E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ruajtja e biodiversitetit, studimi: Objektivat nuk do mund të arrihen nëse nuk veprohet urgjentisht

Objektivat ambicioze për të ndaluar rënien e biodiversitetit tashmë mund të mos jenë më të arritshme, sugjeron një studim.

Shkencëtarët thonë se efektet e ndryshimit të klimës dhe humbjes së habitatit në popullatat e kafshëve janë nënvlerësuar.

Sipas studimit, ruajtja e kafshëve të egra që po shkojnë drejt zhdukjes mund të jetë e pamundu nëse nuk veprohet tani. Në dhjetor, pothuajse 200 vende ranë dakord të ndalonin rënien e natyrës deri në fund të dekadës.  Ata vendosën synime ambicioze për të ndalur humbjen e biodiversitetit dhe për të mbrojtur 30% të tokave dhe deteve deri në vitin 2030.

“Ajo që nënvizon kjo analizë është se është edhe më e vështirë nga sa mendojmë për të arritur objektivat. Ne duhet të veprojmë më urgjentisht dhe më shpejt, për t’i arritur ato“, tha Dr Robin Freeman i Institutit të Zoologjisë ZSL në Londër.

Studimi, i botuar në revistën Royal Society, analizoi tendencat në popullatat e më shumë se 600 llojeve të ndryshme të shpendëve dhe gjitarëve.

Hulumtimi sugjeron që veprimet e menjëhershme për gjëra të tilla si gjuetia e paqëndrueshme dhe shfrytëzimi i tepërt i burimeve natyrore do të kenë përfitime të menjëhershme dhe të gjera.

Më shumë bimë dhe kafshë po zhduken se në çdo moment tjetër të historisë njerëzore. Në dhjetor, vendet nënshkruan një marrëveshje historike që përcakton synimet globale për të trajtuar humbjen e biodiversitetit.

Një total prej 188 qeverish, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, u angazhuan për objektivat globale për vitin 2030, nga ulja e mbetjeve globale të ushqimit, deri tek heqja graduale e subvencioneve që dëmtojnë biodiversitetin./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›