Vetëm në Kabul mund të ketë më shumë shpërthime tritoli se në Fushë- Krujë
Një qytet në Shqipëri jeton nën terrorin e shpërthimeve të tritolit
Jeta në Fushë- Krujë duket se nuk është e lehtë këto ditë. Është qyteti i një vendi që pretendon të shkojë drejt Europës, por që të kall datën. Lajmet për shpërthime tritoli janë bërë të zakonshme për median, por po terrorizojnë banorët që i përjetojnë ato. Tani shpërthimet e tritolit nuk lidhen vetëm me fabrikën e çimentos, por shpërthime ka edhe brenda në qytet. Gazeta Shqip ka udhëtuar drejt qytetit, ku çdo natë zbarkojnë forcat speciale, që blindojnë qytetin. Megjithatë kjo nuk i pengon shpërthimet e tritolit. I fundit ndodhi një natë më parë në dyqanin e një personi, që nuk di kujt tia vërë gishtin për këtë krim. Dyqanin e kishte marrë me qira. Thotë se nuk ka probleme me konkurrencën, ndërkohë që një vëlla e ka polic, por ai gjithmonë ka punuar në sallë operative dhe është në prag pensioni.
Kryebashkiaku Gjon Bardhi thotë se banorët janë në panik nga shpërthimet. Ai thotë se në Fushë- Krujë janë mbledhur persona nga zona, të cilat për vite kanë qenë problem tejet shqetësues për policinë, siç është rasti i Niklës. Gjatë punës sime kam vënë re se nëse qytetarëve në këtë zonë u tregon forcën, të përgjigjen me ashpërsi, thotë Bardhi.
I pyetur për fabrikën e çimentos, ai thotë se ajo është problematike dhe për të ka shumë ankesa. Bardhi thotë se ajo nuk komunikon siç duhet as me banorët, të cilëve u ka prerë pagesat, por as me bashkinë.
Vetëm në Kabul mund të ketë më shumë shpërthime se në Fushë- Krujë, thotë një banor 60 vjeçar si për ti vënë vulën.