E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata e re e energjisë, CEZ kundër ndryshimeve të kërkuara nga ERE

TIRANË- Kompania CEZ ka kundërshtuar pjesën dërrmuese të ndryshimeve të propozuara nga Enti rregullator i energjisë për kontratën e re të energjisë elektrike. Në seancën e hapur dëgjimore, përfaqësuesit e CEZ kanë shpjeguar se nuk mund të bëhet dëmshpërblimi i qytetarëve në rast të luhatjeve të tensionit apo ndërprerjeve të energjisë për shkak të gjendjes së amortizuar të rrjetit. Ata janë shprehur edhe kundër uljes së vlerës së kamatvonesës, si dhe pezullimit të pagesës nga ana e qytetarëve kur ka mbifaturim.

“Ne sygjerojmë që në draftin aktual të përfshihet propozimi jonë që afati i ekzekutimit të detyrimit të parashikuar për konsumatorët të jetë 30 ditë nga lëshimi i faturës. Ne mëshojmë në faktin që kamatëvonesa duhet të jetë në nivelin aktual të parashikuar, nuk synojmë të nxjerrim të ardhura nga kamatëvonesa, por ndikon efektivisht në ndërgjegjësimin e abonentëve për ekzekutimin në kohë të detyrimeve. Lidhur me pezullimin e faturave që rezultojnë dukshëm me nivele jo reale. Pezullimi i tyre do conte një sinjal të gabuar tek konsumatorët, ata do bënin kërkesa pafund me qëllim për t’ju shmangur detyrimeve”, u shpreh Aurora Alimadhi, drejtore juridike në CEZ.

Për momentin është e domosdoshme që të lihet kuadri aktual ligjor që ne kemi. Në qoftë se ka ankime nga ana e konsumatorëve këto mund të zgjidhen në gjyq”, tha Admirim Lakra, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes në CEZ.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e entit rregullator të energjisë kanë deklaruar se kontrata e re synon të vendosë në kushte të barabarta kompaninë CEZ me klientët e saj. Ne kërkojmë që të vendoset një barazpeshë midis detyrave të konsumatorit dhe të furnizuesit, që të dy të jenë në pozita të barabarta për respektimin e kushteve”, tha Agim Nashi, përfaqësues i ERE.

Brenda një muaji, pas seancës publike bordi i komisionerëve do të kryejë miratimin e kontratës. Kontrata është parashikuar të hyjë automatikisht në fuqi në 1 janar 2012”, u shpreh Entela Cipa, përfaqësuese e ERE.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›