Konventa e Gruas Demokrate, Berisha: Në themel të programit të katër viteve të ardhshme, shembja e hendekut të pabarazisë gjinore
Kryeministri: “Zonja Margaret Thatcher do ju thonte “Zonja nuk kthehet mbrapa””
Kryeministri i vendit Sali Berisha përshëndeti sot Konventën e Gruas Demokrate, e cila u mblodh në Pallatin e Kongreseve. Nën brohoritjet e grave ‘fitore fitore’, Berisha tha “se sot përulemi me nderim para nënave dhe vajzave’.
Numri 1 i qeverisë ftoi femrat e të gjitha bindjeve që t’i bashkohen PD-së me qëllim realizimin e programit 4-vjecar të PD-së, në themelin e të cilit është shembja e hendekut të pabarazisë gjinore. “Por sot, ne do vendosim për rolin tuaj udhëheqës, për kontributin tuaj shkencor, kulturor. Do vendosim për përpjekjen tonë të madhe kombëtare për të ngushtuar hendekun dhe pabarazinë gjinore, për të shembur murin e patriarkisë. Vajza dhe gra shqiptare në sallë dhe kudo që jeni, për ne cështja e lirive dhe të drejtave tuaja, është para së gjithash cështja e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Askush nuk ka pasur histori më të vështirë dhe sakrifica sesa ju. Në sakrificën tuaj qëndron fisnikëria e shpirtit tuaj. Ne jemi këtu për tu zotuar se do bëjmë gjithçka që 4 vitet që vijnë për respektimin e të drejtave tuaja. Vajza shqiptare të të gjitha bindjeve bashkohuni me ne, së bashku të bëjmë të mundur që askush mos të dhunojë liritë dhe të drejtat tuaja. Së bashku me këtë projekt të “thërmojmë” murin e patriarkisë. Të vendosim para ligjit cilido që guxon të shkelmojë liritë dhe të drejtat tuaja. Të bashkojmë zërin tonë më cdo nënë dhe vajzë që padrejtësisht dhunohet në shtëpinë e saj. Por, cështja e vajzave dhe grave nuk është çështje e lirive dhe të drejtave njerëzore, para së gjithash është cështje e zhvillimit të kombit në rrugë evropiane. Ndaj ftoj vajzat dhe gratë e Shqipërisë të bashkohemi për shkollim sa më të mirë. Në 4 vite që vijnë ta vendosim në çdo hallkë ë politikës shqiptare”, theksoi Berisha.
Numri 1 i qeverisë, vlerësoi se zgjedhjet e 23 qershorit janë përcaktuese për Shqipërinë Evropiane. Sipas Berishës fitorja e Partisë Demokratike është në ‘duart e femrave’ shqiptare.
“Ne po ecim drejt zgjedhjeve të 23 qershorit që janë përcaktuese për ëndrrën dhe të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Zgjedhje që janë përcaktuese për të ardhmen Evropiane dhe rolin e madh tuajin në shoqërinë shqiptare. Më 23 qershor fitorja si gjithnjë është në duar tuaj, fitorja është vepra juaj, nga zgjedhjet e para pluraliste gjer më sot fitorja e PD ka pasur një emër dhe vetëm një emër, emri i saj ka qenë grua, zonjë vajzë. zonjushë. Ndaj dhe këtu 50 ditë që kanë mbetur me forcën shpirtërore të argumentit tuaj dhe qartësinë dhe kthjelltësinë tuaj me vendosmërinë e paepur tuajën zonja Margaret Thatcher do ju thonte “Zonja nuk kthehet mbrapa”, u shpreh Berisha.