Modeli i “Tiranës” dhe ai i “Kalimashit” janë antipolitikë
Partia Socialiste ka tërhequr Partinë Demokratike më në fund në një spirale jopolitike në këtë betejë elektorale. I fiksuar pas modelit të punëve publike në Tiranë, kandidati i ri për kryeministër të Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë përfundimisht një investim të padobishëm dhe te rivali i vet, Sali Berisha. Ky i fundit, i kompleksuar nga suksesi që i kanë njohur qytetarët Edi Ramës në Tiranë, po përpiqet të kthejë në kolonë vertebrale të fushatës së tij elektorale segmentin Rrëshen-Kalimash.
Në të vërtetë është debat i madh, nëse qytetarët kanë votuar Edi Ramën për shkak të modelit të punëve publike apo për shkak të paraqitjes së këtij modeli si një shpresë që vinte nga politika. Në të gjitha variantet krekosja me punët publike, me fasadat apo rrugët e shtruara në qytet, edhe pse janë shumë të dobishme, nuk është një standard politik. Standard politik është përpjekja për të na dëshmuar se me aq pak pará sa kemi pasur mundësi t’i japim si shoqëri buxhetit të Bashkisë së Tiranës, Rama të na dëshmojë se ka bërë diçka dhe i ka shpenzuar drejt paratë tona. Politikë është të na dëshmojë se ka ditur të orientojë drejt fuqinë e investitorëve privatë në Tiranë, për t’ua bërë atyre më të vlefshme paratë që harxhojnë për qytetin, për të kapilarizuar zhvillimin e qytetit dhe për ta bërë të ndihet i sigurt gjithkënd që vendos të investojë në këtë qytet. Nuk është politikë të kërkosh të dish si harxhohen lekët dhe të të thonë se rrugët e Tiranës kanë ndryshuar apo bulevardi është bërë më i bukur. Edi Rama është përpjekur në të vërtetë të mos i ndajë shumë nga njëri-tjetri bilancet e ndryshimit urban nga bilancet e transparencës dhe udhëheqjes së drejtë të qytetit.
Por dëmi më i madh që na ka bërë deri më tani, është se i ka mbushur mendjen rivalit të vet se kjo është rruga, nëpërmjet së cilës fitohet. Duke marrë anën ekstreme të fasadës së Edi Ramës, Sali Berisha ka nisur një fushatë sa groteske aq dhe të rrezikshme për arbitraritetin dhe mungesën e shtetit ligjor në vend, duke kthyer në simbol të qeverisjes një segment rrugor 60 km që kushton mbi 1 miliard euro. Nëse ti pyet sot si gazetar dikë nga pushteti për qeverisjen, të thotë shko vizito rrugën, nëse pyet si qytetar për pasigurinë sociale, të thonë shko vizito rrugën, nëse u thua se vendi është bërë më i pasigurt, të thonë shko vizito rrugën, nëse iu thua se korrupsioni po kthehet në standard kombëtar, të thonë shko vizito rrugën, nëse u thua, pronarëve po iu marrin pronat, të thonë shko vizito rrugën… E ke të pamundur të flasësh më me ta. Nuk kanë model qeverisjeje, nuk kanë program, nuk kanë ide, nuk kanë debat publik, kanë rrugën. Njësoj siç kishte Edi Rama Lanën në vitin 2000. Dhe atëherë nuk i pyesje dot socialistët për çfarë vidhnin a keqpërdornin, se të thoshin shiko si e rregulluam Lanën.
Por socialistët e kanë tejkaluar disi këtë model dhe sot Edi Rama po flet për një model politik të zhvillimit të vendit, që sipas tij përmblidhet te politika e re. Rivali i tij është viktimë e suksesit të tij të vjetër dhe ka hyrë në këtë betejë pa asnjë projekt përveç inaugurimit të rrugës Durrës-Kukës. Të gjithë ne që do të guxojmë të kërkojmë një plan, do të jemi tradhtarë, se s’duam rrugën, të gjithë ne që do të duam të kemi një projekt për pronat, do të jemi tradhtarë, se s’duam rrugën, të gjithë ne që do të kërkojmë një projekt për transparencën dhe shtetin ligjor, do shpallemi tradhtarë, se s’duam rrugën... Një retorikë e tillë vrastare kam frikë se mbi të gjitha do të vrasë bukurinë e kësaj rruge dhe vlerën e saj në të ardhmen.
Berisha po hyn në këtë betejë elektorale me një model të keqpërdorur nga Edi Rama dhe aspak politik. Ai vuan nga kompleksi i të mbeturit në histori, por në fakt thjesht po mbetet në gjeografi. Dhe ka njëfarë arsyeje pse e bën këtë. E ka të pamundur të flasë për shtet ligjor, pasi i shfaqet para hija e prangave mbi duart e djalit, e ka të vështirë të flasë për transparencë, se i shfaqet hija e faturave të vajzës, e ka të vështirë të flasë për ekonominë, se i shfaqet modeli i koncesioneve që po kthen Shqipërinë në një territor që po e jep me qira familja e tij. E ka të vështirë të flasë për varfëri, kur hedh rrugëve miliona, e ka të vështirë të flasë për mirëqeverisje, kur ka na ka çuar në vend të dytë në Evropë për borxhin e jashtëm, dhe mendon se ka gjetur shpëtim në modelin e segmentit Rrëshen-Kalimash, i cili është sa një e treta e gjithë rrugës Durrës-Kukës, dhe kushton pesë herë më shumë se dy pjesët e tjera.
Dhe si për ta bërë me patetik këtë model, ka ftuar të dielën të takohet nga dy anët e tunelit me kryeministrin e Kosovës, i cili, me sa duket, është ftuar për të na kujtuar se modeli është i pakritikueshëm, pasi është patriotik. Në të vërtetë ky model është modeli që ka luftuar PD, është modeli që ka luftuar Sokol Olldashi me komisionin e tij hetimor ndaj Edi Ramës, është modeli më jopolitik dhe spekulativ që duhet të zhduket nga politika shqiptare, pasi investimet publike janë aset politik, kur janë transparente dhe kur iu provon qytetarëve se ke harxhuar mirë paratë e tyre. PD duket se e hubi durimin me vlerat dhe iu dorëzua një modeli të vjetër, aspak politik, aspak qytetar, madje dhe aspak kombëtar.