E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vrasja e Nikulajt, Manja: Të zbardhet menjëherë ngjarja, autorët të vihen para drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar mbi vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin. Teksa ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimës, Manja u ka kërkuar organeve ligjzbatuese zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes dhe vënien e autorëve përpara drejtësisë.

“E para dua të shpreh ngushëllimet e mia, për familjarët dhe të afërmit e viktimës së djeshme në Lezhë dhe solidaritetin tim. Jemi shqiptarë dhe më pas jemi aleat apo kundërshtarë politik. Por në rastin konkret duhet të bashkohemi në një kërkesë, atë të zbardhjes menjëherë të kësaj ngjarje dhe të vënies të autorëve të këtij krimi të shëmtuar përpara drejtësisë”, tha Manja.

Më tej, Ministri ka dhënë dhe një përgjigje ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha se vrasja ndodhi për qëllime politike, duke i konsideruar si deklarata të nerveritshme dhe përçmuese.

Sipas Manjës, personat që bëjnë akuza të tilla mbi vrasjen, e kanë në ADN-në e tyre politike përdorimin e viktimave, dhe nxitjen e përçarjeve për qëllime të përfitimeve politike.

“Lidhur me akuzat e djeshme, unë kam neveri dhe përçmim sepse janë të njëjtën njerëz që vëlla vrasjen, nxitjen e përçarjes dhe përdorimin e viktimave për qëllime të përfitimit politik, apo qëllime personale e kanë pasur pjesë të ADN-së së tyre politike këtu e 32 vjet. Më vjen neveri dhe përçmim por është momenti të ftoj organet ligjzbatuese që të zbardhin ngjarjen dhe autorët të shkojnë përpara drejtësisë”, përfundoi Ministri.

Ditën e djeshme (19 prill), Ardian Nikulaj, kandidati për deputet i PSD në zgjedhjet e vitit 2021, i cili po ashtu në zgjedhjet vendore të 14 Majit ishte kandidat i kësaj partie për këshillin bashkiak, u vra me armë brenda lokalit të tij në Shëngjin

Ardian Nikulaj kishte vetëm 5 minuta që kishte hyrë në lokalin e tij. Ndërsa ka qenë duke folur me vjehrrin e tij, autori i veshur si polic rrugor, me skafandë motori në kokë, jelek fosforeshent, dhe një maskë anticovid ka hyrë dhe e ka qëlluar me pistoletë. Ekzekutimi ka ndodhur në sy të vjehrrit të viktimës dhe e gjithë skena është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›