Kontrolli në kampin e MEK/ Berisha: Një krim i shëmtuar, inkursion banditesk i policisë me urdhër të Ramës

Një krim i shëmtuar e ka konsideruar ish-kryeministri Sali Berisha operacionin e policisë në kampin e refugjatëve iranianë, në Manzë të Durrësit.
Në një deklaratë per mediat, Berisha teksa dënon dhunën e ushtruar, sipas tij e urdhëruar nga kryeministrit Edi Rama, tha se objektet e konfiskuara janë marrë pa lënë asnjë dokument, asnjë procesverbal nga ana e Policisë së Tiranës duke i bërë veprime banditeske.
“Inkursioni agresiv dhe banditesk i Policisë së Shtetit me urdhër të Edi Ramës në kampiun e refugjatëve iranianë, në Manzë përbën një krim të shëmtuar, përbën një dhunim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit, konventave ndërkombëtare për refugjatët, traditës shqiptare dhe detyrimit që vjen nga kjo traditë.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe, terrorin fizik, psikologjik të gjithanshëm të ushtruar ndaj muxhahedinëve. Dënoj me ashpërsinë më të madhe, dhunën e egër fizike e cila ka pasur pasojë deri më tani 1 të vdekur me plagë të shumta dhe mbi 40 të plagosur, një pjesë e të cilëve janë në spitalet e vendit.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe veprimet dhe i konsideroj banditeske ato, pasi të gjitha objektet e konfiskuara janë marrë pa lënë asnjë dokument, asnjë procesverbal nga ana e Policisë së Tiranës.” u shpreh Berisha.
Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në ambientet në territorin e kampit MEK në Manzë të Durrësit, në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe parandalimit të sulmeve kibernetike.
Këto kontrolle u kundërshtuan nga banorët e Ashrafit të cilët u përshkallëzuan, duke sjellë përplasje fizike me efektivët e Policisë. Banorët e Ashrafit pretendojnë se policia është sjellë si diktatore në kontrollet e ushtruara brenda kampit, duke akuzuar efektivët për vdekjen e një prej banorëve.
Ministria e Brendshme ka reaguar mbi këto akuza, duke bërë me dije se nuk ka humbje jete dhe as të lënduar.
/rtsh.al/