Malaj-Tahiri, incident me fyerje e sharje në Kuvend
Shkaku i përplasjes ka qenë një batutë e Malajt, e cila nuk është pritur mirë nga Tahiri, që nga ana e tij ka reaguar ashpër. Deputetët në fillim kanë shkëmbyer fjalë fyese, por më pas është dashur ndërhyrja e kolegëve
Prag-kongresi ka tensionuar së tepërmi situatën mes radhëve të socialistëve. Ajo që nisi si një incident një javë më parë në turin e Arben Malajt në Kombinat, ku disa persona i prishën takimin me mbështetësit e tij, ka përfunduar dje në një konflikt mes socialistësh në sallën e Kuvendit, në prani edhe të kamerave dhe deputetëve të mazhorancës. Vetë Malaj për pak sa nuk është përfshirë në konflikt fizik me deputetin tjetër socialist, Sajmir Tahiri, i cili është lakuar si nxitësi i incidentit të një jave më parë në Kombinat, dhe kjo për shkak se është deputet i kësaj zone dhe kryetar i PS-së së Tiranës.
Debati
Ndërsa seanca plenare pritej të ishte e qetë për shkak se rendi i ditës nuk përmbante ndonjë temë të nxehtë, kanë qenë vetë socialistët ata që e kanë bërë atë interesante me sherret e tyre. Ndërkohë që seanca vazhdonte të ecte normalisht dhe pa ndonjë interes, deputetët socialistë në radhët e para kanë nisur të merren me veten, duke shkëmbyer batuta mes tyre. Ka qenë deputeti Fino ai që ka nisur batutat me humor ndaj Malajt për një shkrim të tij në shtypin e djeshëm. Malaj më pas ka shpotitur me fjalë thumbuese deputetin Tahiri, për të cilin gjatë javës që po lëmë pas u pretendua se ka organizuar incidentin e takimit të Kombinatit. Kaq ka mjaftuar që dy deputetët Malaj dhe Tahiri, të ndodhur në të njëjtën tavolinë në sallë dhe fare afër njëri-tjetrit të përfshihen në një debat që ka kaluar në fyerje reciproke. Deputetë që kanë qenë afër tyre kanë bërë të ditur se dy protagonistët e këtij konflikti pasi kanë shkëmbyer disa fjalë njëri me tjetrin, kanë kaluar dhe në ofendime. Mësohet se Tahiri ka lëshuar sharje të rënda kundrejt Malajt, çka ka bërë që dy deputetët të mos e përmbajnë më qetësinë dhe janë ngritur për t’u konfliktuar edhe fizikisht. Ka qenë pikërisht ndërhyrja e kolegëve të tjerë, si Erion Braçe dhe Mimi Kodheli, ajo që ka bërë që dy kolegët e tyre të mos përplasen fizikisht. Më pas është dashur edhe ndërhyrja e deputetit tjetër socialist Arben Çuko, ai që ka marrë mënjanë Tahirin duke shmangur një incident edhe më të rëndë në prani të kamerave dhe sytë e kolegëve të tyre të djathtë.
Incidenti i Kombinatit
Një javë më parë, deputeti Arben Malaj i shoqëruar edhe nga deputeti tjetër Andis Harasani ndërsa vijonin turin e tyre për demokratizimin e partive politike shqiptare në Kombinat, u përballën me një situatë aspak të lehtë për t’u menaxhuar. Ndërsa Malaj vazhdonte fjalimin e tij para të pranishmëve që kishin mbushur një prej lokaleve të Kombinatit, disa persona janë futur në të dhe kanë nisur të shajnë të pranishmit dhe organizatorët e tij. Kur kishin kaluar rreth 35 minuta nga fillimi i bashkëbisedimit, dy deputetët e pranishëm, për të shmangur precipitimin e situatës e panë të arsyeshme ta mbyllnin aktivitetin më shpejt se sa ishte parashikuar. Për këtë incident, megjithëse jo publikisht organizatorët e këtij takimi hodhën dyshime se ai ishte nxitur nga kolegu i tyre deputet, kryetari në detyrë i PS-së së Tiranës, Sajmir Tahiri.
Gjoba ndaj Tahirit ndërpret seancën e Kuvendit
Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri është bërë dje protagonist dhe i një episodi tjetër në sallën e Kuvendit, çka u bë dhe shkak për ndërprerjen për disa minuta të tjera të seancës. Teksa në rend të ditës ishte diskutimi i marrëveshjes së liberalizimit të vizave me Serbinë, Tahiri ka marrë fjalën dhe ka folur për një çështje tjetër dhe që kishte të bënte me atë personalisht. Pikërisht gjoba prej 3.3 milionë lekësh, me të cilën Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë e dënoi për shpifje ndaj deputetes demokrate Albana Vokshi. Para dy ditësh pa u zbardhur ende vendimi i gjykatësit, në media u përhap lajmi se unë u dënova me një gjobë 33 milionë lekë të vjetra për deklaratat e mia ndaj një deputeteje. Gjyqtari me emrin Asim Vokshi më dënoi pse thashë të vërtetën për Albana Vokshin, kur ndërkohë në po të njëjtën ditë, pse vdiq një minator dhe u plagosën 8 të tjerë në Bulqizë, kompania u dënua vetëm me 500 mijë lekë të vjetra. Që këtu vdesin 26 veta në Gërdec dhe nuk dënohet asnjë njeri, ndërkohë që i prishet humori një deputeteje të mazhorancës dhe dënohemi, kjo është e vërtetë. Që këtu, badigardi i djalit të Kryeministrit plagos si sherif një kamarier në lokal dhe nuk dënohet, ndërkohë ….”, - u shpreh Tahiri, ndërsa kryetarja e Kuvendit i ka ndërprerë fjalën duke i bërë të ditur se ishte jashtë rendit të ditës. Por kjo nuk e ka ndalur Tahirin, i cili ka vijuar të flasë dhe për disa çaste pa mikrofon, çka ka detyruar kryeparlamentaren që të ndërpresë për disa çaste vijimin e seancës.