E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrata sekrete për ARMO-n, Firma “Mercuria” i shet aksionet Taçit ditën që u sigurua kredia

Nga Tema

Më 19 nëntor të vitit 2008, konsorciumi AMRA nënshkroi një dokument ku pranonte se nuk kishte mundësi të paguante paratë për blerjen e kompanisë ARMO (85% të aksioneve në vlerën e 128 milionë e 750 mijë eurove), dhe autorizoi partnerin Rezart Taçi të siguronte një kredi për sigurimin e këtyre parave. Sikundër është provuar, dy ditë më vonë, më datën 21 nëntor, pagesa është kryer, por mes këtyre dy datave duket se ka ndodhur një proces interesant brenda këtij konsorciumi. Më datën 20 nëntor, një ditë pasi konsorciumi vendosi të merrte kredi dhe një ditë përpara se konsorciumi të kryente pagesën, një prej aksionarëve del nga skena në mënyrë të papritur. Sipas një kontrate konfidenciale të lidhur mes aksionarëve të konsorciumit AMRA, rezulton se në datën 20 nëntor 2008, aksionarja “Mercuria Energy” i ka shitur të gjitha aksionet e saj (që ishin në masën 10%) te kompania “Anika Enterprises”, e cila është tërësisht në pronësi të Rezart Taçit. Kontrata në fjalë përcakton vendimin për blerjen e kuotave nga ana e zotit Taçi, por palët në këtë kontratë bien dakord se çmimi i blerjes do të specifikohet në një kontratë të dytë, që do të jetë konfidenciale mes palëve.

Konteksti

Disa javë para se të ndodhte ky rikonfigurim i aksionarëve të konsorciumit AMRA, të gjithë këta aksionarë ishin bërë pronarë të një prone publike shqiptare që qeveria e shiti në shumën e 128 milionë e 750 mijë eurove. Për këtë gjë aksionarët e konsorciumit nënshkruan publikisht dhe një kontratë me Ministrinë e Ekonomisë. Si rregull, që nga momenti i nënshkrimit të kontratës kuotat e këtij konsorciumi morën një vlerë minimale prej 128 milionë e 750 mijë eurosh. Firma aksionare “Mercuria Energy” dispononte 10% të aksioneve, pra vlera absolute e kuotave të saj ishte minimalisht 12 milionë e 875 mijë euro që nga momenti i nënshkrimit të kontratës për blerjen e kompanisë shtetërore. Pra, logjikisht i bie që Rezart Taçi duhet të ketë paguar jo më pak se 12 milionë e 875 mijë euro për blerjen e këtyre aksioneve, që deri në datën 20 nëntor 2008 i dispononte “Mercuria Energy”. Po a ka paguar vërtet këtë shumë? Askush nuk di ta thotë këtë gjë, madje deri më sot tërheqja e aksionares zvicerane, “Mercuria Energy”, ishte një akt krejt i panjohur për opinionin publik. Nisur nga rëndësia publike që ka ky privatizim, konsorciumi AMRA minimalisht duhet të bëjë publike vlerën e shitjes së këtyre aksioneve dhe kuotave.

Alibia

Nëse për operatorin privat, AMRA, kjo shitje aksionesh e vë në vëmendje për vlerën që u pagua, nga ana tjetër kjo shitje aksionesh vë në shënjestër Ministrinë e Ekonomisë për këtë akrobaci të kryer nga aksionarët ende pa u paguar paratë për privatizimin e ARMO-s. Gjatë garës për të fituar këtë tender, konsorciumi AMRA doli fitues, jo vetëm pse paraqiti një ofertë më të lartë, por edhe sepse pjesë e konsorciumit privat ishin disa kompani që konsideroheshin me eksperiencë në biznesin e përpunimit të produkteve të naftës. Në këtë aspekt kompania “Mercuria” përfaqësonte “dorën e fortë dhe profesionale” brenda konsorciumit, në kushtet kur aksionarja tjetër “Anika Enterprises” (në pronësi të Taçit) kishte vetëm një punonjës, ndërsa ortakja amerikane, “Refinery of Texas”, ishte në fakt një firmë ndërmjetësimi në bursën e naftës me pesë punonjës të deklaruar. Sikundër shihet, dalja nga skena e aksionares “Mercuria Energy” (për më tepër 1 ditë para se të bëhej pagesa për privatizimin, pra ende pa u ekzekutuar përfundimisht kontrata), bën me përgjegjësi direkt krerët e Ministrisë së Ekonomisë. Këta të fundit kanë toleruar një rikonfigurim të tillë të aksionarëve të një konsorciumi që të drejtën për të bërë privatizimin e fituan me aprovimin e Autoritetit të Konkurrencës, por që ndryshimin e aksionarëve (që bëhet medoemos me aprovimin e Autoritetit të Konkurrencës, pasi janë investitorë strategjikë), e bënë duke pyetur vetëm njëri-tjetrin.

Maskarada

Përtej përgjegjësive të natyrës ligjore që lindin nga ky rikonfigurim i aksionarëve apo nga zbulimi i dokumentit që vërtetonte se këta aksionarë morën kredi që të paguanin aksionet që privatizuan në kompaninë ARMO, sot rezulton se zoti Rezart Taçi na ka mashtruar publikisht lidhur me statusin dhe projektet e tij dhe të ortakëve të tij. Vetëm tre muaj para se t’i blinte në mënyrë të fshehtë aksionet ish-ortakes së tij “Mercuria Energy”, Rezart Taçi i deklaronte medies se firma “Mercuria Energy” do t’i zgjeronte aksionet e saj në konsorcium me kalimin e kohës. “Ne planifikojmë të përpunojmë këtu të gjithë naftën bruto të nxjerrë nga “Albpetrol”, rreth 250 mijë tonë ose 1.6 milionë barela naftë, si dhe gjysmën e prodhimit të Bankers Petroleum, 300 mijë tonë ose 1.9 milionë barela. Ndërkohë, projekti është që të importojmë edhe 500 mijë tonë nga Iraku në vitin e parë. Një tjetër projekt i yni është që aksionarja “Mercuria Energy” mund të rrisë pjesën e saj të aksioneve në të ardhmen, si pjesë e strategjisë për performancën e konsorciumit”, - ka deklaruar Rezart Taçi, më 23 gusht të vitit 2008, për mediet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›