Enti Rregullator i Energjisë/ Baçi: Qeveria vjedh konsumatorin! Kreu i Bordit: Ligji i ri adreson çdo problematikë

Komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka zhvilluar sot seancën dëgjimore me Bordin e Entit Rregullator të Energjisë për raportin vjetor të 2022.
Deputeti demokrat, Luan Baçi ka akuzuar qeverinë se po vjedh konsumatorin. Sipas Baçit, prej 6 vitesh, qeveria në mënyrë publike, vjedh prodhuesit, pasi ndonëse konsumatorët kanë prodhim të tepërt të energjisë, kjo e fundit merret pa shpërblim nga qeveria.
Ndonëse gjatë verës prodhohet shumë energji, konsumatori gjatë muajve të dimrit detyrohet ta blejë. Dhe kjo, sipas Baçit, për faktin se nuk ka administrim dhe vidhet prej qeverisë.
“Bizneset prodhojnë energji. Madje sipas informacioneve, bilanci i tyre bëhet mujor akoma. Dhe nëse ata prodhojnë energji elektrike brenda një muaji, kur ka shumë diell, prodhojnë energji që plotësojnë nevojat e tyre dhe pjesa tjetër kalon në rrjet dhe merret pa shpërblim. Në dimër ka muaj që se prodhojnë dot energjinë dhe detyrohen të paguajnë atë pjesë që se prodhojnë dot. Nga 2017 deri në 2023 është në mënyrë të qëllimtë që qeveria dhe ju si ent, çfarë kërkesash, përpjekjesh keni bërë që të marrë fund kjo histori që është vjedhje? Kjo është e paimagjinueshme dhe e pafalshme.
Inceneratori i Elbasanit në gusht 2022 ka prodhuar 6792 megavat. Kjo është e dhënë e juaja e saktë. Sipas informacionit ka një fuqi 2.85 megavat. Nëse për në gusht ka punuar 24/24 ka prodhuar jo më shumë se 2100 megavat. Është lapsus apo thjeshtë për të krijuar idenë se inceneratori ka prodhuar energji më shumë”, tha deputeti demokrat.
Ndërsa kreu i bordit, Ahmetaj u shpreh se në ligjin e ri, trajtohet problematika e ngritur nga deputeti. Ahmetaj sqaroi se sistemi i matjes së energjisë është me dy drejtime, energjia që merret nga rrjeti dhe ajo që hidhet në të. Por, sikurse tha Ahmetaj, ka raste kur konsumatori merr më shumë energji se sa ka prodhuar dhe për këtë, bëhet kompensimi në sasi.
Bilancet, theksoi ai, janë 6-mujore ose vjetore, ku bëhet gjithashtu dhe kompensimi i konsumatorit.
“Tanimë ka dalë ligji që pritet të zbatohet në vazhdim. Ky bilanc nuk është kaq i dukshëm. Energjia që ngelet e pakonsumuar te konsumatori, kërkon vëmendjen e vet dhe mënyra si do trajtohet kjo energji e kemi në ligjin e ri.
Nëse ka një prodhim më shumë dhe konsumatori nuk e përdor por e hedh në rrjet, sistemi i matjes është me dy drejtime, që është i detyruar, energjia që merret nga rrjeti dhe ajo që hidhet në rrjet. Mekanizmi është shumë i thjeshtë, vetëm sasia e energjisë e cila do të paraqitet mund të behet bilanc 6-mujor ose vjetor. Sepse duke qenë se vetëm konsumatori shpesh nuk e konsumon dot gjithë energjinë, e hedh në sistem. Por ka momente kur konsumatori merr energji më shumë dhe bëhet një kompensim në sasi.
Ky është mekanizmi që përdoret. Prandaj dhe bilancet bëhen 6-mujore ose vjetore ku bëhet kompensimi në vlerë ose çmim. Ligji i ri e ka adresuar këtë gjë”, sqaroi Ahmetaj.
/rtsh.al/