E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa jetë 55-vjeçari, familja: Qëlloi veten

TIRANE Një person ka gjetur vdekjen mbrëmë në periferi të kryeqytetit, pasi është qëlluar me një çifte gjahu. Policia tha se viktima është shtetasi Gëzim Hyka, 55 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në banesën e viktimës në fshatin Hekal të Tiranës. Në orët e mbrëmjes, policia është njoftuar për ngjarjen e ndodhur në banesën e familjes Hyka dhe menjëherë shërbimet e rendit janë nisur drejt vendit të ngjarjes. Me të mbërritur në banesë, policia ka nisur këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe hetimet e rastit. Të dhënat e para flisnin për një skenë krimi të ngjashme me vrasjen, mirëpo familjarët e viktimës u morën në pyetje dhe thanë se 55-vjeçari qëlloi veten me çifte. Sapo është marrë njoftimi është ngritur grupi hetimor, i cili së bashku me Specialistë të Hetimit dhe Parandalimit të Krimit ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur veprimet e para hetimore, tha policia. Sipas burimeve zyrtare, hetimi për ngjarjen po zhvillohej mbrëmë në dy pista, vrasje nga pakujdesia ose vetëvrasje. Policia ka zgjedhur të bëjë një ndërfutje mes dëshmive të të afërmve të viktimës dhe provave në vendin e ngjarjes për të sqaruar vdekjen e 55-vjeçarit. Kjo pasi nuk është e qartë nëse vrasja nga pakujdesia ka ndodhur nga vetë viktima apo nga anëtarë të tjerë të familjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›