Kristi Marku: Në Raundin Elitë, për vendin e parë
16-vjeçari i Teutës U-19 është një nga emrat më premtues të futbollit durrsak
Nuk ëshët e rastësishme që Teuta, të paktën dy sezonet e fundit, u ka besuar shumë futbollistëve të rinj, duke afruar lojtarë nga ekipet zinxhir. Lojërat e zhvilluara, por edhe rezultatet e arritura, u japin të drejtë drejtuesve për këtë politikë te re.
Te Teuta U-19 luan një futbollist 16-vjeçar, i ditëlindjes 13.04.1995, i cili është gjithashtu pjesë e përfaqësueses U-17. Ai quhet Kristi Marku, një nga futbollistët më premtues të të rinjve të Teutës. Nuk kemi frikë nga skuadrat me emër, do të luajmë në Raundin Elitë për tu kualifikuar, shprehet Kristi Marku për Sportin shqiptar.
- Kristi, ju sot jeni pjesë e përfaqësueses U-17 dhe duhet ta keni nisur shpejt futbollin?
- Kam filluar të luaj qysh në moshën 6-vjeçare. Atëherë isha shumë i vogël, kanë kaluar 10 vjet.
- Çfarë ju shtyu më shumë të merreshit me futboll?
- Sigurisht që në moshën 6-vjeçare vendimet nuk merren vetë. Por unë kam një vëlla më të madh, i cili ka luajtur futboll para meje. U bashkuan të gjitha: dëshira, pasioni për futbollin dhe tradita në familje, që ti futesha kësaj rruge. Babai im ka qenë, besoj, futbollist i mirë. Ai ka luajtur me Teutën (Lokomotivën) dhe Traktorin (Lushnjën) në të kaluarën.
- Cili ka qenë trajneri juaj i parë? Po skuadrat?
- Trajneri im i parë ka qenë Mikel Furxhi, më pas më ka stërvitur Edmond Zalla dhe babai im (Shpend Marku). Kam kaluar te Teuta U-17 me trajner L. Sejdinin, ndërsa sivjet luaj me U-19.
- Si është kur stërvitesh nga babai?
- Siç e thashë më lart, edhe ai është trajner moshash. Babai më ka ndihmuar shumë, duke qenë se merret me fëmijët.
- A keni ndier ndonjëherë në siklet me shokët, meqë keni pasur babanë trajner?
- Jo, absolutisht. Përkundrazi, kam qenë si gjithë fëmijët e tjerë. Nuk besoj se më ka mbajtur me hatër, madje mbaj mend që më qortonte ndoshta më shumë se të tjerët, meqë isha djali i tij.
- Sa kohë keni që jeni pjesë e përfaqësueseve të moshave?
- Nuk ka shumë. Kam qenë me përfaqësuesen U-15, para jo shumë vite. Trajner kisha Sulejman Demollarin. Pra, i bie që kam 3-4 vjet i grumbulluar me U-15 dhe U-17.
- Kur jeni grumbulluar për herë të parë me U-17?
- Smë kujtohet fiks fare, por më duket nga marsi. Gjej rastin të falënderoj trajnerët Xhemal Mustedanagiç dhe Ilir Bituku për punën që kanë bërë me ne. Ky vit ka qenë shumë i suksesshëm për skuadrën tonë dhe për mua personalisht. Kam qenë në Estoni për kualifikueset dhe shpresoj të bëjmë diçka të bukur edhe në turin pasardhës, meqë jemi kualifikuar.
- Në pranverë do të luani në Raundin Elitë. Mendoni se Shqipëria mund të bëjë një mrekulli të dytë?
- Siç e ka thënë edhe trajneri ynë, Mustedanagiç, ne jemi optimistë, synojmë vendin e parë. Kuptohet që gjithçka është më e vështirë në këtë tur, pasi skuadrat janë më të forta, por ne kemi objektivat tona.
- Si ju duket puna me Xhemon?
- Ai ka bërë një punë shumë të mirë me ne, gjithashtu edhe Ilir Biturku. Na ka dhënë shumë besim në vetvete. Nuk i shikojmë kundërshtarët më të mirë se vetja.
- Teuta këtë sezon është pretendente, por në ndeshjet e fundit është ndalur…?
- Po, është e vërtetë. Trajneri Gentian Begeja, i cili është trajneri im te Teuta U-19
ka formuar një ekip shumë të mirë. Ka futur disiplinën në ekip, gjithashtu mbizotëron harmonia. Të gjitha këto të mbledhura bashkë na bëjnë të jemi pretendentë. Në ndeshjet e fundit kemi pasur shumë mungesa.
- Gjithmonë në rolin e mbrojtësit keni luajtur?
- Në fëmijëri kam luajtur mesfushor, sulmues dhe mbrojtës, përveçse portier.
- Për cilën skuadër europiane dhe kombëtare bëni tifo?
- Jam tifoz i Interit dhe i Italisë.
- Cili futbollist ju pëlqen më shumë dhe kujt dëshironi t’i ngjani?
- Më pëlqejnë shumë futbollistë, por nëse ekziston një futbollist për tu marrë shembull ai është Havier Zaneti, kapiteni i Interit.
- Nuk do të ishte më mirë të ndiqnit shembullin e babait tuaj?
- Sigurisht që i ngjaj babait tim. Ne jemi të dy sallaksë. Babai mbetet modeli im i parë, sepse pa shembullin, shtysën dhe mbështetjen e tij, sdo të isha këtu ku jam sot.