E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kontrolle për sigurinë rrugore në Berat, tre të proceduar penalisht dhe 130 masa administrative

TIRANË, 2 tetor /ATSH/ Policia Rrugore e Beratit ka vijuar gjatë javës së fundit monitorimin intensiv në të gjitha akset rrugore të qarkut, me përdorimin e dronëve, radarëve dhe makinave inteligjente, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe menaxhimin e trafikut.

Sipas Policisë, një nga fokuset kryesore të kontrolleve ka qenë evidentimi i rasteve të drejtimit të mjeteve nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur, si shkelje që përbëjnë një nga burimet e aksidenteve rrugore me pasoja të rënda.

Si rezultat i monitorimeve, gjatë javës së fundit janë proceduar penalisht tre shtetas. Një prej tyre është arrestuar për drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit, ndërsa dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

Policia informon se gjatë kësaj periudhe janë ndëshkuar administrativisht 130 drejtues automjetesh për ndalim ose pushim të automjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore, 102 për parakalime të gabuara dhe 70 për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara.

Masat administrative kanë përfshirë edhe 30 drejtues motomjetesh për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 93 drejtues automjetesh për mosvendosjen e rripit të sigurimit, si dhe 2 drejtues mjetesh për drejtim nën efektin e alkoolit.

Për shkelje të tjera të Kodit Rrugor janë ndëshkuar administrativisht 120 drejtues mjetesh.

Policia Rrugore e Beratit bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut dhe u bën apel drejtuesve të mjeteve të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›