Kontributi i dëshmorëve, të vlerësohet nga të gjithë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua sot me përfaqësueset e familjes Gërvalla. Ajo me këtë rast i dorëzoi bashkëshortes së Jusuf Gërvallës, Suzana Gërvalla, dhe vajzës së Bardhosh Gërvallës, Mirjeta Gërvalla, urdhrat “Hero i Kosovës”, me të cilët ata i ka dekoruar, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, në nëntor 2010.
Presidentja Jahjaga tha se është e nderuar që takon familjarët e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, të cilët kanë dhënë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe të popullit të saj.
“Puna intelektuale dhe puna patriotike e Jusufit dhe Bardhoshit e ka siguruar emrin e tyre në analet e historisë sonë. Vepra e tyre, prej atdhetarësh, sakrifica dhe vdekja, në emigracion, e kompletuan nocionin e rezistencës dhe luftës për çlirim”, tha presidentja Jahjaga.
Ajo tha se trajtimi ndaj dëshmorëve, pavarësisht nga koha, duhet të jetë i njëjtë dhe vlera e kontributi i tyre duhet të vlerësohet nga të gjithë. Bashkëshortja e Jusuf Gërvallës, Suzana, falënderoi presidenten Jahjaga për dekoratat dhe i uroi sukses asaj në kryerjen e detyrës së presidentes, duke u shprehur e bindur se ajo do t`ia dalë mbanë kësaj detyrë në mënyrën më të mirë.