E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli ekonomik i elitave të vjetra

Elian Gjini/ Central European University, Budapest

-Në përputhje me frymën e epokës së Ndriçimit (Enlightenment), Marx thotë se 'feja është opium për popullin.' Në Shqipëri ajo 'fe' që ka qenë opium për popullin, ka qenë 'klasa politike' (nëse mund të marr hua shprehjen 'klasë' nga Marksizmi). Gjatë gjysmë shekullit komunist një klasë laiko-fetare e ashtuquajtur shkencore-politike do të udhëhiqte Shqipërinë, drejt një gremine ekonomiko-politiko-fetare. Kjo klasë do të konkurronte çdo lloj besimi tjetër fetar dhe do t'i nxirrte ato si të pavlefshme. Sepse fetë mbizotëruese, myslimanizmi, ortodoksia, katolicizmi, etj., nuk e dinin 'të vërtetën.' Ishin ata që "i dinin të gjitha" - të mirën e të keqen -  dhe dinin të këndonin më mirë ungjillin e perëndisë së shqiptarit. Ishin ata 'priftërinj- (e hoxhallarë-) komunistë që sikur Zoti i kishte ngarkuar detyrën e shpëtimit të këtij populli. Popullit do ti servirej 'e vërteta' nëpërmjet 'priftërinjve e hoxhallarëve' të vërtetë. E vërteta ishte e arritshme këtu, dhe ishte materialiste. Për asgjë tjetër nuk kishte nevojë shqiptari, pavarësisht faktit se vetë ajo ideologji përbënte një 'fe' më vete laike në kuptimin e plotë të fjalës. Konkurrenca u lejua por vetëm brenda 'kishës' komuniste. Ajo do sillte në 'treg' prift-komunistin 'më të ditur' dhe do spastronte radhët e 'kishës' komuniste nga të vobektët dhe ata që 'nuk dinin'. Në mes të krizës totale që vijoi,  nga shkretëtira shqiptare, doli një 'klasë e re' prifto-politiko-laike. U zbulua se priftërinjtë komunistë nuk e dinin të vërtetën, kurse këta 'e dinin' dhe vazhdojnë 'ta dinë' të vërtetën. Dhe jo vetëm 'e dinë', por 'e vërteta' është në zotërimin e tyre. Të veshur me rrobën fetare të politikanit laik kjo klasë e re iu fal Zotit dhe Ai i dëgjoi - Ai u dha bekimin që ta udhëhiqnin shqiptarin drejt progresit. Ndryshe nga hera e parë, konkurrenca do të lejohej midis 'kisho-xhamive' laike dhe gjithashtu midis prifto-syreshve brenda këtyre institucioneve - "syreshë" do të thotë ata poshtë 'majës' së piramidave. Bekimin prifto-laiku i majës e mori për gjithë jetën e tij ('e saj,' si në gjininë femërore, nuk ekziston për këtë rast). Që mos të humbim gjurmë, edhe ata fetarët komunistë për të njëjtin progres u betuan dhe morën bekimin e Zotit (e popullit). 

Të Mjerët

Populli e ndoqi prifto-komunisto-çobanin dhe drejt greminës shkuan si një trup i vetëm - ata që shpëtuan iu falën prapë perëndisë për mëkatet. Me zell fetari (apo pagani për ata që mendojnë ndryshe), entuziast, dhe afsh mëkatari, populli u pendua dhe filloi të ndiqte këta 'priftërinjtë' e rinj "kudo që ata do të shkonin," siç thotë edhe Bajroni - natyrisht sipas klaneve dhe fiseve këtë radhë. Dhe këta 'të rinjtë' me bekimin e popullit (apo Zotit), si fallxhorë të vërtetë dhe me turne 4-vjeçare, ia filluan punës - të mblidhnin taksën/qiranë e duhur për kaluar në anën matanë, në parajsë. Kur turnet ndërroheshin, si me magji, ata që ndodheshin në 'parajsë' e gjenin vetveten në 'ferr' dhe anasjelltas. "E vërteta' e druajtur dhe dhelparake, njëherë kalonte andej e një herë këndej. Në fillim të shekullit të XVI-të Lutheri e pa 'të vërtetën' nga afër. Për një shumë të caktuar mëkatet faleshin - çdo mëkat - nga Kisha Katolike dhe parajsa vinte kaq afër mëkatarit. Kaq shumë u shokua Lutheri nga kjo veprimtari e kishës katolike saqë përfundimisht vendosi të përballej vetë 'me të vërtetën' dhe i hapi kështu rrugën Protestanizmit, Kalvinizmit e çfarë vijoi - çdo kush nëpërmjet 'besimit' tek vetvetja (jo besimin tek prifti) gjen Zotin e parajsën e vet. Një Luther laik është nevojë e domosdoshme për të konkurruar këto piramida fetaro-politike që me metastazat e tyre i marrin gjakun si njërës palë ashtu edhe tjetrës. "Njëra palë apo pala tjetër" në terma makro ekonomikë nuk ka shumë rëndësi, pasi bashkë ato përbëjnë një njësi. Kjo do të thotë që pasuria thjesht ndërron duar, dhe kur njëra palë apo tjetra vuan, e gjithë njësia vuan në total, besimi në 'progres' dobësohet e rrjedhimisht tregu e institucione lëngojnë. Shqipëria (për mua) është në krizë besimi më shumë e jo vetëm në krizë ekonomike (politike). Të dyja përforcojnë njëra-tjetrën, pasi 'besimi' është komponenti më kryesor i funksionimit të rregullt të tregut, të çdo ekonomie tregu. Në botën perëndimore ajo fe laike që ka përmbushur dhe konkurruar fetë e tjera ka qenë 'tregu'. Progresi (nëse ka një gjë të tillë?) është i mundshëm nëse ia lëmë në dorë këtij mekanizmi të bëjë punën e vet. Dhe për të qenë të saktë ky mekanizëm arriti për shumicën e njerëzve një mirëqenie më të lartë 'materialiste,' pavarësisht faktit që nga ana sociale, shoqërore e mjedisore ka sjellë shumë probleme. Por tregu ka qenë bazuar mbi institucione funksionale, efikase dhe të besueshme. Këto institucione në Shqipëri janë zaptuar nga një 'klasë fetaro-politike' taksat/qiratë e së cilës e kanë penguar dhe lidhur tregun e lirë me zinxhirë...(vijon nesër)


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›