Kontrolli, gjyqtarët me shkelje në 166 procese
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë publikoi dje problematikat e gjetura nga një inspektim i kryer në gjykatat e rretheve kryesore të vendit si edhe në Gjykatën Për Krimet e Rënda. Inspektimi ka përfshirë 166 çështje penale në lidhje me vepra veçanërisht të rënda, me ndikim e ndjeshmëri më të lartë për publikun, si vrasjet, trafikimet, shpërdorimet e detyrës etj. Një nga problemet e konstatuar nga inspektimi ishte mosraportimi në organet përkatëse për prokurorët dhe avokatët që shtyjnë pa shkak ose me qëllim seancat gjyqësore. U bë e ditur se raporti përmban edhe një sërë rekomandimesh për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, me qëllim përmirësimin e administrimit të procesit gjyqësor. Këto rekomandime i janë përcjellë Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa raporti i inspektimit iu është përcjellë gjykatave, me qëllim që gjyqtarët të marrin në konsideratë konkluzionet e tij. Nënkryetari i KLD-së, Spahiu, tha dje se inspektimi ishte kryer në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe i përket harkut kohor 2007-2008. Inspektimi ka përfshirë disa gjykata të rretheve gjyqësore, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale veçanërisht të rënda, siç janë vrasjet, trafikimet, shpërdorimet e detyrës etj. Inspektimi është kryer për vitet 2007-2008 dhe vetëm për sa i përket Inspektoratit të KLD-së janë inspektuar 166 çështje penale, tha Spahiu. Sipas nënkryetarit të KLD-së, së pari janë vetë gjyqtarët ata që duhet të zbatojnë të gjitha kompetencat që u jep ligji për të përfunduar gjykimin në kohë sa më të shkurtër, si edhe për të ndëshkuar veprimet e paligjshme të çdo pale në proces, me qëllim zvarritjen e gjykimit. Si problematika të hasur nga inspektimi Spahiu veçoi: mos zhvillimin e gjykimeve të pandërprera; shtyrjen e gjykimit më shumë se afati 15-ditor i përcaktuar nga ligji; dorëzimin e vendimit të arsyetuar përtej afateve proceduriale; si edhe mos raportim tek organet përkatëse për Prokurorët ose Avokatët që shtyjnë pa shkak ose me qëllim seancat gjyqësore. Në lidhje me rekomandimet e përcjella Ministrisë së Drejtësisë, nënkryetari Spahiu theksoi rritjen e kompetencave të gjykatës për marrje masash ndaj avokatëve. Të tjera rekomandime Spahiu përmendi uljen e kuorumit të gjyqtarëve, si për disa lloje të veprave penale, ashtu edhe për Gjykatën e Krimeve të Rënda; përcaktimin e një kuorumi për vendimet unifikuese; kufizimin e të drejtës së Gjykatës së Apelit për të dërguar çështjen për rigjykim;, si dhe përcaktimin e së drejtës së gjykatës për të pushuar disa çështje penale. Nga KLD u vendos që raporti i inspektimit ti kalojë për veprime të mëtejshme ministrit të Drejtësisë, si autoriteti i vetëm kompetent për të ndërmarrë apo për të iniciuar një procedim disiplinor kundër gjyqtarit, u shpreh Spahiu.