E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kontrata e lobimit të PD, Rama: 6 mln dollarë për të pastruar damkën “non grata”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kontratës së Partisë Demokratike për lobim me një kompani amerikane, me një vlerë prej 6 milionë dollarësh.

Në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama e cilësoi këtë marrëveshje si një përpjekje për të “pastruar damkën” që Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur liderit të opozitës, Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga Departamenti i Shtetit për korrupsion dhe minim të demokracisë.

“Kontrata patriotike që u shfaq befasisht, si një ndihmë besoj unë, ndihmë e çmuar, për të gjithë ata që nuk kanë dashur të shikojnë dhe të dëgjojnë. Nëse duan të kuptojnë tani e kanë para syve një shëmbëlltyre që të gjithë përrallat që kanë dëgjuar dhe kanë dashur të besojnë. Janë mbledhur disa “patriotë” që nuk dihet kush janë, që nuk janë për hir të vërtetës, dhe kanë grumbulluar 6 mln dollarë për të pastruar damkën e bufit të kënetës, damkën që SHBA i ka vënë për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë”, tha Rama.

Kryeministri ironizoi edhe deklaratat e mëparshme të liderit të opozitës Sali Berishës, i cili ka akuzuar Ramën dhe George Soros për një “komplot ndërkombëtar” ndaj tij, për vendosjen e “non gratës”.

“Pse duheshin këto 6 milionë dollarë për të hequr një damkë, nëse ajo do të ishte thjesht pjesë e një komploti? A nuk u tha se sapo të vinte Trump në Shtëpinë e Bardhë, drejtësia do të vihej në vend?”, vijoi Rama.

Ai e krahasoi këtë marrëveshje me një rast të mëparshëm të kryetarit të atëhershëm të PD-së, Lulzim Basha, i cili ishte përballur me akuza për një kontratë lobimi prej 500 mijë dollarësh.

“Kjo kontratë 6mln dollarë është ku e ku më lebetitëse se ajo e Lulit të shkretë që u bë copash për të justifikuara ato 500 mijë dollarët fantazmë se dhe ai ashtu tha “disa patriotë”. Po ai 500 mijë kishte, kurse këto janë 6 mln dollarë që janë pjesë e zjarrit patriotik që është sjellja e Latifit në Tiranë për t’i vënë kapelën bufit në kokë që të duket si Trump. Latifi ka marrë pjesën e tij në ato 6 mln dollarë që kanë dalë nga barku i kënetës dhe synojnë të realizojnë atë që na u tha se ishte një gjë e realizuar”, tha Rama.

Më herët, lidhur me kontratën e lobimit mes PD dhe një kompanie amerikane, ku vlera e saj kap shifrën e 6 milionë dollarëve, ka nisur verifikimet edhe Struktura e Posaçme Anti Korrupsion.

Ndërkohë, kontrata është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, dhe shqiptaro-amerikani Nuredin Seçi, në emër të koalicionit “Për Shqipërinë Madhështore”. Sipas njoftimit të PD-së, pagesa për këtë marrëveshje do të kryhet përmes fondacionit “Make Albania Great Again”, i financuar nga anëtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›