E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrollet e befasishme, gjoba ndaj 250 mjekëve

19/11/2009  ISKSH evidenton shkelje me braktisjen e orarit zyrtar, si dhe trajtimin e pacientëve

Kontrollet e befasishme të ushtruara në poliklinika dhe qendrat shëndetësore në të gjitha rrethet janë shoqëruar me vendosjen e masave të shumta ndëshkuese ndaj stafit mjekësor për shkeljet e konstatuara. Kështu, rreth 250 mjekë janë gjobitur nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, pasi kanë thyer rregullat në punë. Gjatë periudhës janar–tetor 2009 kontrollet janë përqendruar në vlerësimin dhe zbatimin e kontratave me qendrat shëndetësore për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të kujdesit parësor. “Janë kontrolluar 10 rajone të vendit në inspektime periodike dhe të befasishme në lidhje me zbatimin e orarit të shërbimeve shëndetësore. Janë kontrolluar 87 qendra shëndetësore dhe 298 mjekë të familjes të kontraktuar me këto qendra”, - ka pohuar drejtori i Kontrollit të Jashtëm në ISKSH, Pjerin Kodraçaj. Gjatë kontrollit shumë mjekë dhe infermierë nuk janë gjendur në vendin e punës, edhe pse orari zyrtar nuk kishte përfunduar. Sipas Kodraçajt, ka pasur shkelje të disiplinës në punë nga personeli i qendrave, mjekë dhe infermierë, ku në disa qendra të rajoneve Lezhë, Berat, Dibër dhe Tiranë nuk janë gjetur në vendin e punës brenda orarit të miratuar të ofrimit të shërbimeve shëndetësore. Në zbatim të kontratës, janë rekomanduar masa disiplinore “vërejtje” dhe “vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” ndaj 9 mjekëve dhe 7 infermiereve të kontraktuar nga qendrat. Gjithashtu janë konstatuar dhe mangësi në menaxhimin e qendrave shëndetësore nga drejtuesit e tyre, ku janë rekomanduar masa penale ndaj dy drejtuesve në masën 10 mijë lekë dhe si dhe është marrë masa e uljes në detyrë ndaj një tjetër drejtuesi. Kontrollet kanë konstatuar edhe shkelje të shumta me plotësimin e dokumentacionit nga ana e mjekëve të përgjithshëm dhe ata të familjes, kryesisht në keqmenaxhimin e kartelës personale të pacientëve, parimin e zgjedhjes së lirë të mjekut, shkelje të rregullave të kryerjes së vizitës, duke vizituar banorë të pasiguruar, pa zbatuar tarifat e vendosura për shërbimin shëndetësor dhe shkelje të sistemit të referimit, ku janë rekomanduar masa administrative gjobë ndaj 140 mjekëve në vlerën e 361 mijë lekë.

Barnat e rimbursimit

Shkelje të shumta ka pasur edhe në ndarjen e barnave të rimbursimit. Kështu, stafet mjekësore të disa qendrave kanë vepruar në shkelje me protokollet e përdorimit të barnave, përcaktimet e listës së rimbursueshme, mosargumentim të vendosjes së diagnozës dhe mangësi të ekzaminimeve laboratorike dhe imazherike për përcaktimin e diagnozës dhe mjekimit. Për këto janë vendosur gjoba ndaj 110 mjekëve, që kap vlerën 780 mijë lekë.

Moszbatimi i orarit

Kontrollet kanë konstatuar shkelje të disiplinës në punë nga personeli i qendrave shëndetësore, mjekë dhe infermierë. Në disa qendra të rajoneve Lezhë, Berat, Dibër dhe Tiranë nuk janë gjetur në vendin e punës brenda orarit zyrtar. Në zbatim të kontratës, për këto raste janë rekomanduar masa disiplinore “vërejtje” dhe “vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” ndaj 9 mjekëve dhe 7 infermiereve të kontraktuar nga qendrat.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›