E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhja e Bashës si analizë e humbjes dhe prelud i fitores së afërt të demokratëve

27-07-2013 / Nga Genc Juka

Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit prodhuan një rezultat negativ për Partinë Demokratike si dhe për të djathtën në tërësi, duke përmbyllur kështu qeverisjen 8 vjeçare dhe kalimin në opozitë. Më shumë se një rotacion pushteti, një rutinë politike normale në demokraci, ajo që mbetej shqetësuese për demokratët ishte rezultati që diktoi vota e qytetarëve. Një rezultat të cilin Partia Demokratike s’e ka marrë si formë ndëshkimi as në vitet e saj më të vështira, si p.sh viti i trazirave të ‘97-ës. Domosdo, përveç pjekurisë demokratike që PD tregoi me njohjen e humbjes së zgjedhjeve, krahas disa peripecive në 2 qarqe zgjedhore, që më pas u faktuan se kishte manipulime sidomos në Lezhë, kjo padyshim që nuk e kaloi në plan të dytë procesin e zgjedhjes së lidershipit të ri demokrat dhe më pas bërjen e analizës së humbjes. Lideri historik i demokratëve, kryeministri Sali Berisha mori përsipër humbjen dhe u dorëhoq nga të gjitha funksionet në PD, 3 ditë pas zgjedhjeve. Anëtarësia demokrate s’e pranoi dorëheqjen, por reflektoi përballë tablosë së ofruar nga vota e 23 qershorit dhe garancive që lideri i demokratëve përcolli se, do të jetë midis demokratëve, në betejën e tyre për rikthimin e fuqishëm. Dhe nga këtu e la zgjedhjen e lidershipit të ri demokrat në dorë të mbi 100 mijë anëtarëve zyrtarë të PD. Për të mos krijuar dyshimet e ndërhyrjes në proces, ai dha dorëheqjen nga çdo post në selinë blu. Por, Sali Berisha ishte i vetëm në këtë sipërmarrje. Asnjë prej drejtuesve demokratë, edhe pse ishte konsumuar 23 qershori dhe kishte një qëndrim zyrtar të PD, për të njohur disfatën, asnjë prej tyre nuk dha dorëheqjen. Zgjodhën rrugën e pisët, duke influencuar dhe kërcënuar anëtarësinë demokrate, për orientimin e votave për një nga dy kandidatët në garë. Denoncimet e bëra në Durrës, Korçë, Kukës dhe Pukë ngritën alarmin se, zotërinjtë e padorëhequr nga funksionet në PD, po diktonin zgjedhjet në PD. Gjithsesi, anëtarësia demokrate, në 22 korrik, u tregua e mençur dhe u rezistoi presioneve që vinin nga njerëzit që mbi supe kishin barrën e humbjes elektorale, duke votuar fuqishëm Lulzim Bashën, kandidatin që, në vlerësimin e demokratëve afron fitoren e ardhshme dhe është një sfidant serioz i provuar ndaj rivalit socialist, Edi Rama. Lulzim Basha është zotuar se do të afrojë Partinë Demokratike me anëtarësinë, PD do të jetë më e hapur dhe më pranë demokratëve. Ka premtuar për rritjen e fuqisë vendimmarrëse të demokratëve me qëllim krijimin e një standardi të ri në politikën shqiptare. Kjo padyshim që është një garanci solide për rritjen e fuqisë së demokratëve dhe automatikisht shëndoshjen e Partisë Demokratike. Ky proces, siç ka premtuar z.Basha do të kalojë përmes një analize të hollësishme dhe gjithëpërfshirëse postzgjedhore, me synim evidentimin e problemeve që shoqëruan PD-në gjatë 8 viteve në pushtet, të cilat kulmuan me humbjen e 23 qershorit. 

Por, ky fakt ka zgjuar nga gjumi i thellë disa elementë që, siç po kuptohet paskan asistuar humbjen e PD-së. Sot, disa syresh dalin në studiot e televizioneve, ose shfrytëzojnë faqet e gazetave për t’iu shmangur analizës së humbjes, për t’iu shmangur përgjegjësive që prodhoi atë rezultat dërrmues. Kjo është forma më e shëmtuar për brejtësit 22 vjeçarë të PD, rruga më fatkeqe që një politikan ka zgjedhur për të mbijetuar në PD. Dhe ky soj është i shumtë në numër, aq i shumtë sa papërgjegjshmëria dhe arroganca e tyre, solli atë që çdo demokrat nga jugu në veri dhe nga lindja në perëndim, edhe sot e kësaj dite s’arrin ta besojë. Pse? Sepse Partia Demokratike është forca politike që bart vlerat europiane të demokracisë në veprim; është forca politike që rrëzoi regjimin komunist dhe solli pluralizmin; është forca politike që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës atëherë kur nuk e imagjinonte askush; është forca politike që përmbylli MSA-në; është forca politike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO atëherë kur më shumë se gjithçka veç kjo nuk imagjinohej dhe kur më tepër Edi Rama organizoi një protestë në qendër të Tiranës kundër anëtarësimit në aleancën politiko-ushtarake më të fortë në botë; është forca politike që bëri të mundur liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë me të gjitha vendet e “Schengen”-it. Sikurse, është forca politike që e afroi Shqipërinë në derën e Bashkimit Europian, por bllokatorët me forcën e tyre të bllokimit ia mohuan vendit statusin e vendit kandidat për 3 vite radhazi. Është forca politike i dha Shqipërisë rritjen ekonomike, dyfishimin e pagave dhe pensioneve dhe një nga rrjetet infrastrukturore me moderne jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Ndaj, PD shkon në opozitë me një background për t’u admiruar në 8 vitet e qeverisjes së vendit. Por, sfidë për momentin mbetet analiza, zgjedhja e strukturave të reja dhe përcaktimi i direktivave opozitare për kursin e ardhshëm politik. Kjo duhet bërë përmes respektimi të disa rregullave demokratike duke filluar nga vlerësimi i kualiteteve të vërteta në PD, angazhimi i asaj elite që prodhon energji pozitive për të cilat PD ka shumë nevojë si dhe duke gjallëruan konkurrencën e brendshme dhe përligjen e debatit. Krijimi i kësaj strukture politike moderne në tërësi, është një garanci e fuqishme për shpalosjen para shqiptarëve të një alternative konstruktive dhe të besueshme. Duke i shtuar kësaj dhe guximin e vullnetin e liderit demokrat të sapozgjedhur, Lulzim Basha fitorja e ardhshme do të jetë një realitet i afërt.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›