E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trebicka: Si e kërcënoi Mediu gazetarin e “New York Times”

Nga Tema

Dëshmia e të ndjerit Kosta Trebicka përpara organit të akuzës. Një histori trafiku e detajuar dhe mafioze, ku kryeaktori është Fatmir Mediu

“Unë, që nga muaji maj i vitit 1998, jam administrator i shoqërisë “XHOI” sh. p. k, që ka për aktivitet, prodhim dhe tregtim ambalazhe letre, aktivitet i cili ushtrohet pranë ish-kombinatit “Misto Mame”, Tiranë. Nga fundi i marsit 2007, data duhet të ketë qenë 26 ose 27 mars, kam marrë një telefonatë nga një person që quhej Alex Podrizki, i cili m'u prezantua si përfaqësuesi teknik i shoqërisë amerikane AEY INC. Ai më kërkoi të takoheshim dhe të bisedonim për qëllime biznesi.

Kështu, sipas vendit të fiksuar më parë, jam takuar rreth orës 11:00 te bari që ndodhet në katin e parë të godinës “Sky Tower”, Tiranë, te zona e quajtur “ish-Blloku i udhëheqësve”. Ai m'u prezantua si specialist teknik i kompanisë amerikane AEY INC dhe kërkonte që unë ta furnizoja me një sasi prej 80.000 kutish kartoni, të cilat duhet të ishin të forta, me letër speciale kundër lagështirës, pasi duhet të përballonin për mbajtje një peshë mbi 30 kg. Gjithashtu, ai më bëri prezent faktin se kutitë do të mbanin fishekë luftarakë, sepse kishte një kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes për blerje municionesh. Duke qenë se në rastin konkret unë thjesht shisja kuti dhe ai kishte kontratë të ligjshme, pak më interesonte për më tej.

Kështu, pasi mora porosinë dhe përmasat e tyre, organizova prodhimin e 12.000 kutive të para, të cilat i depozitova në magazinat e mia tek ish-kombinati “Misto Mame”, Tiranë. Mbas rreth 1 javë nga kjo, Alex më kontakton përsëri me telefon, diku nga fillimi i prillit 2007, ku mbasi u takuam personalisht, më propozoi që nga pozicioni im si shitës të kaloja në atë të shërbimit si nënkontraktor, ku do të bëja dhe paketimin e mallit. Në këto kushte, i kërkova të gjithë dokumentacionin që nevojitej në një rast të tillë duke filluar që nga urdhri i punës së Pentagonit, kontratën që duhet të bënin mes AEY dhe shoqërisë time dhe një akt përfaqësimi, në mënyrë që unë të vihesha në kontakt me Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare për të përcaktuar municionin që do paketoja dhe vendin ku do të paketoheshin ato. Pasi ramë dakord për çmimin e shërbimeve të materialeve, paketimeve etj., të nesërmen a të pasnesërmen Alex më solli dokumentacionin përkatës, në këto kushte, administratori i shoqërisë AEY INC, shtetasi amerikan Efraim Diveroli më dërgoi nëpërmjet e-mail-it në adresën time të internetit kontratën që do lidhte me mua dhe të nënshkruar prej tij.

Pasi u nënshkrua kontrata dhe akti i përfaqësimit për marrëdhëniet me MEICO-n, unë së bashku me Alex u paraqitëm në Ministrinë e Mbrojtjes shqiptare, ku takuam drejtorin e ndërmarrjes shtetërore ushtarake, MEICO, shtetasin Ylli Pinari. Takimi u bë në zyrën e drejtorit, Ylli Pinari, ku Alex më prezantoi mua si nënkontraktorin e shoqërisë AEY INC për paketimin e mallit dhe dorëzuam dokumentacionin përkatës. Drejtori Ylli Pinari solli në zyrë 2 specialistë dhe juristen, të cilët morën dokumentacionin tim dhe morën urdhrin prej tij për të hartuar kontratën mes meje dhe MEICO-s.

Të nesërmen shkova dhe mora kontakt me Ylli Pinarin në zyrën e tij për të diskutuar lidhur me modalitetet e kontratës. Në këtë takim m'u propozuan 2 reparte ushtarake dhe depo municionesh në Elbasan dhe një në aeroportin e Rinasit në Tiranë. Pas negociatash ramë dakord që të më viheshin në dispozicion hangarët e avionëve ushtarakë të aeroportit të Rinasit. Nisur nga kjo bisedë në parim me Yllin, shkova në vend dhe bisedova me komandantin e repartit ushtarak të Rinasit, i cili pranonte ta zhvendoste avionin e vetëm bombardues që ishte jashtë funksionit dhe që ndodhej në atë hangar, me kushtin që unë të bëja një investim të vogël rreth 20.000 USD që të bëja një pistë betoni për zbrazjen e hangarit me qëllim krijimin e ambienteve të përshtatshme të punës dhe të bëja ekspozitën e atij avioni bombardues që ishte jashtë funksionit. Mbasi rashë dakord me komandantin e repartit të Rinasit, shkova të nesërmen përsëri te zyrat e MEICO-s për të takuar Ylli Pinarin dhe natyrisht për lidhjen e kontratës mes meje dhe MEICO-s. Në këtë takim Ylli Pinari më paraqiti një kontratë, ku mua më vishte me tagrin e përfaqësuesit të shoqërisë me emrin EVDIN LTD. Unë u çudita nga kjo dhe krejt natyrshëm i kam thënë që nuk mund të nënshkruaja për një shoqëri që nuk e njoh, pasi kisha prokurë përfaqësimi nga tjetër shoqëri, pra vetëm nga AEY.

Drejtori Ylli Pinari më tha që “nuk ke përse shqetësohesh, pasi EVDIN LTD ishte blerësi dhe kjo e fundit ia shiste AEY. Unë nuk pranova dhe i kam thënë që të ndryshonte kontratën, pasi nënshkruaja vetëm për atë që kisha akt përfaqësimi dhe për askënd tjetër. Ai në këtë bisedë nuk dha ndonjë detaj më shumë rreth shoqërisë EVDIN LTD, por, kur unë nuk pranova, ai ra dakord që të ndryshonte kontratën dhe mbas disa orësh apo të nesërmen, më datë 10 maj 2007, kam lidhur kontratën mes meje si përfaqësues i AEY dhe MEICO-s, e cila, pasi u nënshkrua nga palët, morëm kopjet tona dhe kështu isha tashmë i gatshëm për të filluar punën.

Ndërkohë, kisha rreth 10-15 ditë që trajnoja punonjësit e mi, për të cilët kam dhënë gjithë dokumentacionin që nevojitej. Kur mora edhe lejet e hyrjes për në atë repart ushtarak për punonjësit e mi nga MEICO, kam filluar punën për paketimin e fishekëve luftarakë të kalibrit të vogël.

Kështu, në zbatim të kontratës, përfaqësuesit e MEICO-s, që quheshin Vath Sula (magazinier i armatim municionit të MEICO-s) dhe Xhemal Oralliu (specialist i armatim municionit të MEICO-s), ishin prezent dhe dorëzonin materialin e municionit ushtarak që vinte nga reparte të tjera ushtarake te përfaqësuesi i ngarkuar prej meje, Artur Baku, dhe asistenti i paketimit, Afrim Meta. Për çdo kuti fishekësh që vinte, kisha urdhëruar dhe nuk lejoja që të hynte pa procesverbal ndërmjet këtyre 4 personave. Në këtë procesverbal shënohej data, njësia e matjes (me copë për fishekë), sasia (totale e fishekëve), partia e prodhimit (shqiptarë apo kinezë), viti i prodhimit, uzina që i prodhonte. Përshkrimet duhet të ishin, përveçse me shifra, edhe me shkrim dore dhe procesverbali të mbyllej me numër rendor. Për të gjitha këto lëvizje disponoj dokumentacionin, por në fotokopje, pasi origjinalet janë marrë nga “Defense criminal investigative service” , pra nga shërbimi i hetimeve kriminale në fushën e mbrojtjes amerikane, të cilët m'i kanë marrë që më 19.01.2008 për arsyet e hetimeve që ata po zhvillonin në vijim të procedurës së punës, pasi bëhej paketimi, malli dorëzohej te transportuesi, pra në avion, që kontrollohej nga punonjësit e MEICO-s dhe këta të fundit bënin edhe dokumentet përkatëse për doganat për eksport.

Pothuajse që në fillimet e aktivitetit lindën problemet e para të paketimit, pasi fillonin dhe hapeshin kutitë e kartonit. Duke qenë se kutitë e kartonit po çaheshin, kam marrë kontakt me administratorin e shoqërisë AEY INC, Efraim Diverolin dhe me Alex Podrizkin, të cilëve u propozova që kutitë metalike me fishekë të mos hapeshin, por siç ishin të ambalazhoheshin në kuti kartoni për të shmangur rrezikun e fërkimit dhe për të menaxhuar sipërfaqen e ambientit të transportuesit. Komunikimet janë diskutuar me telefon celular. Efraim Diveroli më pyeti se si ishin fishekët, shqiptarë apo kinezë. Unë iu përgjigja se duke iu referuar dokumentacionit rezultonte se kishte edhe parti fishekësh prodhim shqiptar, edhe parti fishekësh prodhim kinez, të cilat shkonin në rezultatet 50% me 50%. Po kështu, Efraimi më tha që “paguajmë shtrenjtë transportin dhe blerjen e fishekëve, kështu që nuk ishte e leverdishme që paketimi të mbante brenda edhe kutitë metalike, sepse po e blejmë atë me dyfishin e çmimit të referencave lindore.” Ai më pyeti, nëse kishte mundësi që i gjithë municioni të ishte shqiptar dhe jo kinez. Unë iu përgjigja që do të interesohem dhe do të kthej përgjigje. Gjatë bisedës kujtoj se më ka thënë që e blinte 40 USD për 1000 copë fishekë, në një kohë që nga vendet e tjera lindore e blinte me gjysmën e çmimit. Unë paraprakisht, duke mos ditur shumë gjëra, jam interesuar te Vath Sula (magazinier i armatim municionit të MEICO-s), duke i kërkuar që të na mundësonte vetëm fishekë shqiptarë dhe jo kinezë. Vathi më tha se “nuk e kam unë në dorë këtë punë, por do interesohem te shefat e mi dhe do të të kthej përgjigje.” Paralelisht me këto, kur lindi edhe dyshimi për abuzime me çmimin e shitjes, Efraimi më tha që të interesohesha se me çfarë çmimi i blinte komisioneri i tij, pra shoqëria EVDIN, kurse emrin e administratorit apo pronarit të saj nuk e dija.

Për këto probleme mora kontakt me Ylli Pinarin si drejtor i MEICO-s. Takimin e kisha lënë të hapur me telefon dhe kur ai u lirua nga angazhimet e tija, më la takim për kafe te lokali “Tajvani” rreth mesnatës. Në këtë takim i kam shtruar Ylli Pinarit 2 pyetje. E para kishte lidhje me parregullsitë në furnizim për sjelljen e municionit në Rinas dhe e dyta kishte lidhje me komisionarin, ku i kërkoja mundësinë e heqjes së komisionerit shoqërisë EVDIN dhe të bëhej kontratë direkte mes MEICO-s dhe AEY INC. Ylli Pinari më garantoi se furnizimet do t'i bënte rregullisht, ndërsa për sa i përket komisionerit, më tha që të mos ngatërrohesha me këto gjëra, sepse janë marrëveshje që shkojnë shumë lart, pa specifikuar se deri sa lart. Unë nuk e besova fillimisht, pasi ishte përtej imagjinatës time të ngatërrohej ndonjë funksionar i lartë në një kontratë që bëhej me një shoqëri që kishte kontratë me Pentagonin. Mbas kësaj bisede u mundova që nëpërmjet një mikut tim të afërt, të më mundësohej një takim me ministrin e Mbrojtjes për t'i thënë punën e lidhjes së kontratës drejtpërdrejt me AEY, pasi m'u duk si allishverish i Pinarit futja në mes e komisionerit, shoqërisë EVDIN LTD. Takimin me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, ma mundësoi miku im, Roland Çelmeta, i cili e kishte komshi. Takimi u bë poshtë shtëpisë së ministrit Fatmir Mediu, te një lokal që ndodhet te pallatet mbas “Lion Park”, te liqeni. Takimi me të është bërë pasdite, rreth orës 17:00' dhe kujtoj se ka qenë muaji maj 2007. I pranishëm ishte edhe Roland Çelmeta. Në këtë takim, unë iu prezantova ministrit duke i bërë të njohur faktin se isha nënkontraktori dhe përfaqësuesi i një kompanie amerikane, AEY, e cila kërkonte që brenda mundësive transaksionet e blerjes së municioneve të bëheshin pa ndërmjetësinë e komisionerëve, të cilët shtonin çmimet fiktivisht. Po kështu, i thashë që kisha takuar drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinarin, dhe duke mos gjetur mirëkuptim, kërkoja ndihmën e tij si ministër i Mbrojtjes. Fatmir Mediu m'u përgjigj se nuk përzihej me problemet e MEICO-s, sepse ajo ka tagrin që të bënte kontrata juridiko-civile, por megjithatë do të thërriste po atë pasdite në zyrë atasheun ushtarak amerikan dhe do ta konsumonte një bisedë të tillë me atë.

Ministri Mediu, pavarësisht se unë i kisha dokumentet në dorë, më tha që dokumentet t'i çoja të nesërmen, qoftë edhe duke ia dhënë mikut të përbashkët, Rolandit. Unë ia dhashë këto dokumente Rolandit apo doja t'ia jepja, por ai e kishte takuar apo folur me telefon ministrin Mediu, ku ky i fundit i kishte thënë, sipas tij, se e kishte sqaruar problemin dhe nuk ishte më e nevojshme t'i shihte ato dokumente. Kështu u mbyll kjo bisedë. Nuk e kujtoj saktë, nëse e mora apo më mori në telefon, por kujtoj se kam komunikuar me drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari, të cilit i thashë që kisha takuar ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun, dhe diskutuam për punën e komisionerit. Ylli Pinari më pyeti, nëse ma kishte kërkuar takimin ministri apo e kisha kërkuar unë atë për takim. Unë e sqarova se takimi ishte kërkuar prej meje. Ai pas kësaj përgjigjeje timen, më tha me ton të egër tekstualisht: “Që këtej e tutje nuk kemi më punë bashkë, do të veproj sipas urdhrave të ministrit” apo “do të veproj si të më thotë ministri”. Pra, nuk e kujtoj saktë shprehjen, nëse më tha “thotë, apo urdhërojë ministri”. Mbas kësaj e mbylli telefonin. Mbas kësaj date unë vazhdova punën lidhur me municionet që tashmë ndodheshin në hangar ende të pa paketuara, por konstatova se u ndërpre ardhja e furnizimeve me municion. Gjatë kësaj kohe nga specialistët mësova se Shqipëria kishte më shumë fishekë luftarakë prodhim shqiptar sesa kinez. Puna vazhdoi rreth 1 javë, derisa erdhi momenti për t'u ngarkuar avioni i parë, sepse në këtë moment plasi skandali i madh. Avioni ka mbërritur në Rinas rreth orës 10:00', ka qenë muaji maj 2007, dhe ka qenë ndaluar në pistën dytësore të ngarkimit. Avioni kishte leje vetëm për deri në orën 16:00' për t'u ngarkuar dhe bërë dokumentet me doganat. Çdo vonesë ishte me gjobë deri në 3.000 euro dhe duhet të priste, derisa të jepej një leje tjetër. Atë ditë organizova punën dhe avioni është ngarkuar në kohë rekord deri në orën 13:00'. Duke qenë se avioni mbante një sasi të caktuar peshe ngarkesë, komandanti i avionit nuk pranonte të ngarkoheshin 2 paleta, me pretendimin se ishin përtej limiteve të lejuara. Në kushtet kur dokumentacioni i bërë mes MEICO-s dhe Doganës bënte fjalë për sasinë e plotë, ndërkohë që realisht avionit i mungonin 2 paleta, dilte e nevojshme që përfaqësuesit e MEICO-s të bënin ndryshimin e të dhënave me doganën e Rinasit. I kërkuam që në orën 13:00', por ata erdhën rreth orës 15:15'-15:30', pikërisht në momentet e fundit, kur dogana mbyllte veprimet. Në këto momente, me pretendime krejt absurde për mua, një person i MEICO-s, që quhej Spiro, por që ata e thërrisnin nëndrejtor (nuk e di nëse e kishte këtë funksion apo jo), erdhi dhe thoshte që avioni nuk mund të nisej, pasi dokumentet duhet të nënshkruheshin në Tiranë. Unë, duke parë që ky pretendim ishte krejt absurd dhe abuziv, i thashë që përse nuk e pasqyronte dhe nënshkruante aty letrat e doganës për mungesën e 2 prej paletave, por duhet të shkonte në Tiranë. Ai insistonte dhe në këto kushte, duke qenë se po skadonte afati i punës së doganës dhe në të njëjtën kohë, orari i lejes së qëndrimit të avionit po mbaronte, sepse, po mos të nisej atë ditë, duhej të rrinte edhe nja 2-3 ditë të tjera, unë dhe Alex Podrizki jemi revoltuar dhe unë kam bërë presion se do të çoja atje mediet për të demaskuar veprimet abuzive të tyre.

Kur unë u largova nga Rinasi, Spiro kishte bërë ndryshimet e dokumenteve dhe avioni u largua. Që nga ky moment, mua më ndaluan që të hyja më në Rinas, se nuk më linte më ushtari. Kështu, unë humba dhe gjithë mallin që ndodhej ende brenda në ambientin e punës. Për sa kishte ndodhur tentova disa herë të kontaktoja me telefon me drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari, por ai nuk më përgjigjej më. Për këtë incident kam telefonuar Efraim Diverolin duke e vënë në dijeni si administrator i AEY, me të cilin unë kisha kontratë. Ai më falënderoi për punën e kryer dhe më tha “vazhdo punën, por mos prish nervat me MEICO-n.”

Më pas, Ylli Pinari kishte lajmëruar Efraimin dhe Aleksin për ndërprerjen e punës për paketimin, me pretekstin që ishte në pritje vizita e presidentit amerikan George Bush. Gjatë kësaj kohe, Ylli Pinari e ka telefonuar Efraim Diverolin, duke e ftuar atë personalisht në Shqipëri për të lidhur një kontratë drejtpërdrejt me të. Efraim Diveroli më mori në telefon dhe më vuri në dijeni për këtë bisedë që kishte bërë me Ylli Pinarin dhe më tha që do të vinte në Tiranë pas disa ditësh, duke përcaktuar edhe ditën, por që unë nuk e kujtoj sot saktë si datë. Kujtoj se ka qenë para vizitës së presidentit Bush në Tiranë dhe muaji maj 2007. Një ditë para se të vinte Efraim Diveroli në Tiranë, nuk e kujtoj, nëse ma tha ky apo Aleksi, por thelbi ishte që Ylli Pinari i kishte kërkuar atij që të takohej në Tiranë, por pa praninë time.

Kur erdhi në Tiranë, ka qenë rreth orës 14:00, kur më mori Aleksi në telefon celular, ku më tha që ishte bashkë me Efraimin. Nga biseda me Efraimin, mësova se ishin në hotel “Sheraton” dhe se kishin ardhur me makinën e MEICO-s. Në hotel e kishin lënë dhe se pas rreth një ore do vinte t'i merrte Ylli Pinari në zyrën e tij për të diskutuar kushtet e kontratës së re, pa komisionarë.

Rreth orës 18:00', jam telefonuar përsëri nga Aleksi që më kërkoi t'i takoja te hotel “Sheraton” në dhomën e tyre. Kam shkuar dhe jam takuar në dhomën e Efraimit, ku i pranishëm ishte dhe Aleksi. Në këtë takim, Efraimi dhe Aleksi më treguan se mbasi ishin marrë me makinë nga Ylli Pinari, por pa ma saktësuar nëse e drejtonte vetë makinën apo kishte shofer, dhe i kishte çuar në një apartament, ku rrugën dhe pallatin ma treguan 1 apo 2 ditë më vonë, në këtë apartament kishin gjetur edhe 2 persona të tjerë. Njëri ishte Mihal Delijorgji, të cilin Aleksi e njihte, sepse ishin takuar më parë me njëri-tjetrin, si dhe një person tjetër i moshës rreth 27 vjeç, me trup të gjatë, që kishte një tatuazh në dorë, i veshur me kostum dhe këmishë të bardhë, i veshur shik, siç thoshin ata, person i cili nuk fliste asnjë fjalë anglisht. Në këtë takim, Ylli Pinari i kishte bërë një propozim Efraimit, duke i nxjerrë në tavolinë 2 kontrata për të firmosur njëkohësisht. Njëra ishte mes AEY INC (si blerës) dhe MEICO (si shitëse), ku çmimi do të ishte 26 USD për 1.000 fishekë. Kontrata e dytë do të ishte mes AEY dhe kompania e Mihal Delijorgjit, për një pagesë 14 USD për çdo 1.000 fishekë që do t'i shitej AEY nga MEICO. Efraim Diveroli i kishte thënë se “ç’është kjo kontratë e dytë kështu?”, por Pinari i kishte thënë, duke u drejtuar nga djali i ri i panjohur ende, që “kështu e do shefi, në të kundërt vazhdojmë siç e kemi kontratën në fuqi.” Ai djali, që sipas Efraimit dhe Aleksit, i thërrisnin shefi, nuk fliste anglisht dhe komunikimet me Ylli Pinarin apo Mihal Delijorgjin i bënte në shqip.

Duke u trembur nga ambienti, dhe për nga mënyra se si servirej kontrata, Efraimi kërkoi 2 ditë kohë të mendohej. Duke qenë i frikësuar, nëpërmjet meje, Efraimi kërkoi kontakt me përfaqësuesit e ambasadës së shtetit të tyre, të cilët na lanë orar të nesërmen. Kur u bë ky takim me përfaqësuesin e ambasadës, Efraimi dhe Aleksi treguan gjithë sa u kishte ndodhur, ndërkohë që i sugjeruan që të merrnin kontakt institucionalisht me ministrin e Mbrojtjes, ku të shpjegohej situata për sa kishte ndodhur, pasi ata do bënin punën e tyre, duke shkuar vetë për të kontaktuar. Pra, përfaqësuesi i ambasadës na orientoi që të bashkërendonim veprimet, ku ata do të hynin institucionalisht në Ministrinë e Mbrojtjes rreth orës 10:00, ndërsa neve të shkonim pas rreth një ore. Të nesërmen, siç dhe e kishim lënë, Efraimi, Aleksi dhe unë kemi shkuar rreth orës 11:00', ku nuk na priti ministri, por Sekretari i Përgjithshëm, me të cilin biseduam thjesht për çështjen e kontratës, për heqjen e komisionerit dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë me MEICO-n. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes na tha se “do ia bëj të njohur të gjitha shqetësimet tuaja ministrit Fatmir Mediu dhe se do ju kthejmë përgjigje.” Përgjigje, e cila nuk u kthye kurrë. Një ditë pas kësaj, duke ecur nëpër Tiranë po më tregonte përafërsisht vendndodhjen e pallatit ku ishin takuar me Ylli Pinarin etj., ku ishte nëpër disa grumbull pallatesh që ndodhej në rrugën Fortuzi, afër një shkolle 8-vjeçare, rrugë e cila të çon nga Ministria e Arsimit deri tek ajo e Drejtësisë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, duke bërë biseda të ndryshme, mësova nga Efraimi dhe Aleksi pakënaqësitë që ata kishin për fishekët që i jepeshin nga MEICO, pasi ishin gënjyer, sepse marrëveshja ka qenë për të blerë fishekë shqiptarë dhe jo kinezë dhe të ruajtur mirë. Po në këto biseda mësova edhe emrin e Henry Tomey si përfaqësuesi i EVDIN LTD, i cili, sipas tyre, i kishte orientuar për tregun shqiptar, i cili dispononte fishekë të këtij prodhimi dhe të cilësisë. Në përfundim, duke mos marrë përgjigje nga ministri, Efraim Diveroli ka bërë disa biseda me Ylli Pinarin, ku preferoi më mirë të vazhdonte kontratën e parë sesa të firmoste atë të dytën që i servirej me kompaninë e Delijorgjit si komisionere dhe kështu u largua nga Shqipëria.

Edhe pas ikjes së Efraimit, unë përsëri u pengova në punën time në Rinas dhe kështu e kam vënë në dijeni vazhdimisht me telefon apo me e-mail, ku prej tij më është thënë se Ylli Pinari kërkonte prej tij që të më shmangte mua dhe të kalonte paketimi te një kompani tjetër. Në kushtet kur kontrata me MEICO-n ligjërisht nuk ishte revokuar apo prishur dhe ishte ende në fuqi, ndërkohë që unë pengohesha në punën time dhe kuptova abuzimet e Pinarit etj., që lidheshin me të, duke patur frikë nga ligji, një nga bisedat telefonike mes meje dhe Efraim Diverolit, pikërisht ajo e datës 11.06.2007, një ditë para ardhjes së presidentit Bush, e kam regjistruar në telefonin tim celular. Ky regjistrim bisede tashmë është bërë publik në të gjitha mediet shqiptare. Në këtë bisedë, ai në thelb më thoshte që nuk kam fare të bëj se Ylli Pinari më ka vënë si kusht që të hiqte shoqërinë time nga paketimi, por ai nuk do pranonte të bënte kontratë me të për të paketuar ndonjë shoqëri tjetër. Ai më thoshte se nuk po merrej vesh me Ylli Pinarin, pasi ky i fundit aludonte se ishte i përzier dhe djali i kryeministrit shqiptar. Më vonë Efraimi më ka marrë përsëri në telefon, bisedë kjo e cila nuk është e regjistruar dot, ku më thoshte se Ylli Pinari do të organizonte vetë paketimin. Në vijim të deklarimit tim dua të them se edhe pas vizitës së presidentit Bush në Shqipëri, kam kontaktuar edhe 2 ose 3 herë të tjera me telefon me Efraim Diverolin për sa i përket faktit që edhe pse si argument nga Ylli Pinari ishte përdorur vizita e presidentit amerikan, moslejimi im për të hyrë në ambientet e punës në Rinas për të vazhduar punën për paketimin e fishekëve ka vazhduar edhe pas ikjes së tij. Fakt ky që lehtësisht bëhet i kuptueshëm se Ylli Pinari e kishte bërë gjendje fakti largimin tim nga puna për të cilën unë kisha kontratë me AEY, duke u imponuar padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme. Efraim Diveroli me keqardhje më thoshte se nuk mundej më ta përballonte këtë presion të Ylli Pinarit, pasi ishte i kushtëzuar nga fakti se kishte një detyrim për furnizim me fishekë për Afganistan nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes dhe nëse do të kishte vonesa në furnizim (në rast se tërhiqej nga kontrata me MEICO-n), prishej e gjithë kontrata me Departamentin e Mbrojtjes për shkak të afateve të furnizimeve. Për këtë situatë, meqenëse isha n/kontraktor i një shoqërie amerikane e kontraktuar nga Departamenti i Mbrojtjes, kam vënë në dijeni me sms atasheun ekonomik të ambasadës amerikane në Shqipëri, Robert Newsome, pra thjesht që jam larguar dhe nuk kisha më lidhje me atë kontratë. Po kështu, të gjithë dokumentacionin që disponoja së bashku me një informacion që konsistonte përsëri në faktin se nuk isha më n/kontraktor i AEY INC dhe për çdo gjë që do të ndodhte më pas nuk do të kisha asnjë lidhje dhe nuk mbaja asnjë përgjegjësi për elementët e paketimit.

Mbas kësaj, kam patur shumë telefonata anonime bezdisëse, por pa më folur për të më kërcënuar, në muajin shtator 2007 jam telefonuar nga Amerika, ku një person, emrin e të cilit nuk e kujtoj, por u prezantua si punonjës i Departamentit të Armatimit dhe më lajmëroi se shumë shpejt një grup punonjësish investigativë do vinin të më kontaktonin për të më sqaruar situatën.

Mbasi jam lajmëruar se do vinin një grup investigativ amerikan të Departamentit të Mbrojtjes, duke patur edhe një regjistrim ku përmendej edhe djali kryeministrit shqiptar, si dhe duke e ndjerë si detyrim moral si qytetar i këtij shteti, kërkova të komunikoj dhe kontaktoj personalisht me djalin e kryeministrit. Takimi me të kushtëzohej edhe nga fakti se nuk mund të takoja dot personalisht kryeministrin, Sali Berisha, qoftë për shkak të faktit se nuk njihesha, ashtu edhe të asaj se nuk mund të prezantoja si arsye takimi një regjistrim, ku përmendej emri i djalit të tij, pasi mund të konsiderohej si shantazh.

Në këto kushte, nëpërmjet një mikut të përbashkët, Albert Allmuça, që ka një firmë ndërtimi në Tiranë, u organizua një takim me djalin e kryeministrit, Shkëlzen Berisha. Ndërmjetësuesit, përveç faktit se kërkoja takim me Shkëlzen Berishën, nuk i kam bërë të njohur detajet apo arsyet e kësaj kërkese. Gjithsesi, takimin e lashë të hapur, në mënyrë që ku të ndodheshin ata, të shkoja dhe t'i takoja. Duke qenë se Albert Allmuça më tha se ishte me Shkëlzen Berishën para Korpusit të Universitetit të Tiranës, i thashë që të më priste, se për 5 minuta do vija aty. Jam takuar me Albertin, i cili ishte ulur në makinën e tij, tip fuoristradë dhe në vendin e shoferit, ndërsa Shkëlzeni ishte ulur në vendin e parë të pasagjerit. U përshëndeta me ta dhe u futa në vendin e pasagjerit në pjesën prapa sediljes së shoferit dhe diagonal me sediljen e Shkëlzenit, Askush nuk doli nga makina. Aty dhe u konsumuan elementët e bisedës, e cila konsistonte në atë që preferoj ta them tekstualisht: “Z. Shkëlzen, kam qenë nënkontraktor i një firme amerikane që merrej me blerësin e municioneve nga Shqipëria për në Afganistan. Është bërë një takim sekret në mënyrë të paligjshme në një ambient civil jashtë Ministrisë së Mbrojtjes, ku prezent ka qenë Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, 2 amerikanë dhe një person i moshës 27-30 vjeçare. Thuhej se ky person mund të kesh qenë ti. Gjithashtu, kam një kasetë ku përmendet emri yt dhe i babai tënd në këtë kontratë. Kështu që i kam thënë që më shih në sy dhe më thuaj janë apo jo të vërteta, pasi shumë shpejt do ngrihet një grup investigimi nga Amerika për t’i hetuar këto.

Shkëlzeni më tha tekstualisht: “Unë nuk kam në dijeni asnjë lloj gjëje që po më parashtron. Se ç'mund të bëjë ministri i Mbrojtjes, unë nuk e di dhe nuk dua ta di. Për sa i përket emrit tim, jam i gatshëm të ballafaqohem me 2 amerikanët që kanë qenë në atë takim dhe për t'u ballafaquar, nëse jam apo jo unë personi me të cilin ata janë takuar”.

Duke parë sigurinë që ai shfaqte, unë i besova, i dhashë dorën dhe jemi ndarë. Në mes të tetorit ka ardhur një gazetar i “New York Times”, i quajtur Nicholas Wood, i cili mori kontakt me mua në ambientet ku unë punoja në Tiranë dhe kërkoi të më intervistonte lidhur me marrëdhëniet e mija mes MEICO-s dhe “AEY INC”, gjithmonë nëse vazhdoja të isha n/kontraktor për paketimin e municioneve apo jo. Unë u habita pak, sepse nuk po e dija se nga e kishte marrë këtë informacion, numrin tim të telefonit etj. Gjithsesi, gjatë takimit me të, më intervistoi, ku i tregova për atë që, që nga mesi i muajit maj 2007, pra që kisha 6 muaj që isha shkëputur nga ajo kontratë. Gjithashtu i kam treguar dhe proceset e punës dhe teknologjinë apo materialet e përdorura. I tregova dhe nja 2 arka metalike dhe druri nga ato ku ishin paketuar fillimisht fishekët që unë i kisha rastësisht në magazinën time dhe më pas ato që paketoheshin nga ana ime. Pra, ekspozenë e punës dhe dokumentacionin tim, mbi të cilin unë isha kontraktuar për të kryer këtë punë dhe asaj të largimit tim.

Intervista ishte e thjeshtë dhe pa detaje të konflikteve të mia me MEICO-n, pra jo-emocionale. Kur e pyeta gjatë këtij takimi për arsyet e intervistës, nga ai mësova se koloneli amerikan në Afganistan kishte patur ankesa lidhur me cilësinë e paketimit të municioneve, në përmasat e një skandali, pasi ndikonin edhe në cilësinë e municionit. Ai më pyeti edhe se cila shoqëri merrej me paketimin e municionit në Shqipëri pas largimit tim. I kam thënë që mendoj se është ajo e Mihal Delijorgjit, por gjithsesi nuk jam i sigurt.

Më pyeti se ku bëheshin aktualisht paketimet për t'i parë konkretisht proceset e punës dhe cilësinë e paketimit, por i thashë se realisht nuk e dija. Gjatë momentit kur ai po mbaronte intervistën me mua, gazetarit apo kameramanit, nuk e kujtoj, por iu bë një telefonatë dhe mbas kësaj telefonate ata ishin shumë të shqetësuar dhe u larguan nga zyrat e mia te “Misto Mame”. Deri në këto momente nuk dija gjë. Pasdite më kërkon në telefon një miku im, z. Arben Malaj, dhe më thotë që “a ka mundësi të vish të pimë një kafe me z. Fatmir Mediu?” Unë i thashë që po. U takuam të tre te lokali poshtë shtëpisë së Fatmir Mediut, në një lokal bar-kafe përballë. Në këtë takim, ministri Fatmir Mediu më tha pak a shumë: “Ti e di, z. Kosta, që pas takimit tonë, bëra ç’ishte e mundur për të sqaruar situatën, por më vjen çudi se përse një gazetar i “New York Times” të më vijë mua në zyrë dhe të më përmendë problemin e skandalit të ndalimit në Itali dhe për problemet e paketimit, për të cilat i dha sqarimet z. Pinari, ku e kishte sqaruar se nuk ishte më kompania ime, por “AlbaDemil” e Mihal Delijorgjit ajo që bënte tashmë paketimet. Ndodhi një incident me të, por ti e di që unë kam qenë transparent me ty lidhur me sa ke kërkuar.” Unë i thashë që edhe unë atë ditë paradite kisha patur një intervistë me një gazetar të “New York Times”, takim i kërkuar prej tij, pasi nuk e njihja, por nuk e kuptoj ç'lidhje kam unë me incidentin e atij me ju si ministër, sepse unë isha pyetur thjesht për procedurën e paketimit të municioneve dhe faktit që kisha 6 muaj që nuk e bëja më unë atë punë. Kështu u ndamë me njëri-tjetrin. Më vonë për incidentin mes ministrit Fatmir Mediu dhe gazetarit Nicholas Wood të “New York Times”, kam mësuar nga kontakti shoqëror telefonik me gazetarin, i cili më tha se i kishin grabitur kasetën me intervistën e bërë prej tij në zyrën e ministrit Fatmir Mediu dhe se po bëheshin përçapje institucionale për të normalizuar këtë incident, por nuk më tha detaje, se kuptohet që biseda ishte e shkurtër dhe nëpërmjet telefonit.

Mbas ardhjes së këtij gazetari të “New York Times”, nga fundi i tetorit 2007, kanë ardhur në Shqipëri edhe një grup investiguesish amerikanë të Departamentit të Armatimit. Ata më pyetën për të gjitha rrethanat, që nga angazhimi im si n/kontraktor, e deri për atë të shkëputjes time nga ky biznes, që lidhet, siç thamë, thjesht me paketimin e municionit në kuti kartoni. Ata ma kërkuan regjistrimin e bisedës së bërë mes meje dhe administratorit të shoqërisë amerikane AEY INC, Efraim Diveroli, që në fakt konfirmonin imponimin e strukturave shtetërore shqiptare në mënyrë abuzive për të më nxjerrë mua nga paketimi i municionit, biznes të cilin në fakt unë e kisha me kompaninë amerikane dhe jo me atë shqiptare.

Një grup tjetër investiguesish amerikanë, erdhën edhe një herë tjetër nga janari 2008, dhe morën kontakt me mua, ku thjesht më kërkuan dokumentacionin origjinal, në bazë të një procesverbali të përbashkët për dorëzimin e specifikuar të këtij dokumentacioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›