E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli teknik i makinave, tani nga një kompani e huaj

TIRANË - Është firmosur sot marrëveshja për kalimin e ndërmarrjes së kontrollit teknik të automjeteve tek një kompani e huaj. Zviceriania "Societe Generale de Surveilance" do të kryejë për 10 vjet në Shqipëri shërbimin e kontrollit të detyrueshëm teknik të mjeteve me motor dhe rimorkio, kundrejt pagesës prej 5 % të të ardhurave në llogari të buxhetit të shtetit shqiptar.

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi dhe zv.presidenti i kompanisë "SGS", Jacques Vollenëeider, nënshkruan sot marrëveshjen koncensionare. Sipas ministrit, dhënia me koncension e këtij shërbimi do të jetë pionier jo vetëm për përafrimin e shërbimit me cilësi dhe standarde me shërbimin e kontrollit teknik në vendet e Bashkimit Evropian, por dhe në përmirësimin e ndjeshëm të sigurisë së qarkullimit rrugor të mjeteve.


Duke nisur nga dita e nesërme, kontrolli teknik i makinave do të kryhet nga kompania "SGS". Ndërkohë zv.presidenti i kompanisë "SGS", Vollenweider theksoi se "në një kohë të shkurtër programi do të përputhet me te gjitha direktivat e Bashkimit Europian në fushën përkatëse".

"SGS" zotohet se do të bëjë rinovimin e qendrave aktuale të kontrollit teknik dhe ngritjen e një rrjeti të mirëintegruar të qendrave në të gjithë Shqipërinë. Sistemi i ri i kontrollit do të jetë elektronik, i automatizuar dhe do të ofrojë siguri dhe saktësi maksimale testimi.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›