E Diel, 1 Nëntor 2026

Media amerikane analizon vaksinën anti-krizë të ekonomisë shqiptare

22-09-2011 / Gazeta 55

Gjatë një interviste për televizionin prestigjioz amerikan, CNBC, kryeministri Berisha kujton se kriza financiare në Greqi dhe Itali, po jep pak ndikim në Shqipëri dhe se rritja vjetore ekonomike e vendit, edhe gjatë 2011-s, pritet të jetë 4-5 për qind. Berisha deklaron se falimentimi grek duhet shmangur, pasi euro ishte një arritje e madhe e BE-së, e cila duhet mbrojtur me çdo kusht

Nga Nju Jorku, kryeministri Sali Berisha në një intervistë dhënë për kanalin televiziv amerikan CNBC, ka deklaruar se kriza e borxheve nuk ka pasur një impakt në ekonominë shqiptare. Referuar krizës në Greqinë fqinje, shefi i ekzekutivit ka thënë se në Tiranë po vlerësohet me kujdes zhvillimi i krizës greke.
Kryeministri Berisha tha se kriza greke por edhe situata e vështirë në Itali, nuk ka pasur një ndikim apo të ketë sjellë efekte negative në Shqipëri. “Mund t’ju siguroj që asnjë pasojë negative nuk ka pasur. Bankat greke në Shqipëri janë në formë të mirë. Emigrantët shqiptar në Greqi po kthehen me të holla, ndaj bizneset ne vendin tim po rriten me 40 për qind. Ne po e shohim me kujdes krizën në Greqi dhe ndikimin që mund të ketë në vend”, u shpreh kryeministri Berisha.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetares së CNBC, Louisa Bojesen, mbi efektet që kriza greke mund të ketë mbi sistemin bankar të Shqipërisë për shkak se shumë banka greke operojnë në vend, Berisha sqaroi se bankat greke e vendit fqinj performojnë shumë mirë në tregun shqiptar. Ndërkohë theksoi se bankat që nuk i përkasin shumë Eurozonës nuk do të ndikohen nga kriza. “Mendoj se bankat në Shqipëri mund të përballojnë recensionin e bankave greke, ato po performojnë mirë, por asnjë kufizim nuk është vendosur nga bankat nënë. Ndaj jam optimist që bankat, jo vetëm ato që i përkasin Eurozonës, të cilët kanë bërë performancë të mirë në vendin tim, do t’ia dalin kësaj krize në mënyrë pozitive dhe nuk do të jenë të prekshme kaq shumë”, theksoi Berisha.
Sipas shefit të qeverisë shqiptare emigrantët e shumtë që po rikthehen në vend nga Greqia apo vendet e tjera kanë ndikon ndikim pozitiv në ekonominë e Shqipërisë. “Kjo forcë punëtore po kthehet, por me ndikim pozitiv. Pasi shumë prej tyre po sjellin investime në vend, disa po sjellin ekspertizën e tyre të mirë. Ekonomia jonë po rritet, papunësia po ulet këto janë të dhënat e fundit dhe ne jemi optimist se do ja dalim”, deklaroi Berisha.
Ndërkaq, pyetjes a ja vlen që Greqia të qëndrojë ne Eurozonë, kryeministri shqiptar vlerësoi se ky është një problem më i madh sesa Greqia, pasi vetë Euro po kalon një periudhë të vështirë. Ndërsa siguroi se të gjithë po punojnë për shpëtimin e Euros. “Mendoj se euro është arritja më e madhe e Evropës në histori dhe duhet të mbrohet dhe të gjithë të punojnë për të”, tha më tej në intervistën e tij për kanalin televiziv amerikan CNBC, kryeministri Sali Berisha.
CNBC është një ndër kanalet prestigjioze televizive, i specializuar në çështjet e biznesit, financave dhe ekonomisë në SHBA dhe në botë.

Zoti Berisha shumë faleminderit që jeni me ne. Më lejoni të bëj një pyetje të përgjithshme fillimisht. Si do ta karakterizonit impaktin e krizës së borxhit në Greqi, mbi Shqipërinë?
Shumë faleminderit që më ftuat. Pa dyshim, kriza e borxhit në Greqi, dhe euro-kriza në tërësi, nuk kanë pasur një impakt pozitiv në vendin tim, për shkak të faktit se pothuajse një milionë shqiptarë punojnë në Greqi. Megjithatë, deri tani mund t’ju siguroj se nuk ka pasur asnjë pasojë negative madhore. Së pari, bankat greke në Shqipëri, mbahen shumë mirë, janë serioze dhe po performojnë mirë. Së dyti, shqiptarët që po vijnë nga Greqia, po investojnë në biznese të reja. Kështu, numri i bizneseve të reja në vendin tim, vitin e kaluar u rrit, dhe po rritet me 40 për qind. Ne po e ndjekim me shumë kujdes zhvillimin e kësaj krize në Greqi dhe rreth e rrotull nesh.

Ju përmendët faktin se bankat greke kanë një pozicion të rëndësishëm në sektorin financiar shqiptar. Për këtë fakt, sektori bankar shqiptar kryesisht është i zotëruar nga të huaj, kryesisht banka të eurozonës. Nëse do të kemi një krizë më të gjerë, ku bankave do t’u duhej të rikapitalizonin, të tkurreshin në Europë, kjo do të krijonte një situatë të vështirë për bankat shqiptare. Mendoni se bankat shqiptare janë gati të përballen me këtë në Shqipëri?
Unë besoj se ato do të mund të përballeshin. Së pari, ata nuk janë aksionerët kryesorë në sektorin bankar në Shqipëri. Së dyti, ato janë duke performuar mirë. Së treti, bankat mëmë u kanë kërkuar të vazhdojnë aktivitetin e tyre, dhe nuk u është vendosur asnjë kufizim nga bankat mëmë në Athinë. Kështu, jam optimist që bankat, që nuk i përkasin eurozonës dhe me një performancë të mirë në vendin tim, nuk do të preken aq shumë.

Zoti kryeministër më kanë treguar se ekonomia juaj vazhdon të fuqizohet nga remitancat nga përafërsisht 20 për qind e fuqisë punëtore që punon jashtë shtetit, kryesisht në Greqi dhe Itali gjithashtu. A shikoni ju ndonjë shenjë që kjo pjesë e fuqisë punëtore po kthehet në Shqipëri?
Po. Kjo pjesë e fuqisë punëtore po kthehet në Shqipëri. Por deri tani me një efekt shumë pozitiv. Në dy aspekte, së pari, shumë prej tyre po sjellin investime në biznesin e vogël në vend.  Së dyti, të tjerët po sjellin një ekspertizë shumë të mirë. Kështu që Shqipëria nuk ka arsye të ankohet për kthimin e emigrantëve të saj. Ekonomia jonë po rritet, papunësia jonë po zvogëlohet. Këto janë të dhënat e fundit dhe ne jemi optimistë që do ta përballojmë mirë këtë situatë.

Zoti kryeministër përpara se t’ju lëmë të ikni, nëse mundem. Cili është opinioni juaj, nëse duhet ta lemë Greqinë të iki apo jo? A ia vlen ta mbajmë Greqinë në zonën euro?
Problemi është më i gjerë se sa vetëm Greqia. Është problem i euros. Dhe unë mendoj se ia vlen të mbajmë euron. Sepse të mbash Greqinë do të thotë në një farë mënyre të shmangësh një efekt domino dhe të mbash euron. Euro, pavarësisht vështirësive me të cilat po përballet tani, besoj se është një nga arritjet më të mëdha të Evropës në historinë e saj. Dhe të mbash euron ia vlen.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›