E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Koalicioni ynë hyn në zgjedhje me dy deputetë më shumë - epërsi me 23 qershor

03-05-2013 / Gazeta 55

Në bashkëbisedimin periodik me gazetarët, kryeministri Berisha kujtoi se “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, do t’i fitojë zgjedhjet, përballë koalicionit të atyre që bllokuan integrimin e vendit”. Pas 4 viteve të suksesshme qeverisjeje dhe premtimesh të mbajtura, mandati i ri do të kërkohet për projektin e gjerë të punësimit dhe të mirëqenies
Fakti i ditës/“Arratisja e Ramës nga Tirana në Vlorë, sepse ‘qejfi ia ka, por nuk ia mban’”

Deklaratat e forta të konferencës së djeshme

- Koalicioni më i gjerë paraelektoral garanton thellimin e rezultatit prej 71 mandatesh
- Megjithë tronditjen, e ftoj opozitën të pranojë verdiktin e sovranit
- Rama ka njoftuar ndërkombëtarët se s’e njeh KQZ-në, për shkak se i duhet alibia e humbjes

“Në të gjitha analizat, pa përjashtim, koalicioni ‘Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, ka 71 deputetë, kundrejt 69 deputetëve të koalicionit të ligjeve që nuk votuan. Ky koalicion hyn në garë me dy deputetë më shumë se në zgjedhjet e shkuara”, deklaroi pasditen e djeshme, Kryeministri Sali Berisha.
Në një bashkëbisedim me përfaqësuesit e mediave, nga selia e kryeministrisë, Berisha tha se në 2009, kemi qenë 16 parti koalicioni, ndërsa në këto zgjedhje, jemi 25 parti nga të cilat vetëm një nuk ka biografi elektorale.
Ai theksoi se sot kemi 71 deputetë, por garantoj se rritja është më e madhe pasi e ndjej në çdo skaj të këtij vendi. “Në këto zgjedhje shkojmë në koalicionin më të gjerë në tërë historinë tonë politike. Shkojmë më këtë koalicionin të gjerë shumë të sigurt në spektrin e fitores, qendra e fitores është e djathta. Kurrë ndonjëherë një spektër kaq real, dhe jo fiktiv. Ky koalicion u bashkua me qëllimin e vetëm për të mbrojtur vlerat, programin dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ky koalicion nuk e ka çështje pazaresh vokacionin perëndimor të Shqipërisë. Në tërë historinë e këtij kombi agresionin më të rëndë ja ka bërë e majta shqiptare. Ajo me doktrinën e saj bllokoi ligjet për të marrë statusin”, deklaroi Berisha.
Më tej, kreu i qeverisë, tha se, “ky ka qenë mandati në të cilin është bërë më shumë për shqiptarët, por ata do të votojnë për projektin tonë të shkëlqyer. Ne hoqëm vizat, ia dolëm te meritojmë rekomandimet e KE-së, ne do t’i japim Shqipërisë infrastrukturën më moderne”, u shpreh shefi i qeverisë.
Ai shtoi se, “nuk do të na votojnë për ato që asfaltuam por për ato që do asfaltojmë”.
Më tej, kreu i ekzekutivit tha se kemi dhënë provat, gjithçka ne e kemi të faktuar përpara shqiptarëve, ndaj do të ecim përpara. Problemi është i thjeshtë, ne ecim të qetë, të sigurt dhe të vendosur, ecim me një koalicion më të gjerë si dhe  me një program të studiuar”.
Ai sqaroi se bisedimet me qytetarët, kanë pasuruar këtë program më shumë se asnjëherë  tjetër. “Ndaj le të presim, se shoh se janë shumë të tronditur, por gjykimin e sovranit duhet ta pranojmë”, deklaroi Berisha.    

“Edi Rama përdor KQZ-në, për të justifikuar humbjen”

Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama se po përdor çështjen e KQZ-së si mjet për të justifikuar humbjen e tij në zgjedhjet e 23 qershorit dhe për të mos njohur rezultatin e tyre. “Ramës i është kërkuar t’i lërë këto lojëra me KQZ-në dhe të çojë anëtarët në KQZ në detyrën e tyre. Por Edi Rama po humbi këto zgjedhje nuk do të njohë rezultatin, ndaj tërheqjen e komisionerëve e ka si një mjet për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve, dhe natyrisht mosnjohjen e rezultatit”, tha Berisha.
Ai shprehu bindjen se, Edi Rama po e përdor këtë situatë si një pretekst për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve, dhe këtë ia ka deklaruar edhe një grupi të huajsh në zyrën e tij.
“Edi Rama po bën çmos të demonizojë një proces që nuk mundet askush ta demonizojë. Ai bëri përpjekje të jashtëzakonshme në 2009 për të damkosur zgjedhjet. Në fakt, Rama nuk arriti të paraqesë qoftë edhe një dokument të vetëm para komunitetit ndërkombëtar për parregullsi në zgjedhje”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri i konsideroi qesharake, “çdo përpjekje për të demonizuar zgjedhjet e shqiptarëve nga ana e Ramës”. Sipas tij, “shqiptarët dinë të votojnë në mënyrë të qytetëruar dhe kanë një respekt të palëkundur për votën. Ndaj dhe zgjedhjet e 23 qershorit, do apo jo Edi Rama, do të jenë zgjedhjet e standardeve  më të mira që janë mbajtur ndonjëherë. Ka një infrastrukturë të shkëlqyer, ka një ligj të shkruar në çdo nen të tij nga opozita, që do të japë garanci të plota”, tha Berisha, ndërsa akuzoi kreun e PS-së se, ka tmerr dhe frikë nga komisionerët e tij. Kryeministri siguroi se, “në çdo rast që do të synohet të cenohet mekanizmi i funksionimit të zgjedhjeve ligji do të zbatohet pikë për pike”.

“PD-ja, e gatshme të votojë 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli”

Kryeministri Sali Berisha garantoi sot se Partia Demokratike ka qenë dhe do të jetë e gatshme çdo ditë për votimin e tre ligjeve të kërkuara nga Brukseli për statusin kandidat për në Bashkimin Evropian. “PD ka qenë e gatshme çdo ditë, është dhe do të jetë, për t’i votuar 3 ligjet, çdo aktmarrëveshje të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët. Berisha u shpreh se 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli për integrimin i bllokoi me një akt të paprecedent kreu socialist, Edi Rama. Kryeministri theksoi gjithashtu se në një kohë kur Serbia e Kosova vunë interesat evropiane të parat, në Shqipëri kjo nuk ndodhi. “Në Bruksel u firmos një marrëveshje, të cilën të dy palët e firmosën, duke vendosur interesat evropiane të parat dhe kjo është një arritje e madhe dhe u ndërmjetësua nga Baronesha Ashton”, tha Berisha. “Si ju vjen ju kur dëgjoni kryeministrin Daçiç t’u thotë në një mënyrë të përgjegjshme qytetarëve të tij se ne marrëveshjen me Kosovën e firmosëm për t’i hapur rrugën integrimit të vendit të tyre në Bashkimin Evropian, sepse interesi evropian është interes kombëtar, kurse kryetari i opozitës këtu bllokon integrimin, bllokon tre ligje, vijoi më tej kryeministri, duke garantuar sërish se, ligjet ne i votojmë në çdo kohë, kanë pasur në çdo moment votën tonë”.
 
“Ekonomia shqiptare shenja të qarta të një rritje të sigurt”
“Ekonomia shqiptare po jep shenja të qarta të një rritje të sigurt”, deklaroi midis të tjerave Kryeministri Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët. Kryeministri iu referua shifrave të 4-mujorit të parë të këtij viti, të cilat sipas tij, dëshmojnë se, “trendi i ekonomisë shqiptare është qartësisht më i mirë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”. “Gjatë këtij 4-mujori vërehen rritje të qarta në të ardhurat e tatimeve dhe doganave dhe rritje dyshifrore të eksporteve. Kjo do të bëjë të mundur plotësisht përmbushjen e premtimit tonë solemn ndaj shqiptarëve për rritje të rrogave dhe pensioneve në përputhje me parashikimin, ashtu siç janë rritur çdo vit nga viti 2006 e këtej”, tha Berisha, duke shtuar se nga ana tjetër qeveria ka vijuar të ndërmarrë masa për të krijuar të gjitha lehtësitë fiskale. Duke komentuar vlerësimin e Bankës Botërore, e cila cilësi ekonominë shqiptare nën potencialin e saj, Berisha theksoi se në raportin e fundit 3 mujor të Bankës së Shqipërisë dhe të Komisionit Evropian, ekonomia shqiptare ka performancën më të mirë se vitin e shkuar. “Sa i takon performancës së ekonomisë shqiptare, natyrisht kriza e dy partnerëve kryesor nuk ka si mos të pasqyrohet në ekonominë tonë të lidhur ngushtë me to. Edhe Bankës së Shqipërisë edhe Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit 3 mujor dhe unë ju konfirmoj me të dhëna e 4 mujorit. Ekonomia shqiptare ka qartësisht performancë dhe rritje më të mirë se vitin e kaluar. Sërish ishte me rritje dhe u vlerësua si një ndër 3-4 ekonomitë e vetme të zonës jashtë rrezikut të krizës. Ekonomia e vetme që gjeneroi vende pune, uli papunësinë në mbetem realisht optimist për ekonominë. Mund të ketë deficit për shkak të taksave që hoqëm, por duket se do jetë i vogël për shkak të rritjes”- theksoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›