protestat e përditshme përballë kësaj ministrie nga ana e ish-të përndjekurve politikë, gjer në ultimatumin e njohur të zonjës Doris Pak: - “E tepruat!”. Gjermania dhe Italia kanë pasur shansin që të kishin edhe demokratë të shquar si Adenaueri, De Gasperi dhe, në Francë, Shumani, baballarë të Bashkimit Europian. Ata njihen si kozmopolitët e fundit vizionarë të Europës që e merituan këtë emërtim. Pastaj kozmopolitizmi u zvetënua, sepse u përdor keqazi nga majtistë djallëzorë e hipokritë, për të zëvendësuar ‘internacionalizmin proletar’, në kushtet që këtij nocioni i kishte dalë boja. Për shembull, mund te mbahet mend ajo pyetja që iu bë nga një gazetar E. Ramës, nëse ishte nacionalist. - Unë jam kozmopolit! - qé përgjigja. Në të vërtetë ai nuk ishte as antikomunist, as komunist, por mund të ishte vetëm internacionalist, siç u provua më vonë që mbeti ithtar i vetëm tri partive të së majtës europiane: Të Venizelosit, të Ajalës dhe të...vetvetes! Këto mbajnë emrin e Partive Internacionale të së Majtës. Veçse të gjitha partitë e tjera të së Majtës europiane, që i kanë prerë urat me ato tri të tjerat që u përmendën e që përbëjnë shumicën absolute, quhen Partitë e së Majtës Progresiste. Por Edi mbase ngushëllohet me atë thënien: “Më mirë i pari në fshat sesa i fundit në qytet”. Sepse, për njohjen e atyre që s’e dinë, E. Ramën, Venizellosi dhe Ajala e kanë kooptuar si nënkryetar. Pra, as ‘i zgjedhur’ nuk mund të quhet!
Për t’i mbyllur këto kontraste historike në vendin tonë, do të theksojmë një paradoks tjetër: Përzgjedhja e totalitarizmit të kuq! Enveristët e vendit tonë, si ata intelektualë (historianë, propagandistë, etj.) ashtu edhe ata militantë (afaristë të majmur nga privilegjet e mëparshme dhe nga uzurpimet e tanishme, por edhe keqbërës, (ish-sigurimsa, operativë, drejtorë kampesh të përqendrimit etj.) e kuptojnë se të dy totalitarizmat janë e keqja e madhe sociale e sh. XX. Por vetëm në Shqipëri kërkojnë një dallim preferencial të totalitarizmit të kuq! Mbase se totalitarizmi nazifashist, gjatë pluralizmit, nuk ka pasur ndonjë parti nazifashiste në vendin tonë. Sa për parti enveriste e propagandë enveriste, ajo nuk ka reshtur asnjëherë. Madje ka pasur P. Komuniste edhe në zgjedhjet e 2009-s, edhe në ato të tanishmet (2013-s), ndonëse në kushtet për miratimin zyrtar të partive, ekziston një paragraf me kete përmbajtje: “Ndalohen programet kundër pluralizmit, me frymëzim nga regjimet nazifashiste si edhe nga regjimet komuniste”. Në vendin tonë nuk u paraqit në ministrinë e Drejtësisë asnjë program me frymëzim nazifashist. Por programi i të ndjerit H. Milloshi u paraqit se do të respektonte pluralizmin dhe nuk do të bënte propagandë ndaj diktaturës së para ndërrimit të sistemeve, formalisht. Në të vërtetë nuk vonoi panegjirizmi ndaj E. Hoxhës, me fotot dhe me lavdet si në Konferencat e Pezës (në 16 shtatorët e festës) etj. Dhe, meqë përmendëm kryetarin e ndjerë, le të citojmë edhe thënien e tij të sinqertë: “Votat m’i vodhi Edi Rama dhe jo Sali Berisha”. Edhe njëri ndër katër krerët partiakë të partive komuniste në këto zgjedhjet e fundit u shpreh publikisht për E. Ramën: “Edhe na pranoi në koalicionin e tij, édhe mua më thirri dhe më tha që të votonim për 29-n, domethënë për PS-në! Ja, sesi ra poshtë, si gjethe fiku, ajo isoja e përhershme e atij që merrej vetë me këto punë! Zgjedhjet provuan se ai do të ishte sot, sërish, në opozitë, pa votat e aleancës me partinë që paskësh katërfishuar votat, gjë që zgjoi debate për zarfe dhe, madje, për lavatriçe...
Po e mbyllim me një të dhënë interesante: Xhorxhio Almirante dilte në seancat e zgjedhjeve të para pluraliste në Itali, duke salutuar romanamente, si në kohën e Musolinit! Por nuk qé veçse fare e përkohshme, se nuk u rizgjodh. Koha tregoi se turbullirat e përgjakshme të tejmasshme në Itali nuk i kryen ndjekësit e Almirantes, por Brigadat e Kuqe. Totalitarizmat në botën demokratike janë të ndaluara në mënyrë kategorike, pa dallime – i kuq, apo i zi, apo me kryqin e thyer në mëngë. Po te ne?