E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kontrolli i vilës në Hamallaj, Arben Ahmetaj rekurs vendimit në Gjykatën e Lartë

Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë të kontrollit të vilës në Hamallaj, të cilën e konsideron të paligjshëm.

Më herët Ahmetaj ankimoi vendimin në Apelin e GJKKO, por kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata duke e konsideruar vendimin e kontrollit të drejtë. Kërkesa e rekursit në Gjykatën e Lartë është regjistruar më 19 prill dhe relator i çështjes është caktuar Medi Bici.

Disa javë më parë Byroja Kombëtare e Hetimit e SPAK, ndërmori kontrolle në vilat në pronësi të bashkëjetueses dhe ish gruas së zotit Ahmetaj. Njëra prej vilave ndodhet në Hamallaj dhe tjetra në Palasë.

Kontrollin e ushtruar më 9 mars nga Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, avokatët mbrojtës të Ahmetajt e kundërshtuan me pretendimin se SPAK ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën, duke mos marrë një autorizim nga Kuvendi për kontrollin e banesës ku deputeti bashkëjeton me shtetasen Erjola Hoxha, por ky pretendim nuk u mor parasysh nga gjykata.

Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është nën hetim nga SPAK për 4 akuza të rënda, atë të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit, pastrimit të parave dhe përftimit të paligjshëm të interesave.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›