E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrata nuk varet nga titujt

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se vazhdimi i kontratës së tij me klubin nuk varet nga sa tituj do të fitojë ekipi deri në fund të sezonit.

Marrëveshja aktuale e Guardiolas me gjigantin katalan është e paraparë të skadojë në verën e vitit të ardhshëm, ndërsa skuadra nga Nou Camp ka fituar tre tituj deri tani gjatë këtij edicioni; Superkupën e Spanjës, Superkupën e Evropës dhe Kampionatin botëror të klubeve.

“Njerëzit nuk duhet të brengosen rreth kontratës time, e di se çka bëj. Mundem vetëm të them se marrëveshja e re nuk varet nga numri i titujve. Pasi të vendosi, i pari që do të kuptojë është presidenti i klubit Sandro Rosell”, tha Guardiola për mediet spanjolle.

Strategu katalan theksoi se nuk i pengoi komenti i trajnerit të Real Madridit, Jose Mourinho, i cili kishte thënë se Botërori i klubeve është garë e parëndësishme, ku luhen disa ndeshje të vogla.

“Mourinho me siguri ka dashur të na urojë dhe unë i falënderohem për këtë. I kushtohet rëndësi të madhe deklaratave të tij, ndërsa dihet se mund të flet çka do që dëshiron. Për diçka kishte të drejtë, Liga e Kampionëve është më e rëndësishme se Botërori i klubeve”, përfundoi Guardiola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›