E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bledar Devolli: Fitoren e dua me goeladë

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Lideri i gjirokastritëve, Bledar Devolli, thotë se kuksianët as nuk duhet ta mendojnë se mund të marrin pikë në Gjirokastër

Në Gjirokastër, edhe pse Luftëtari këtë sezon nuk luan në superiore, është krijuar një atmosferë e përafërt me atë të vitit 1978, kur ky ekip ishte mjaft tronditës në futbollin kombëtar. Kjo jo vetëm për faktin se në inferiore luajnë krahas tij edhe Elbasani, Besa e Lushnja, por sepse edhe dy ndër tri ekipet më të lavdishme të futbollit tonë, Partizani dhe Dinamo, janë aty ku askujt nuk i shkonte në mendje ndonjëherë, veçanërisht i pari.

Kjo do të thotë se superliga aktuale është kolonizuar nga disa ekipe pa kostume kashmiri, që të lartpërmendurit i kanë, por tashmë të konsumuara dhe u duhet ti ripërtërijnë. Në këtë stad, Luftëtari është duke bërë porositë për ti veshur sezonin tjetër fringo të reja, por deri atëherë duhen kaluar shumë prova, ku e para është kjo me Kukësin, që pritet me interesim të jashtëzakonshëm, pasi  ky kundërshtar vjen nga kategoria e dytë dhe kërkon të sfidojë ekipet klasike, pra edhe Luftëtarin, për të shkuar në superlige pa kurrëfarë stazhionimi, gjë që në fakt e ka të drejtë si çdo ekip tjetër i kësaj kategorie.

Të martën Luftëtari plotësoi kalendarin për Kupën e Shqipërisë në Kavajë me Besën dhe çuditërisht në këtë përballje aktivizoi futbollistë titullarë, si kapitenin Devolli, por edhe Bacin, Ramadanin e Mersinin, që më parë ndoshta kanë qenë vetëm spektatorë në ndeshjet për këtë veprimtari. Stafi teknik e ka bërë këtë për shkrifëtimin e tyre për përplasjen me Kukësin, sepse eliminimi ishte bërë që më parë.

Devolli Nëse kërkohet pse Luftëtari këtë sezon ka këtë nivel, përgjigjja është e thjeshtë dhe tepër e dukshme. Pa mohuar vlerat e askujt që përbën këtë ekip, fytyra e tij e re lidhet me dy figura të futbollit gjirokastrit, Bledar Devolli dhe Arlind  Nora, të cilët u rikthyen dhe e bënë bashkohorë.

Mesfushori Devolli, për ndeshjen me Kukësin thotë: Luftëtari do të tregojë të shtunën dhe një herë potencën e tij, edhe pse kundërshtari i radhës është më i afërti në renditje. Në vigjilje të Krishtëlindjeve, do tu bëjmë tifozëve tanë, që më së fundi janë bërë edhe ata lojtari i 12-të, një dhuratë të bukur. Kundërshtari vërtet ka vlera, përderisa është në vend të dytë, por më vjen keq, sepse do të lodhen nga rruga e gjatë, por as duhet ti shkojë në mendje se mund të fitojë në Gjirokastër me Luftëtarin e këtij sezoni.

Nuk e them këtë as me mendjemadhësi, as për presion psikologjik dhe për fyerje, sepse në sport mund të bëhen deklarime të bazuara, që i bëjnë edhe ndeshjet më luftarake, madje po shkoj edhe më tej, duke profetizuar se do të arrijmë një fitore me goleadë falë përbërjes, përvojës, motivimit, fushës, tifozëve dhe fatit, që kam parandjenjën se do të jetë me ne. Gjithashtu, e them këtë, duke u bazuar te lufta e fortë sportive dhe e ndershme, që do të zhvillojmë për ta mbyllur me sukses të plotë fazën e parë në ndeshjet e Gjirokastrës.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›