Sondazhi i AP-NORC: Trump i rrezikuar nga hetimet në Xhorxhia dhe Uashington

Ish-presidenti, Donald Trump, ka dalë kryesisht i padëmtuar politikisht nga padia e ngritur ndaj tij në Nju Jork. Por një sondazh i ri zbulon se hetimet në Xhorxhia dhe Uashington mund të jenë më problematike.
Vetëm 4 në 10 të rritur amerikanë besojnë se ish-presidenti Trump, ka vepruar në mënyrë të paligjshme në Nju Jork, ku është akuzuar për lidhje me pagesat e fshehta të bëra për gratë që pretendonin se kishin patur me të marrëdhënie seksuale.
Sondazhi i agjencisë së lajmeve Associated Press dhe Qendra për Kërkimin e Marrëdhënieve Publike NORC, zbulon se rreth gjysma e të gjithë të rriturve amerikanë besojnë se ai ka thyer ligjin në Xhorxhia, ku është nën hetim për ndërhyrje në numërimin e votave në zgjedhjet e vitit 2020.
Sondazhi zbulon se rreth gjysma e të anketuarve mendojnë në mënyrë të ngjashme për rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021 dhe trajtimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në Mar-a-Lago, të dyja çështje nën hetim nga Departamenti i Drejtësisë.
Gjetjet tregojnë se akuzat e mundshme në të ardhmen kundër zotit Trump, mund të jehojnë më shumë në publikun amerikan, sesa mbulimi i supozuar i pagesave ndaj aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels, si dhe grave të tjera në kulmin e fushatës së vitit 2016, akuza që gati 6 në 10 të rritur amerikanë besojnë se ishin të motivuar politikisht.
Çështja tërhoqi mbulim intensiv mediatik dhe e bëri atë ish-presidentin e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që akuzohet penalisht. Ekspertët ligjorë kanë argumentuar se hetimet e tjera paraqesin rrezik shumë më serioz.
Rasti i Xhorxhias, në veçanti, ka të bëjë edhe me disa mbështetës të vjetër të zotit Trump. Sondazhi ofron prova të mëtejshme se Trump është përballur me pasoja të kufizuara politike nga aktakuza, e cila rezultoi me një përfitim masiv të grumbullimit të fondeve.
Fushata e tij grumbulloi më shumë se 15 milionë dollarë, që kur u publikua lajmi i aktakuzës, një pjesë e madhe nga donatorët e rinj.
Sondazhi zbulon se vetëm 30% e amerikanëve, përfshirë 55% e republikanëve, thonë se duan që zoti Trump të kandidojë përsëri për president në vitin 2024. Këto shifra kanë ndryshuar pak nga një sondazh i AP-NORC i kryer në janar. Apnews
/rtsh.al/