Kontribut në rrëzimin e diktaturës, Topi dekoron disa ish të përndjekur politik
Presidenti i Bamir Topi dekoroi sot ish të përndjekur politikë dhe figura me kontribute për demokracinë shqiptare. Të dekoruarit kanë qenë aktivë në lëvizjet e vitit 1990 për përmbysjen e regjimit diktatorial, ndërsa disa të tjerë kanë qenë të përndjekur politikë, të cilëve u jepet titulli pas vdekjes. Kreu i shtetit nderoi me Medaljen Martir i Demokracisë, Mark e Gjergj Nikoll Sokolin me motivacionin: Për sakrificat dhe qëndresën e papajtueshme ndaj diktaturës komuniste, deri në aktin sublim të dhënies së jetës për liri dhe drejtësi”.
Me Medaljen Pishtar i Demokracisë, u dekorua Ardian Elezi, ndërsa me Medaljen e Mirënjohjes, u nderuan Raif Elezi, zoti Gëzim Kalaja, Adrian Kati, Ylli Tasi, Ylli Tabaku, Feim Tamaz Iljazi (Boshanji dhe Yllbardh Bodinaku. Ky i fundit u nderua me motivacionin: Për trimërinë, dhe vetëmohimin e treguar në ngjarjen e 2 Korrikut 1990, të shpërthimit të dyerve të ambasadave perëndimore nga qytetarët, që kërkonin shndërrime demokratike në vendin tonë, duke i dhënë kështu goditjen e parë e më të fortë diktaturës komuniste.
Të dekoruarit dhe familjarët e tyre falenderuan presidentin për vëmendjen dhe përkujtimin e vazhdueshëm që u bën ish-të përndjekurve politikë si dhe figurave me kontribute të veçanta atdhetare.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës Karsten Ankjaer Jensen, Avokati i Popullit, Igli Totozani, drejtues të Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, etj.