E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli rrëzon akuzat mbi Teatrin

 
Publikohet raporti final i auditit të MTKRS mbi Teatrin Kombëtar. Nuk vërtetohen akuzat e ngritura për abuzime financiare. Rekomandohen gjoba minimale për shkeljet e hasura dhe ndjekje ligjore për ish-magazinieren
 
 
Dy gjoba 5 mijë lekëshe, një ndjekje në rrugë ligjore dhe një paralajmërim me shkrim. Këto janë rekomandimet e grupit të auditit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, pas kryerjes së kontrollit në Teatrin Kombëtar. Masa të buta këto për një institucion, i cili për ditë të tëra po akuzohet për abuzime financiare. Raporti i MTKRS-së nuk vërteton përvetësime parash të fituara nga bileta të falsifikuara, apo nga "çeqe të bardhë" të firmosur. Sigurisht që aty konstatohen edhe shkelje, një prej të cilëve, ai më i rëndi, është bërë dy vjet më parë, në kohën e një tjetër drejtori. Madje për këtë rast drejtori aktual mori masa të menjëhershme. Pas letrës së dërguar në MTKRS nga aktori Hervin Çuli, ku raportonte "skandalin" me biletat e falsifikuara, në TK mbërrin kontrolli i ministrisë. Pas 11 ditësh kontroll në teatër, ku u mor në shqyrtim i gjithë dokumentacioni që lidhet me fondet buxhetore, donacionet e sponsorizimet për periudhën nëntor 2006- shtator 2007, grupi i punës nxjerr raportin final, që i është dorëzuar teatrit më 5 nëntor. Një dokument i cili dje iu vu në dispozicion edhe mediave, ndërsa pritet të dalë edhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nga auditimi mbi përdorimin e fondeve buxhetore, rezulton se "realizimi i zërave është bërë konform udhëzimeve në zbatim të ligjit, sipas planifikimit mujor. Të dhënat për realizimin e buxhetit janë të raportuara në drejtorinë e buxhetit në MTKRS dhe të konfirmuara nga dega e thesarit Tiranë". (Gjatë vitit 2006 TK ka pasur një fond buxhetor prej 76.545 lekësh, i cili sipas raportit është realizuar në masën 97%, ndërsa për 9-mujorin e vitit 2007, fondi prej 80.500 lekësh është realizuar në masën 76%.) Gjithashtu prokurimi i mallrave dhe shërbimeve të kryera në funksion të veprimtarisë së institucionit janë kryer në bazë të udhëzimeve përkatëse "Për blerjet e vogla" dhe "Për rregullat e prokurimit publik". Rezulton në rregull i gjithë dokumentacioni lidhur me urdhër-prokurimet, proces-verbalet, fatura tatimore, hyrje-dalje, etj. Në raport jepen me hollësi të gjitha blerjet e bëra, tenderat, shpenzimet nga të ardhurat e biletave dhe sallave, etj. Nga auditimi i veprimeve të kryera me arkë dhe në bankë, rezulton se "në përgjithësi lëvizjet e vlerave monetare janë kryer përmes dokumenteve përkatës". Por kontrolli ka gjetur edhe urdhër prokurime për blerje të vogla me numra rendorë të korrigjuar. Një rast i tillë është ai i datës 25 korrik 2007 me shumë 2.500 lekë me të cilin janë prokuruar "Kurorë" për ceremoninë e aktores Violeta Manushi. Por më tej rezulton se kjo blerje është kryer me mandat pagesë dhe në bazë të procesverbalit të nënshkruar nga komisioni i blerjeve të vogla. Gjatë auditit në magazinën e institucionit u konstatua një shkelje e nëntorit të vitit 2005, për hyrjen dhe daljen e një sasie prej 2 mijë litrash naftë, të pashoqëruar me urdhër-dorëzim, urdhër-prokurim, procesverbal dhe faturë tatimore. Një veprim në kundërshtim me ligjin, për të cilin sipas raportit mban përgjegjësi magazinierja Luljeta Doko, për të cilën është ndërmarrë masa e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës, n/drejtori Besim Kurti dhe ish-drejtori Kiço Londo. Ka rezultuar gjithçka në rregull në arkën e institucionit, sportelin e biletashitëses, numrin e biletave të shitura. Gjatë këtij kontrolli zbardhet edhe "skandali" i biletës së korrigjuar. Mësohet se ka qenë ish-magazinierja që ka vënë në dispozicion fotokopjen e një bilete me çmim 150 lekë, të korrigjuar në 300 lekë. Sipas raportit, bileta nuk është e plotësuar me datën, numrin e radhës dhe të karriges, që do të thotë se bileta nuk është shitur. Nga ballafaqimi me drejtorin ekonomik dhe materialeve të vëna në dispozicion, "bileta me çmim shitje 150 lekë u vendos t'i ndryshojë çmimi për shfaqjen "Korbi i bardhë" dhe do të shiteshin me shumën 300 lekë, gjë që do të vërtetohej me vulën e institucionit, pasi biletat me çmim 300 lekë ishin në sasi të vogël dhe nuk ishin prodhuar akoma". Por këto bileta rezultojnë të mos kenë dalë tek biletashitësja, pasi biletat 300 lekëshe arritën të prodhoheshin në kohë. Nga verifikimi i numrit të kontrollit të biletës rezulton se bileta e vënë në dispozicion ishte vazhdimësi e biletave gjendje në magazinë. Në përfundim kontrolli rekomandon pagimin e tatimit të burimit për pagesat e bëra për orët jashtë orarit, gjobitjen me nga 5 mijë lekë të kryetarit të entit prokurues dhe të kryetares së komisionit për blerje të vogla, një vërejtje me shkrim për këtë të fundit për mosushtrim të plotë të detyrës dhe ndjekje në rrugë ligjore për ish-magazinieren, Luljeta Doko. Këto ditë pritet të dalë dhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nëse edhe ky raport mbështet atë të parin, atëherë të gjitha akuzat e ngritura deri më sot nuk janë veçse një fluskë sapuni. Megjithatë dikush duhet të mbajë përgjegjësi për tymnajën e shkaktuar. Teatri Kombëtar ndoshta nuk është ai që ne dëshirojmë të jetë, por të flasësh për vjedhje është përgjegjësi e madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›