Konventa, Rama: Bashkim në zgjedhjet historike, për të mbyllur një kapitull
Tiranë- Partia Socialiste mbajti sot Konventën Kombëtare në të cilën lideri i opozitës Edi Rama bëri thirrje për bashkim drejt një ndryshimi historik, për të mbyllur një kapitull siç tha ai.
Zgjedhjet e 23 qershorit janë qa të rëndësishme sa ato të 22 marsit. Shqiptarët votuan dhe i dhanë një fitore plebishitare për të përmbysur një regjim sot të gjithë së bashku, socialistë dhe progresistë, me partnerë dhe aleatë, duhet të bashkohemi të gjithë në zgjedhjet e 23 qershorit, që do të jenë historike për hapjen e një kapitulli të ri, deklaroi Rama.
Për liderin e opoziës, qytetarët kanë dy alternativa: Me trenin e qytetarëve drejt Europës ose me trenin e mallrave drejt humnerës.
Në konventë e kanë marrë fjalën një e nga një të gjithë aleatët me të cilët PS-ja po shkon drejt zgjedhjeve parlamentare te 23 qershorit. Midis tyre, lideri i LSI-së, Ilir Meta, theksoi se koalicioni nuk është një kalkulim numrash, por një përgjegjësi historike ndaj shumicës së qytetarëve.
Bashkimi synon të rikthejë vlerat europiane të Shqipërisë. Energjia dhe vizioni ynë i përbashkët, janë garancia më e mirë. Pas fitores së 23 qershorit, do të nisim një angazhim dhe përgjegjëshmëri tjetër. Do të nxisim investimet e huaja dhe do të mbrojmë shtresat sociale. Pas 23 qershorit, do të punojmë për një qeverisje transparente dhe gjithpërfshirëse, premtoi Meta.
Meta në Konventën e PS-së
Ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani, tha: rotacioni politik është bërë i domosdoshëm, pasi vendi ndodhet në një situatë kritike.
Koalicioni ynë elektoral, do të garantojë ndërtimin e mirë të institucioneve, pavarësinë e tyre, që shqiptarët të mos jenë të kërcënuar’,- u shpreh Paskal Milo në fjalën e tij.
Në nisje të konventës, ishte letra e shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli, e cila përshëndeti pjesmarrësit dhe theksonte rrotacionin e fitoren e opozitës së bashkuar më 23 qershor. Konventa e socialistëve do të vijojë edhe nesër në ditën e dytë të saj.